Topi, Berishës: Respektoj gjithnjë Kushtetutën

Dec 16, 2011 | 18:42

Presidenti i Republikës Bamir Topi i është përgjigjur nga Pogradeci akuzave të kryeministrit Sali Berisha se ka qëndruar më shumë në anën e Partisë Socialiste.

Presidenti i është përgjigjur disi më humor Berishës, duke thënë se kur luante futboll ka qenë një lojtar që luante në mesfushë, ndaj i tillë jam dhe në politikë, mësohet se është shprehur Topi.

“Jam gjithnjë në përmbushje të detyrimeve Kushtetuese”- ka thënë ai.

Gjatë një intervistë për emisionin Opinion të Blendi Fevziut, një ditë më parë, kryeministri  Berisha u shpreh; “Në historinë e një vendi nuk mund të ketë asgjë më rrënuese për atë institucion, që është institucioni qendror i shtetit, sado që është simbolik, sesa deklarimi i tij në detyrë dhe përpjekja e tij për të krijuar parti. E vërteta është që me këtë kundërshtar nuk të ndihmonte dot më shumë se kaq, po të jetë puna për kundërshtarët. Po të jetë puna për dinjitet shtetëror, kjo përbën një gjë jashtëzakonisht të rëndë, sepse ti je i detyruar… je Republikë Parlamentare, je President qartësisht jashtë forcave politike. Në një Republikë Parlamentare Presidenca kurrë nuk mund të jetë një parti politike. Këtu janë dy forca të mëdha politike dhe del një partiçkë dhe thotë “jam unë në Presidencë”. Imagjino çfarë fyerje është për atë institucion.”

Ai konfirmoi se Topi nuk do të jetë më një kandidaturë e PD-së për president.

© Panorama.al

Te lidhura