Topalli: Nanon s’e shoh për President, Ina Ramën s’e votojmë për mandat të dytë

Nov 4, 2011 | 10:10

JOZEFINA TOPALLI, BAMIR TOPI DHE FATOS NANO, GJATE NJE SEANCE PARLAMENTARE

“Ina Rama nuk do votohet për një mandat të dytë, Berisha e ka respektuar në mënyrë të pamerituar Topin”

Kryetarja e Parlamentit, Jozefina Topalli, rrëzon kandidimin e Fatos Nanos si President i vendit. Në një intervistë për emisionin “Opinion” të gazetarit Blendi Fevziu në “Tv Klan” ajo thotë se Ina Rama nuk do të marrë një mandat të dytë, teksa ka sulmuar ashpër Bamir Topin, duke kujtuar edhe disa ngjarje nga viti 1998.
Duket se raportet tuaja me Topin janë të tensionuara. Thatë që Topi ka shpallur projektin për krijimin e një partie, ai vetë nuk e ka deklaruar, por mbështetës të tij…
Unë nuk kam asnjë tension me zotin Topin.
Dy javë më parë, pati një tension të madh mes jush..
Unë jam politikane. Unë kam folur politikisht. Kam thënë atë që unë di dhe atë që besoj se zoti Topi ka zgjedhur të luajë në fushën e majtë. Kaq ka qenë deklarata ime. Pas kësaj, zoti Topi fyeu dialektin e Shkodrës. Unë i jam përgjigjur me dy fjali dhe sot po them që jam krenare për dialektin e qytetin tim. Zotin Topi unë e njoh në vitin 1996, kur u zgjodh për herë të parë deputet dhe unë u zgjodha për herë të parë deputete. Në atë periudhë, Presidenti Berisha e bëri ministër. Unë kam qenë në Komisionin e Ligjeve, kryetare. Për shkak se Topi ishte në qeveri, unë isha në Parlament, nuk kishim ndonjë raport njohjeje të afërt. Cilat janë momentet kryesore mbi të cilat unë kam vlerësimin tim që zoti Topi ka pasur me situatën në PD?
Ka qenë përfaqësues i të djathtës në PD dhe e ka thënë disa herë që është krenar për këtë gjë…
Një i djathtë që voton kryetarin e së majtës, vetëm në Shqipëri mund ta dëgjosh se mund të ekzistojë. Kujtoj që gjatë kohës së opozitës, ai ishte drejtor i Institutit të Bujqësisë ose të Tokave.
Ishte drejtor i kërkimeve veterinare…
Kujtoj që në 1998, një vit shumë i vështirë për PD-në, do bëhej konferenca e Tiranës. E gjithë media e shkruar hapej me titullin që zoti Topi do ishte kryetar i degës së Tiranës, sepse në fakt ishte propozuar. Kishte qenë ministër. Dy orë para fillimit të Konferencës, zoti Topi tha “unë nuk kandido”’, duke dëmtuar PD-në. Kjo është njohja e parë, zhgënjimi i parë që pata në atë periudhë. Kujtoj pastaj që para se të niste fushata për zgjedhjet në Bashkinë e Tiranës, zoti Topi kandidoi. Në atë kohë u bë një konventë e PD-së, dhe për shkak se PD-ja ishte mërzitur me atë që zoti Topi kishte bërë pak kohë përpara dhe nuk e votoi. Në atë kohë fitoi një tjetër kandidat që kandidoi për kryetar bashkie. Pas 3-4 vjetësh, përsëri Topi ishte ndër ata që e kërkonte, e dëshironte, dhe Berisha ia kishte premtuar se do ishte kandidati i PD-së për kryetar bashkie. Mbaj mend në atë kohë, kam qenë bashkë me kolegë të tjerë në zyrën e Kryeministrit Berisha, ishte ora 7-8 e mbrëmjes dhe deri në orën 12:00 duhet të dorëzonim emrat për kryetar bashkie dhe zoti Topi erdhi dhe na tha se nuk do kandidojë, duke na lënë në një moment të vështirë. Nuk kishim as kohë për të gjetur kandidat tjetër, sepse çdo gjë ishte investuar te zoti Topi.
