Kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli, u ka bërë një kërkesë direkte historianëve shqiptarë të zbardhin të vërtetën e lëvizjes së parë antikomuniste të organizuar në Shqipëri, asaj në Postribë të Shkodrës. Gjatë seancës homazh në përkujtim të kësaj lëvizjeje, e cila u shtyp egërsisht nga diktatura komuniste në vjeshtën e vitit 1946, Topalli u shpreh se është detyra e shoqërisë së sotme të shkruajë për këtë ngjarje. “Lëvizja e Postribës është e para lëvizje antikomuniste në Europë dhe unë sot kam një ftesë për historianët: Ku jeni? Përse nuk shkruani? Ku jeni? Përse nuk thoni të vërtetën? Flisni me të vërtetën, ajo nuk dëmton askënd, është detyra jonë që të themi të vërtetën”, tha kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli. Më tej ajo theksoi rëndësinë e kësaj ngjarjeje si e para lëvizje antikomuniste në Europë. “Kjo nuk ndodhi në vendet e tjera, kurse shqiptarët guxuan, a jemi ne të parët në lëvizjen antikomuniste? A ndodhi pas sa vitesh në Hungari, në ‘56, në ‘70 në Poloni. Ndërsa ne, ne duhet të jemi krenarë, shqiptarët atdhedashuria, flamuri na kanë mbajtur në mbijetesën tonë mijëvjeçare, këta burra e kanë dashur këtë vend, këta burra kanë luftuar për këtë vend, këta burra, kanë sakrifikuar për këtë vend. Këta burra u pushkatuan tek shtëpia, tek oborri, tek kisha, tek xhamia, në sy të fëmijëve të tyre, në sy të nënave dhe bashkëshorteve të tyre, por ajo që u takoi familjarëve të tyre ishte po aq e dhimbshme, fëmija që do të rritej pa baba, bashkëshortja që do të rrisë djalin dhe vajzën pa baba, pa asnjë mbështetje, nëna që s’mund të përqafojnë kurrë djalin e saj”, tha Topalli. Më tej ajo lexoi emrat e 76 burrave të vrarë në këtë lëvizje, duke thënë se “këta burra e deshën Shqipërinë. Ne jemi këtu sepse ata burra guxuan dhe ne jetojmë sot atë që këta burra ëndërruan”. Në këtë seancë homazh ishin edhe personalitete të tjera, të cilët folën mbi këtë lëvizje antikomuniste. Në fjalën e tij, drejtori i Institutit të Studimeve të Krimeve të Komunizmit, Agron Tufa, tha se “kryengritja e Postribës, 65 vjet më parë, si e para lëvizje antikomuniste në Shqipëri dhe në Europë, i jep dinjitet çdo shqiptari në raport me ndërgjegjen dhe lirinë, në raport me historinë dhe të vërtetën, në raport me të shkuarën dhe të ardhmen”. Drejtoresha e Arkivave të Përgjithshme të Shqipërisë, Nevila Nika, theksoi ndër të tjera se, kryengritja e Postribës ishte dëshmia e shpirtit patriotik e dashurisë për liri dhe demokraci të shqiptarëve. “Kam pasur fatin të njoh disa prej trashëgimtarëve të familjeve që kanë qenë në kryengritje; familjen Kazazi, e lidhur me familjen e Isa Boletinit, familja Meta, e lidhur me Bajram Currin. Familje të mëdha, që i kanë dhënë këtij vendi. Shumica e këtyre njerëzve ishin nga familje me tradita të mëdha atdhetare”, tha Nika. Në seancën homazh foli edhe i biri i martirit Jup Kazazi. “Lëvizja e parë antikomuniste e Postribës ishte një lëvizje që bashkoi të gjithë shqiptarët, pavarësisht bindjeve politike, kundër një regjimi të egër dhe antikombëtar, siç ishte komunizmi”, tha ai. Nderime përcolli dhe aktorja e njohur Tinka Kurti, nëpërmjet recitimit të vargjeve të poetit kombëtar, Ndre Mjeda.











