
Presidenti Bamir Topi reagon për rrëzimin e dekretit të tij për ligjin e plehrave, një ditë pas votimit në Kuvend. Në një takim me nxënës të klasave të nënta të disa qyteteve të vendit, në kuadër të një projekti të OSBE-së, kreu i shtetit u pyet për vendimin e Parlamentit, i cili nuk i mori parasysh vërejtjet e tij për ligjin e mbetjeve. Sipas tij, kjo tani është një çështje qytetare. “Është shumë e rëndësishme që politika, në radhë të parë politika në Parlament, t’i japë përgjigje një çështjeje që nuk është më e tyrja, por është e qytetarëve. Dhe t’i japë përgjigje mbi bazën e argumenteve, t’u largohen sharjeve, sepse nuk ka gjë më të mirë për sherrxhinjtë që ta mbulojnë një çështje shumë të rëndësishme vetëm me terminologji banale, ku askush të mos kuptojë asgjë se për çfarë diskutohet”, u shpreh Topi. Kreu i shtetit iu përgjigj dje edhe Kryeministrit Sali Berisha, i cili, në fjalën e tij në Parlament, tha se “Aleanca e plehut” kërkon vota përmes ligjit të plehrave. “Jeni mësuar të dëgjoni edhe fyerje publike për qytetarët, duke u adresuar atyre dhe emërtime të padenja. Nuk mund t’i thuhet qytetarit Aleanca e plehut apo e plehrave. Në mënyrë absolute jo! Qytetarët janë mësuar gjithmonë të demonstrojnë qytetari, dhe nëse kanë solidaritet midis tyre, solidariteti qytetar nuk mund të jetë solidariteti i plehut, por çdo rrethanë për solidaritet dhe aleancë kundër plehut, në mënyrë që në Shqipëri të ketë gjithmonë një mjedis të shëndetshëm, një mjedis, i cili patjetër duhet të bëhet i shëndetshëm nga qytetarët dhe nga politika. E kanë detyrim institucionet”, u shpreh më tej Presidenti. Më tej, kreu i shtetit u shpreh se babëzia ka shkatërruar mjedisin në vend dhe për këtë ai iu referua lumit Erzen në kryeqytet. “Lumi i Erzenit, që ju besoj e keni studiuar në gjeografi, ndërsa shumë banorë të Tiranës e kanë frekuentuar për shkak të bukurive natyrore, të mundësive që jep ky ekosistem për ta shfrytëzuar për ekoturizëm, dhe të babëzisë së jashtëzakonshme për t’i nxjerrë shtratin, për t’i marrë atë që s’duhet t’ia merrnin kurrë, vetëm për qëllime përfitimi, për të shkatërruar urat, për të shkaktuar një erozion për tokat dhe për ta bërë jetën e banorëve në dy krahët e Erzenit, dhe të dhjetëra aktiviteteve që kanë ndërtuar aktivitetin e tyre pikërisht duke shfrytëzuar bukuritë natyrore të këtij ekosistemi, për ta bërë të pavlefshme”.
I pyetur nga nxënësit nëse do të kërkonte më shumë kompetenca si President, ai tha se nuk ka ambicie për t’i rritur ato. Sipas Topit, “problemi nuk është te kompetencat. Problemi është sa respektohet nga të gjithë marrëdhënia midis institucioneve, pavarësia e institucioneve, dhe e dyta është që, këtë e ka në dorë politika. Sepse është ajo që e vendos këtë në Parlament, ajo është që e vendos tek e fundit nëse diçka që mund të ndryshojë, mund të ndryshojë nëpërmjet Parlamentit, ose nëpërmjet një referendumi”.
