Kryeparlamentarja Jozefina Topalli iu përgjigj dje sfidës së bërë nga Presidenti aktual Bamir Topi, për zgjedhjen e kreut të shtetit nga populli. Edhe pse në mënyrë të indirekte, Topalli theksoi se zgjedhja e Presidentit të Republikës do të bëhet në kohën e duhur, në përputhje me Kushtetutën e vendit. “Për sa i takon axhendës së institucioneve të ndryshme, unë respektoj institucionin e Presidentit, i cili është në detyrë deri në momentin e caktuar. Ajo që unë besoj fort në ndërgjegjen time politike, është respektimi i Kushtetutës së Shqipërisë. Kushtetuta është kontrata më e rëndësishme që ne kemi me institucionet dhe me qytetarët”, deklaroi Topalli. Në Librin Themeltar të shtetit thuhet se: “Presidenti zgjidhet në votimin e parë, të dytë ose të tretë, kur një kandidat merr jo më pak se tri të pestat e votave të të gjithë anëtarëve të Kuvendit. Në votimin e katërt dhe të pestë zgjidhet President kandidati që siguron më shumë se gjysmën e votave të të gjithë anëtarëve të Kuvendit”. Kryetarja e Kuvendit gjatë analizës së punës njëvjeçare në krye të legjislativit shmangu komentet për emrat konkretë të përfolur në garën për president, por i dha përgjigje dhe deklaratave të kryesocialistit Rama për zgjedhjen e një presidenti konsensual. Sipas Topallit, Kushtetuta e miratuar me konsensus në vitin 2008, i lejon të djathtës të emërojë kreun e ri të shtetit, ashtu siç ka deklaruar dhe Kryeministri Berisha ditë më parë. “Kushtetuta është shkruar mbi bazën e një konsensusi të gjerë. Kështu që respektimi i Kushtetutës është e vetmja rrugë që ne do të zgjidhim të gjithë axhendën e ardhshme të institucioneve të ndryshme.
Analizat Kuvendit
Kryetarja e Kuvendit ka shfrytëzuar dje takimin me gazetarët dhe fëmijët e tyre, për të bërë dhe një bilanc të punës së institucionit që ajo drejton. Topalli ka cilësuar si të suksesshëm vitin 2011, ku sipas saj Kuvendi miratoi 450 akte ligjore, ratifikime dhe rezoluta. Por, ajo vuri në dukje dhe bojkotin e opozitës, që sipas Topallit solli dhe bllokimin dyvjeçar të miratimit të reformave. “Miratimi i ligjeve me shumicë të cilësuar ka qenë një ndër pikat kryesore dhe një nga momentet në të cilat u bë i pamundur votimi i këtyre ligjeve që kërkonin 3/5, për shkak se gjatë dy viteve opozita bojkotoi dhe bllokoi Parlamentin”, theksoi Kryetarja e Kuvendit. Sipas saj, “në javët e fundit Konferenca e Kryetareve, me propozim të Kryetares së Kuvendit, në unanimitet, më në fund pas dy vitesh bllokim, miratoi përmes vendimit kalimin për rishqyrtim në komisionet parlamentare të projektligjeve që kërkojnë shumicë të cilësuar”. Kreu i opozitës ka komentuar dje një rrjetin social Twitter deklaratat e Kryeparlamentares Topalli për miratimin e 450 akteve ligjore, rezoluta dhe projektvendime. Rama e krahasoi analizën e Kryetares së Kuvendit me punën e dikurshme të kooperativave. “Spikerja si në analizën e kooperativës dhe ligjet si kuintal për hektar rendiment i lartë vjetor, madje paçka se opozita s’la shiun me ra!”, deklaroi dje kryesocialisti.











