Topalli, kafe me deputetët e PD e PS

Dec 21, 2011 | 12:17

Klima e bashkëpunimit mes maxhorancës dhe opozitës është konfirmuar edhe njëherë tjetër dje në Komisionin e Ligjeve. Në mbledhjen e fundit të këtij komisioni, të dyja palët votuan për ratifikimin e një marrëveshjeje, por në fund të saj, teksa disa prej tyre u bënë gati të linin sallën, aty u shfaq kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli. Ajo i ftoi deputetët për një kafe me rastin e festave të fundvitit dhe për faktin se kjo ishte mbledhja e fundit e Komisionit të Ligjeve për këtë vit, ndërsa Parlamenti do të ketë edhe një seancë të enjten. Ky takim i shkurtër mes deputetëve dhe kryeparlamentares nuk kaloi pa batuta, ku ish-kryeministri Fino tha: “Na mblodhi serish Enveri”. Në fund të takimit, Fino ka kërkuar që t’i paguajë ai kafet, ku ishte e pranishme edhe Topalli, por është tërhequr pas insistimit të kësaj të fundit. Në një prononcim të shkurtër për mediat, kryeparlamentarja tha se “deputetët janë të përgjegjshëm për të bërë detyrën që u ka dhënë mandati. Ishte një rast i mrekullueshëm për të falënderuar deputetët për punën që kanë bërë në Komisionin e Ligjeve dhe për t’i uruar festat e fundvitit”. Nga muaji shtator, momentet më të rëndësishme të Komisionit të Ligjeve ishin votimi i tri kodeve që kërkonin shumicë të cilësuar, votim i cili i hapi rrugën edhe miratimit përfundimtar në Parlament. Miratimi i ligjeve me 3/5 ishte pjesë e 12 rekomandimeve të Bashkimit Europian që Shqipëria të marrë statusin e vendit kandidat.

© Panorama.al

Te lidhura