
Presidenti Bamir Topi ka dënuar ashpër dje rastet e dhunës të shfaqura në ditët e fushatës elektorale, duke u shprehur se ky fenomen tregon vetëm injorancë.Kreu i Shtetit zhvilloi një takim me një grup të rinjsh, drejtues dhe përfaqësues të Parlamentit Rinor shqiptar, nga ku bëri një tjetër apel për partitë dhe qytetarët vetëm pak ditë para zgjedhjeve lokale. “Janë të papranueshme rastet e dhunës. Dhuna nuk tregon asgjë tjetër, veçse injorancë. Shqipëria e vitit 2011 nuk duhet të ketë raste dhune. Në rast se dhuna, si episod i izoluar, mbetet pjesë e ekzekutimit të injorancës së një individi, do të uroja që të mos ketë asnjë lloj suporti të karakterit politik, sepse kjo do të bëhej pastaj totalisht e rrezikshme për demokracinë. Ne kemi pak ditë para datës 8 maj. Unë i them të gjithëve që të përmbajnë veten. Njerëzit e dinë fare mirë, sepse ka një koshiencë kolektive me një traditë dhe eksperiencë 20-vjeçare”, u shpreh Kreu i Shtetit. Sipas tij, më shumë se sa përballje mes kandidatësh gjatë këtyre ditëve të fushatës elektorale, po vërehet një përballje mes stafeve. Në këtë pikë Topi shfrytëzoi rastin për t’i bërë një apel edhe medias. “Ne kemi parë dhe vazhdojmë të shohim një përballje të ashpër, ndoshta jo dhe aq shumë të kandidatëve midis tyre, por të stafeve, por kjo është një veçori e këtyre zgjedhjeve, por edhe të përfaqësuesve të medias. Media është një instrument i jashtëzakonshëm i demokracisë. Jo rastësisht ai quhet pushtet, sepse nëpërmjet medias partitë politike, institucionet përçojnë tek shoqëria këndvështrimet e tyre, por edhe vetë institucionet marrin nga publiku nëpërmjet medias perceptimin”. Sipas tij, “kam konstatuar personalisht, dhe padyshim që vjen në sens kritik: ashpërsi në komunikim, retorikë të ashpër, e cila transmetohet tek ambienti publik, në mënyrë të tillë që vjen e përkthehet edhe në momente dhune. Pra ajo që është e papranueshme në realitetin tonë, është përdorimi i dhunës, pavarësisht nga votimi, por ajo që është shumë e rëndësishme dhe dëshiroj ta ndaj me ju sot dhe ta përcjell tek politikanët, tek ata që angazhohen drejtpërdrejt me stafet e kandidatëve, tek vetë kandidatët, pavarësisht se konkurrojnë për bashki apo komuna, që të injektojnë një klimë të qetë në përmbyllje të fushatës”. Në të njëjtën kohë, Kreu i Shtetit u shpreh se “ajo që po shihet gjatë këtyre ditëve përpara zgjedhjeve është përballja mes tifozëve dhe protagonizëm i analistëve të medias, më shumë sesa mes kandidatëve që janë direkt në garën për kryetarë të bashkive dhe komunave”. Sipas Topit, në këtë periudhë duhet të ketë debate ku qytetarët të mësojnë mbi vizionet e kandidatëve. “Në rast se ne mendojmë që i mbyllim këto me një debat edhe atëherë themi që kemi pamjaftueshmëri. Duhet të ketë disa debate. Fatkeqësisht, kjo periudhë e fushatës elektorale iku pa debat. Njerëzit e kanë këtë mundësi. Pra, roli i jashtëzakonshëm i medias të jep mundësinë që nëpërmjet ekraneve televizive të kesh mundësi që, duke u përballur disa herë kandidatët midis tyre, të japin vizionet specifike për qytetin”, u shpreh Topi. Në fund ai tha se “sa më shumë kakofoni, aq më shumë të paqartë mbeten qytetarët. Ndryshe diskutohet në një auditor, ndryshe diskutohet në një stadium. Ndryshe mund të diskutosh në një sallë koncertesh, ku detyrohesh të ngresh zërin. Është momenti që të diskutojmë me zërin e arsyes, sepse mjaft gjëra janë bërë për së mbari, por shumë gjëra duhet të bëhen më mirë”.
Mesazhi
“Nëpërmjet këtij takimi, unë dëshiroj edhe njëherë të ripërcjell tek të gjithë shqiptarët që kanë të drejtën e votës, që ta respektojnë datën 8 maj. Është votë e tyre. Një votë duket sikur është shumë pak, por në demokraci një votë është shumë e rëndësishme, sepse votë pas vote jepet verdikti i qytetarëve. Dhe kjo përkthehet jo në interesin e atyre që do të ulen nëpër kolltukët e këtyre institucioneve, por përkthehet në besueshmërinë që duhet të kenë qytetarët për ata që do t’i drejtojnë”, u shpreh Kreu i Shtetit.
Arvizu takon Ramën në PS
Ambasadori amerikan, Aleksandër Arvizu, zhvilloi dje paradite një takim me kryetarin e PS, Edi Rama, në selinë rozë. Takimi zgjati për më shumë se 30 minuta. Pas takimit nuk pati asnjë njoftim zyrtar rreth qëllimit dhe diskutimit të bërë në këtë takim. Arvizu, ambasadori i OSBE-së, Volfarth dhe ai i BE-së, Sekui, u takuan dy ditë më parë me kryeministrin Berisha për zgjedhjet.
Elbasan, Bashkiakët bllokojnë punimet për ujin
ELBASAN – Policia Bashkiake bllokon punimet e firmës “Elber” për kanalizimet e ujërave të bardha në lagjen “NSHU” të Elbasanit. Punonjësit bashkiakë janë përballur dhe me banorët, të cilët kërkojnë që punimet të kryhen në këtë zonë, pasi prej vitesh po përballen me mungesën e ujit të pijshëm në shtëpitë e tyre. Por gjithsesi, punimet janë bllokuar nga Policia Bashkiake, e cila shprehet se për punimet nuk është marrë leje nga Bashkia. Nga ana tjetër, drejtori i ujësjellësit, Ardjan Zhidro, i ndodhur menjëherë në vendngjarje, pasi është lajmëruar nga banorët, i kërkoi policisë që të zhbllokojë punimet, sepse uji i pijshëm është një nevojë jetike për banorët e kësaj lagjeje dhe të lejojë firmën të kryejë punimet. Sipas Zhidros, kjo ndodh pasi banorët e kësaj zone janë shprehur se vota e tyre do të jetë për koalicionin “Aleanca për qytetarin”. m.s
ARISTIR LUMEZI
© Panorama.al











