Topalli: S’e votoj Fatos Nanon për postin e Presidentit

Dec 29, 2011 | 10:45

Kryetarja e Kuvendit, Topalli

Kryetarja e Kuvendit: Topi merr vota majtas.

“Nuk preferoj të flitet për emra, Moisiu kishte më shumë dinjitet se Topi”

Kryeparlamentarja Jozefina Topalli deklaroi votën kundër Fatos Nanos për garën presidenciale, që do të zhvillohet në muajin korrik. Gjatë një interviste për “ABC News”, kryetarja e Kuvendit deklaroi se emrat e përfolur për garën për President janë të parakohshëm. Topalli foli dhe për partinë e Bamir Topit, duke thënë se partia e tij do të kërkojë vota të majta, pasi vetë Topi sipas saj është pozicionuar majtas.

Një nga marrëdhëniet më të vështira të këtij viti ka qenë ajo me Presidencën për dekretet dhe për emërimet. Si do ta përkufizonit këtë marrëdhënie në fund të këtij viti?
Nuk dua të them shumë për të gjithë ato herë që Presidenti ka komplikuar dhe vështirësuar marrëdhëniet me Kushtetutën dhe Parlamentin. Natyrisht në çdo vend të botës po të shikosh dhe Barak Obamën që vepron në një sistem presidencial dhe nuk është president si në Shqipëri, që është republikë parlamentare. Apo të shkosh në Francë, që është sistem gjysmëpresidencial me Sarkozinë, sa herë ka votime në zyrën e Presidentit të Republikës, jo në kafe, jo punë shokësh, jo punë miqsh, jo punë ortakërie, përkundrazi, ai thërret krerët e grupeve parlamentare për konsultë, sepse është detyrim kushtetues. Atje vepron parimi “chek & balance”, që për ndarjen e pushteteve është detyrim kushtetues. Është fuqizuar kjo dispozitë nga vendimet e Gjykatës Kushtetuese disa herë, po sa herë ka votime të rëndësishme, qoftë për sistemin e Drejtësisë, qoftë për gjykatat, qoftë dhe për buxhetin apo për vendime të tjera, që kanë të bëjnë për energjinë, luftën ndaj terrorizmit apo politikën e jashtme, në zyrën e tij ftohen krerët e grupeve parlamentare, zbret kryetari i senatit, zbret vetë Presidenti për të bërë takimet institucionale për të mësuar se cilat janë opinionet e palëve. Konsultimi nuk do të thotë të shkosh në kafe dhe të thuash: “Të njoh Sonila, do të vendos pak, po të dekretoj te ky institucion”. Po flas për principin, nuk dua të përmend emra, nuk dua të shtoj asgjë tjetër për Presidentin që është me “tempo scaduto” (kohë e mbaruar).
Menjëherë për çështjen e Presidentit erdhën emra në tavolinë, gjithashtu dhe emri juaj ka qenë ndër emrat e lakuar për këtë post të rëndësishëm. Si e keni pritur një qëndrim të tillë dhe a do ta keni në konsideratë?
Në bazë të Kushtetutës, Presidenti ka një mandat 5-vjeçar, mandat që përfundon në fund të korrikut të vitit 2012. Axhenda parlamentare natyrisht nuk fillon me zgjedhjen e Presidentit, në fund të sesionit të ardhshëm ai do të vendoset në kalendar për zgjedhjen e Presidentit.
Kur do të vendoset emri juaj? Ka qenë zoti Bushati që e ka propozuar.
E para e punës, unë dua të respektoj Presidentin e Republikës deri në fund të detyrës së tij dhe kjo është detyrë e çdo politikani. Nuk ka folur asnjeri për emra dhe nuk preferoj që të përflitet për emra. Unë besoj se do kem mirëkuptimin tuaj për të mos folur, për sa kohë që Presidenti Topi vazhdon të qëndrojë në atë karrige, pavarësisht se është bërë si kryetari i një partie të vogël. Unë dua të jem luajale me mandatin dhe dua të respektoj deri në fund institucionin e Presidentit, pa e lidhur fare me emra.
