Berisha i çekuilibruar.Stalinisti i fundit në Europë

Sep 19, 2012 | 12:38

Ish presidenti i Republikës, Bamir Topi, aktualisht kreu i formacionit më të ri politik në vend, Fryma e Re Demokratike ka reaguar ashpër ndaj akuzave që kryeministrit, Sali Berisha ka artikuluar në adresë të tij.

Ai e cilësoi atë të çekuilibruar dhe një person i cili e ka humbur kontrollin. “Për të nuk ka rëndësi e vërteta, por shpifja, sikurse ka bërë për të gjitha vrasjet politike dhe mafioze në këto vite. Baltë dhe shpifje pa fund me shpresën se duke bërë kështu, diçka do të mbetet.”- tha Topi.

Sipas, Bamir Topit,  çdo procedurë e KLD-së në emërimin e transferimin e gjyqtarëve është bërë edhe me voten e ministrave te tij, dhe me votimin e fshehtë të anëtarëve të KLD-së. Siç e dini Presidenti ka vetëm një votë, shtoi ai.

“Shqiptarët e dinë fare mirë se cili politikan e ka krijuar karrierën e tij mbi konflikte permanente, ata e dinë se kush e ka çuar vendin në prag të konfliktit civil për karrigen e tij, e dinë se kush kërcënon me jetë politikanët nga tribuna e parlamentit.”- theksoi Topi.

Përvoja e tij politike, vazhdoi më tej ai, njeh vetëm frikën, gënjeshtrën dhe pabesinë, duke shtuar se tashmë Berisha ka humbur shumicën, mbështetjen publike, mbështetjen perëndimore, dhe në prag të kalimit në pension politik ka arritur të kuptojë se FRD dhe mijëra shqiptarë janë të vendosur të ndahen nga ky model negativ, i cili hyri në politikë nga zyra e Ramiz Alisë.

Berisha dhe klani i tij përbëjnë një kërcënim real për demokracinë në vend, tha ish presidenti.

Duke bërë thirrje për largimin nga pushteti të stalinistit  të fundit, siç e quajti ai Berishën, Topi tha se është në një mision të dyfishtë publik; për të parandaluar kalimin e vendit në Pashallëkun privat dhe familjar të kryeministrit, dhe për të ftuar çdo shqiptarë që beson në një politikë të re qytetare dhe evropiane, për të larguar stalinistin e fundit në Europë.

Një ditë më parë, po ashtu edhe sot në mbledhjen e qeverisë, kryeministri Berisha akuzoi ish Presidentin, Topi se ka lidhje me lirimin e Ilir Xhakjas nga akuzat, si dhe në vrasjen e gjyqtarit të Vlorës, Skerdilajd Konomi.

Çfarë tha Berisha sot

“Vrasësi i Kryekomisarit rezulton se ishte liruar me kërkesë të drejtuesit të KLD-së, të Topit dhe Faqeziut. E dini pse i duhej, i duhej për të kërcënuar kushërinjtë e tij, për të bllokuar ndërtimet në prona, se nuk ua merrte dot pasurinë që u takonte. I duhej për ta mbajtur banditët. Ndaj thërrisnin gjykatësit i vinin nën presion, për të liruar një njeri të dënuar disa herë. Gjykatësi kishte liruar njeriun për dy vrasje, dhe shpërblehej me emërimin inspektor nga Topi dhe Faqeziu në KLD. Hanxharët e KLD kishin urdhëruar moszbardhjen e vendimit.”

 

© Panorama.al

Te lidhura