Rama: Shqipëria, sot me derë të hapur për plehrat e komshinjve
Kryesocialisti përcjell, përmes rrjetit social “Twitter”, çdo shqetësim apo sensibilizim popullor. Menjëherë pas deklaratave të Presidentit të Republikës lidhur me arsyet që e detyruan të kthejë përsëri në Kuvend ligjin për menaxhimin e integruar të mbetjeve, kryetari i selisë rozë reagoi duke tentuar të japë efektet që do të japë importimi i plehrave në Shqipëri. “Sot Shqipëria është si një shtëpi që ka hapur derën për të mbledhur plehrat e komshinjve. Nesër do të jetë shumë vonë!”, shprehet Rama në reagimin e tij në rrjetin social. Në pikun e debatit parlamentar, dy ditë më parë, kur diskutohej në Kuvend dekreti i Presidentit për importimin e plehrave, Rama reagoi disa herë përmes Twitter, duke u dhënë përgjigje deklaratave dhe akuzave të bëra nga maxhoranca. Kreu i opozitës, Edi Rama, nuk ka mbetur jashtë debateve të Parlamentit për importin e mbetjeve. Rama, nëpërmjet rrjetit social, “Twitter”, iu bashkua këtij debati me tri komente. “Opozita importuaka plehra sipas Saliut! Vetëm kur të mbysin plehrat mund ta fyesh popullin tënd duke e trajtuar si budalla”, shkruan Rama pak para nisjes së votimit në Parlament. Më parë, kreu socialist, ndjekës i debatit, shprehet se “të njëjtin fjalim ka mbajtur edhe Kryeministri i Somalisë kur e mori në qafë vendin e vet duke e bërë kosh plehrash”, ndërsa në fillim të debatit parlamentar Rama shprehet se “të thuash dua plehra nga jashtë, është tradhtia më e madhe kombëtare në kushtet kur vendi ka një milion tonë plehra rrugëve”, shkruan Rama.
Majko: Plehra po shpallet e dobishme
Ish-kryeministri dhe deputeti i Partisë Socialiste, Pandeli Majko, reagon pas votimit në Parlament për rrëzimin e dekretit të Presidentit Topi për ligjin e plehrave. Në një komunikim në rrjetin social “Facebook”, Majko thotë se tani plehrat po shpallen të dobishme. “Eseja e Zylos së Dritëro Agollit: ‘Qeni është kafshë besnike. Pse zemërohesh kur të thonë qen? Qen bir qeni’… Po përsëritet për shprehjen ‘plehrë’… Plehra po shpallet e dobishme. Pse zemërohesh kur të thonë ‘mor plehër’?… Kohët absurde nuk dallojnë nga njëra-tjetra”. Në votimin e ditës së enjte në Parlament, deputetët e Partisë Socialiste e kundërshtuan me forcë qëndrimin e demokratëve për ta votuar pa ndryshime ligjin e plehrave, pavarësisht dekretit të nxjerrë nga kreu i shtetit, sipas të cilit nenet bien ndesh me njëri-tjetrin.
OSBE: Keni nevojë për qytetari aktive
Ambasadori i OSBE-së në vendin tonë, Eugen Volfarth, tha dje se Shqipëria ka nevojë për një qytetari aktive. “Shqipëria është një vend me demokraci dhe popullsi të re. Ajo ka nevojë për qytetarë aktivë për të ndërtuar të ardhmen e saj dhe edukimi është thelbësor për zhvillimin e një qytetarie aktive. Frymëzimi vjen përmes përvojës së drejtpërdrejtë dhe kjo vizitë studimore është një mundësi e shkëlqyer për këta të rinj që të takohen personalisht me udhëheqësit e tyre”, tha kryetari i Prezencës së OSBE-së, Ambasadori Eugen Volfarth. Sipas tij, “Prezenca e OSBE-së po ndihmon në reformën e kurrikulës dhe unë kam besimin e patundur se këto reforma do ta fuqizojnë ndjeshëm edukimin qytetar në vend”. Prezenca e OSBE-së në Shqipëri, në bashkëpunim me Ministrinë e Arsimit dhe Shkencës, organizoi dje një vizitë studimore të 50 nxënësve të klasave të nënta dhe të dhjeta nga Vlora, Kukësi dhe Tirana, gjatë së cilës ata u takuan me Presidentin Bamir Topi, Kryeministrin Sali Berisha, kryetaren e Kuvendit Jozefina Topalli dhe kryetarin e Gjykatës Kushtetuese, Bashkim Dedja.
ADI SHKEMBI
© Panorama.al