Kryeministri është shprehur se do të zgjedhë Presidentin nga maxhoranca, opozita shpreson që Presidenti të jetë konsensual, ndërkaq dhe Presidenti në detyrë ka folur dhe për zgjedhjen e kreut të shtetit nga populli duke ndërmarrë ndryshime kushtetuese. Si e shikoni këtë diskutim për kreun e ardhshëm të shtetit?
Unë e shoh shumë thjesht, sepse e shoh zgjidhjen te Kushtetuta, që ka përcaktuar mekanizmin dhe dispozitat përkatëse për zgjedhjen e kreut të shtetit. Kushtetuta vendos limitet dhe vijën për çdo institucion shtetëror apo titullar institucioni. Për ta thjeshtuar, meqë të gjithëve u pëlqen ndeshja e futbollit dhe sa herë flitet për politikë i referohen futbollit. Është fusha me vija të bardha? Sa herë që topi del jashtë vijave, atëherë është jashtë loje. Në qoftë shkel Kushtetutën, je “outside”.
Të gjithë presidentët që ka pasur marrëdhënie maxhoranca, e kanë shkelur Kushtetutë?
Jo, nuk mund ta them për presidentin Moisiu.
Gjithsesi, marrëdhëniet kanë qenë të tensionuara…
Është një gjë të shkelësh Kushtetutën dhe është gjë tjetër që të kesh debate dhe interpretime. Janë dy gjëra të ndryshme. Mund të them se presidenti Moisiu ka pasur më shumë dinjitet edhe në përzgjedhjen e gjykatësve. Presidenti Moisiu është konsultuar me të dyja palët në përzgjedhjet e dekreteve të emrave në tërësi. I vetmi President që nuk pranoi të bashkëpunonte për të zbatuar detyrimet kushtetuese, është Presidenca aktuale. I vetmi President që nuk njohu Kushtetutën dhe vendimin e Gjykatës Kushtetuese. Presidenti Moisiu, ai po që ka zbatuar Kushtetutën dhe ka respektuar vendimet e gjykatave, po ashtu ka qenë edhe transparent në detyrën e tij dhe me amnistitë që ka bërë.
Meqenëse jemi në garën presidenciale, midis emrave që janë hedhur në tavolinë së fundi ka dhe një shfaqje në publik të liderit historik të së majtës, zotit Fatos Nano dhe ambicia e tij e shprehur për t’u bërë President i Republikës.
Nuk gjykoj, as nuk paragjykoj asnjë kandidat. Çdo njeri ka të drejtën për të thënë “unë jam dhe dëshiroj të jem pjesë e garës”.
E shikoni si kandidat potencial zotin Nano?
Unë kam thënë që nuk e votoj.
Deklaruat se Bamir Topi është në krye të një partie të vogël dhe ai ka deklaruar se do të krijojë një forcë politike të qendrës së djathtë. A ju shqetëson një fragmentarizim i së djathtës?
Ai është një kryetar partie, që voton për zotin Rama, është majtas dhe s’ka si të jetë djathtas. Që do të thotë se nuk merr vota nga e djathta, por nga e majta. Zoti Topi ka votuar për kryetarin e opozitës, për zotin Rama, pra është një njeri që beson në ideologjinë e së majtës, që beson në sjelljen e së majtës. Që në shpirt ai ia jep votën kryetarit të së majtës, pra është një njeri i së majtës. Bamir Topi e ka gjetur veten e tij tek Partia Socialiste, është e drejta e tij.
Po t’ju propozonte PD-ja si kandidatura e ardhshme në krye të shtetit?
Unë kuptoj që është një pyetje që dhe unë, po të isha gazetare, do e kisha bërë.
Pse jo, do të ishte një rast i veçantë që të kishim një presidente femër?
Për mua ka qenë një privilegj në krye të Kuvendit. Siç e shikoni, unë kam qëndruar në Parlament nuk kam shkuar në qeveri. Unë e dua Parlamentin, unë e dua parlamentarizmin dhe besoj se së bashku me kolegë të tjerë kemi bërë gjëra të rëndësishme në Kuvend.

© Panorama.al

Te lidhura