Ka pasur analizën e tij, s’mund të kandidonte me zor?
Atë po them. Ka qenë zgjedhja e tij dhe interesi i tij. Por një nënkryetar partie s’mund ta linte partinë e vet në baltë, siç e la katër orë përpara. Të paktën 40 orë ose 4 ditë përpara se të mbaronte afati. Në atë moment nuk ia harroj zotit Ngjela kur tha “politikani është politikan. E hedh unë mandatin e deputetit dhe nuk e lë PD-në pa kandiduar në zgjedhjet lokale”. Në këtë aspekt, zoti Ngjela ishte goxha lart në raport me kolegun tim. Ishim të dy nënkryetarë partie. Unë bëj analizën time. Ajo që unë shihja ishte se zoti Berisha, nga një ngjarje në një tjetër, vazhdonte ta respektonte njëlloj zotin Topin.
Përse?
Arsyen nuk e di. Zoti Berisha e ka respektuar në një mënyrë krejt të veçantë, për mua të pamerituar. Kur vinin zgjedhjet politike, zoti Topi kërkonte gjithmonë të ndryshonte zonën elektorale. Unë nuk e kam ndryshuar kurrë zonën elektorale.
Ai në çdo zonë që ka shkuar ka fituar me rezultat shumë të thellë?
Nuk është krejt ashtu. Zoti Berisha përsëri, për arsye që unë nuk e di, ia plotësonte çdo kërkesë dhe dëshirë zotit Topi. Ishin zgjedhjet e vitit 2001, kur e mori mandatin me vendim të Gjykatës Kushtetuese. Ato ishin zgjedhjet më larg standardeve.
Ju thatë se ka refuzuar të bëhet kryetar i degës së Tiranës dhe kur nuk pranoi të kandidonte në 2003-n. Si shpjegohet që ky person, që dy herë e dëmtoi kaq rëndë PD-në, vijoi të mbetej kryetar grupi pas vitit 2005 dhe u zgjodh President në 2007-n, përfshi votën tuaj dhe votën e zotit Berisha?
Analiza juaj qëndron. Pyetjen pse ky njeri ishte aq i respektuar jashtë meritave të tij mund t’ia bëni Kryeministrit Berisha.
Ju personalisht ishit dakord që Topi të bëhej President?
Nuk kam qenë kundër. Kam pasur mendimin tim për integritetit e zotit Topi. Kam punuar me të gjitha forcat. Ka qenë zoti Berisha që e bëri President, ka bërë çdo përpjekje. Unë kam bërë përpjekje dhe ndoshta kam shtuar ndonjë votë që nuk ishte brenda grupit të maxhorancës së asaj kohe.
Si e keni shtuar?
Kam kërkuar votën e deputetëve që nuk ishin me PD-në.
Janë blerë vota për këtë rast?
Jo, ata kanë votuar të lirë dhe unë kam mbajtur fjalën. Pastaj, ai deputet është zgjedhur përsëri, sepse unë i qëndrova fjalës. Nëse s’do zgjidhej Presidenti për shkak të Kushtetutës që krijonte kriza, vendi mund të shkonte në zgjedhje të parakohshme dhe rrezikonim anëtarësimin në NATO.
Përse nuk morët pjesë në dekorimin e Arbnorit në Presidencë?
Sepse unë besoj që po të ishte gjallë Arbnori, nuk do të kish shkuar në atë zyrë për t’u përdorur politikisht.
Pse quhet përdorim politik?
Sepse mendoi vetëm për veten e tij dhe jo për zotin Arbnori. Me Arbnorin ka bërë një luftë të jashtëzakonshme. Kur diskutohej për zgjedhjen e Presidnetit, Arbnori ka qenë një ndër kandidatët.
Pasi t’i mbarojë mandati, a mund të kthehet Topi te PD?
Topi nuk ka vend në Partinë Demokratike.
Ku duhet të shkojë zoti Topi?
