
Maxhoranca e cilëson blof strategjinë e opozitës për të mos votuar në Parlament ligjet me 3/5-tat, të cilat janë diskutuar më parë në komisione.Kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli, në një konferencë për shtyp lidhur me vizitën e saj në SHBA, u shpreh se vendi nuk ka nevojë më për një bllokim të ri, por për të votuar ligjet që kërkojnë një shumicë të cilësuar. “Unë nuk e kam dëgjuar zotin Rama. Por, nëse kjo është e vërtetë, pra që ka kërkuar tërheqjen nga rendi i ditës, kjo më duket se është bllokim. Nuk do doja ta paragjykoja, por nëse kërkohet tërheqja e drafteve mbi të cilat kanë punuar deputetët e maxhorancës dhe të opozitës, atëherë nuk është kurs i ri, por është bllokim, nuk është kurs i ri, por është blof. Ashtu siç ka thënë edhe Kiesevetter pak ditë më parë, bojkoti dhe bllokimi nga opozita kanë dëmtuar vendin dhe integrimin. Nga bllokimi, siç edhe ju vetë e dini, Shqipëria ka humbur dy vite në aspektin e stacioneve të reja drejt integrimit. Koha nuk pret. Koha nuk të fal më për bllokim”, u shpreh kryeparlamentarja. Duke e aktualizuar me realitetin shqiptar një shprehje të Presidentit Obama, Topalli theksoi se “bllokimit i duhet dhënë grushti. Këtë nuk e them unë, e thotë Presidenti Obama”. E pyetur nëse duhet rikthyer në Parlament votimi u fshehtë, kryetarja e Parlamentit theksoi se për këtë çështje do të flasë kur opozita të paraqesë amendamentet për ndryshimin e Rregullores. Megjithatë, sipas Topallit, transparenca funksionon edhe në Kongresin Amerikan. “Unë nuk dua të spekuloj mbi hipoteza që mund të ngrihen në ambiente të ndryshme. Nga momenti që do të njihem me propozimet, natyrisht, kam të drejtën për ta krahasuar me standardet e parlamenteve të vendeve demokratike. Natyrisht, unë dua transparencë, dhe ajo që unë admiroj në mënyrë të padiskutueshme, është mënyra e funksionimit të Kongresit Amerikan, është model i funksionimit të demokracisë, sepse është vendi kampion i lirisë dhe demokracisë dhe këtu besoj se të gjithë kemi konsensus”, u shpreh kreu i Kuvendit.
Gjermania: Shtrëngim duarsh Berisha-Rama
Deputeti socialdemokrat, Gernot Erler, zëvendëskryetar i Grupit Parlamentar të Partisë Socialdemokrate në Bundestagun gjerman, tha dje se shpreson që në Tiranë të ketë shtrëngim duarsh mes Kryeministrit Sali Berisha dhe liderit të opozitës, Edi Rama. Pak ditë më parë ai ishte për vizitë në Shqipëri me rastin e 20-vjetorit të fondacionit “Friedrich Ebert”. “Unë shpresoj që po. Situata, megjithatë, vazhdon të jetë e tendosur. Ka akuza për abuzim me pushtetin dhe fajësimet reciproke nuk marrin fund. Por unë shpresoj që duke pasur parasysh edhe perspektivën e integrimit europian, të dyja palët ta kuptojnë se nuk mund të ecet përpara nëse vazhdon një bllokadë e tillë e politikës”.
ADI SHKEMBI











