Topi, darkë pune me Obamën në Varshavë

May 28, 2011 | 11:13

Presidenti i Republikës, Bamir Topi, ishte dje i pranishëm në darkën zyrtare me Presidentin amerikan, Barak Obama, në Varshavë.I ulur në krah të tij, mësohet se kreu i shtetit shqiptar ka pasur një bisedë prej disa minutash më homologun amerikan, të cilin e ka falënderuar personalisht për ndihëm e SHBA-ve për gjithë faktorin shqiptar. Presidenti Topi, krahas mirënjohjes, i ka kërkuar presidentit Obama mbështetje të mëtejshme për integrimin e Shqipërisë. Në këtë darkë zyrtare në Varshavë, ku morën pjesë krerët e shteteve të Europës Qendrore, mësohet se 3 minuta ka qenë koha për çdo President për të pasur një bisedë veçmas me presidentin Obama. Ndërkaq, kreu i shtetit shqiptar ka qenë ulur në tavolinë në krah të tij.
“Takimi i sotëm vjen në mbyllje të dy dekadave ndryshimesh historike në Europën Lindore, ku pa dyshim, Shqipëria ka qenë vendi më i izoluar. Por sot është pjesë e një procesi organik transformimesh të mëdha. Shqipëria sot është vend i NATO-s”. Kështu e nisi fjalën e tij në Samitin e Varshavës, Presidenti i Republikës, Bamir Topi, në prani në homologëve të tij të Europës Qendrore. Me ftesë të Presidentit të Polonisë, Bronislav Komorovski, kreu i shtetit shqiptar ndodhet në krye të delegacionit zyrtar shqiptar në takimin e 17-të të Presidentëve të Shteteve të Europës Qendrore, në kështjellën mbretërore “Zamek Krolevski”, në Varshavë.
Në fjalën e tij Topi theksoi rëndësi e integrimit të Shqipërisë, në një kohë kur kanë kaluar 2 dekada nga rrëzimi i perdes së hekurt. Duke u ndalur në zhvillimet në Shqipëri, Presidenti tha në fjalën e tij se Shqipëria ka mundësinë sot të demonstrojë elemente pozitive të arritjeve të veta. “Ajo ka një sistem drejtësie funksional. Pavarësisht debateve politike që ekzistojnë në vend, siç ekzistojnë në çdo vend tjetër demokratik, vizioni i të gjithë politikës shqiptare në unison nuk është në asnjë moment kontestues ndaj politikave madhore të integrimit. Kjo është arsyeja që rritja e demokracisë së brendshme, forcimi i shtetit të së drejtës, ndërtimi i politikave ekonomike, të cilat çdo ditë vijnë e konsolidohen, bëjnë të mundur që ne të jemi optimistë që marrja e statusit kandidat për Shqipërinë, do të jetë një moment kohor i afërt”, tha Topi.

Takimi me Jahjagën

Presidenti Topi zhvilloi edhe një takim të përzemërt në Varshavë me Presidenten e Kosovës, Atifete Jahjaga. Të dy krerët e shteteve folën për marrëdhëniet mes dy vendeve, si dhe bashkëpunimin e ngushtë e në rritje në të gjitha fushat me interes të ndërsjellë. Presidenti Topi e ftoi Presidenten e Kosovës, Atifete Jahjaga, që të vizitojë Shqipërinë, ftesë që u pranua me shumë kënaqësi dhe vizita do të realizohet në një kohë të përshtatshme.

Samiti pa Tadiçin

Takimi i 17-të i presidentëve të Europës Qendrore në Varshavë u bë pa praninë e Presidentit serb Boris Tadiç, por në fjalën e tij, kreu i shtetit shqiptar vlerësoi lajmin për arrestimin e Mlladiçit. “Pa dyshim, është një lajm i gëzuar dhe risjell edhe një herë në vëmendje që demokracia është shumë e rëndësishme dhe demokracia në çdo lloj rrethane triumfon. Në Shqipëri kemi një fjalë të urtë që është shumë domethënëse për këtë rast. Drejtësia vonon, por nuk harron”, tha Topi.

 

ERALD KAPRI

© Panorama.al

Te lidhura