Te zoti Rama. Nuk ka ndodhur ndonjëherë që Presidenti të shkatërrojë Presidencën si këtë radhë. Unë e them me dhimbje dhe keqardhje.
Ka shumë komente, sipas së cilave ju jeni tensionuar me Topin se doni t’i zini vendin në Presidencë?
Unë gjatë 15 viteve që njoh Topin, kurrë ndonjëherë nuk kam pasur konflikt personal. Zoti Topi ka pasur gjithmonë konflikt me Kushtetutën, Parlamentin, por thellësisht në shpirt, besoj se ka konflikt me veten e tij. Cili është halli i Topit, pse ka rënë dhe përdoret për llogari të Ramës, çfarë interesash i lidh, a është se lejet e ndërtimit janë minierë, këtë nuk e di.
A keni ambicie për Presidente?
Aspak. Unë nuk kam ambicie se jam kryetare e Kuvendit.
Nuk do kandidoni në 2012-n?
Unë jam kryetare e Kuvendit deri në 2013, nuk kam nevojë për “do të”. Unë kam filluar të punoj me kolegët e tjerë për zgjedhjet e vitit 2013.
E shihni Nanon si kandidat të mundshëm për President?
Jo, nuk e shoh.
Ju personalisht apo gjithë PD?
Unë nuk e shoh. S’kemi arsye. E dyta, pavarësisht nga problemet që Topi ka me Parlamentin dhe urrejtja e tij për PD-në, dua ta respektoj, pavarësisht se ai e ka zhbërë Presidencën, dua ta respektoj në mandatin e tij deri në fund të korrikut dhe nuk dua të spekulojmë me një temë të tillë.
Do t’i ktheni të gjitha dekretet e Topit?
Sa herë të shkelin Kushtetutën dhe të mos plotësojnë kriteret e institucioneve kushtetuese. Nuk është çështje miqsh, shokësh.
Nëse opozita do  të kishte votuar Sali Shehu mund t’i merrte votat..
Asnjëherë. Mori 75 vota kundër dekreti i parë i Presidentit. Zoti President mori një votë. Gines.
Mjafton të lexoni disa paragrafë nga libri i Ramës për të kuptuar se ku jemi…
S’kam ndërmend ta lexoj. Kishte vendosur para Parlamentit kopertinën e librit dhe nga njëra faqe ishte pika e gjakut dhe syri i deles, nga ana tjetër ishte një thikë dhe pika gjaku. Edhe Dario Argente do ta kishte zili për frymën e horrorit.
E kujtoni që e therën një dele ditën që zoti Rama doli nga Bashkia e Tiranës?
Në fakt, nuk më pëlqeu fare as mua. Aty lexon gjendjen shpirtërore…
A kanë filluar të mendojnë njerëzit në PD se kush mund të jetë pasardhësi i Berishës?
Kjo është pyetja më idiote që mund të bëhet. Më fal se po flas në këtë mënyrë. Një kryetar partie që ka fitore pas fitore, në 2005, 2007, 2009 dhe 2011. Është i vetmi lider që e futi Shqipërinë në NATO, e futi në KiE, hoqi vizat, rriti rroga e pensione.
A ka një konkurrencë brenda PD-së për postin e kryetarit?
Asnjë. Duhet të jesh budalla. Berisha kapërcen veten, fiton me veten e tij çdo ditë. Kujtoj në 2006-n apo në 2007-n, në zyrën e time vjen zoti Topi. Për të treguar që s’kam asgjë personale dhe për të thënë që tradhtia ndaj Kushtetutës është tradhtia ndaj atij që… Më ka ardhur njëherë në zyrë dhe më ka thënë që vendin duhet ta drejtojnë ata që vijnë nga familja si puna jonë. Realisht, nuk e kam kuptuar herën e parë. Kur ka ardhur herën e dytë dhe ma ka thënë, nuk i besova veshëve. Nuk mund ta imagjinoja. Nëse pyet që a ka kësi tipash që shohin ëndrra me sy hapur…
A do të votohet Ina Rama për një mandat të dytë?
Jo.

© Panorama.al

Te lidhura