Topalli: Investoni në Shqipëri, kemi ulur taksat dhe kemi hequr licencat

Nov 22, 2011 | 9:00

Shqipëria ka marrë dje presidencën e radhës së Asamblesë së Përgjithshme Parlamentare të Bashkëpunimit Ekonomik të Detit të Zi (PABSEC). Parlamentarë nga të gjitha vendet anëtare dhe rreth 400 biznesmenë nga Turqia dhe Shqipëria ishin të pranishëm në hapjen e punimeve të Asamblesë ku mbajti një fjalim edhe kryetarja e Parlamentit, Jozefina Topalli. Në fjalën e saj kryeparlamentarja tha se në vitet e qeverisjes së Partisë Demokratike është punuar në dy drejtime, heqja e barrierës burokratike dhe ulja e barrës fiskale. Sipas saj, gjatë kësaj periudhe janë ulur një sërë taksash dhe janë reduktuar shumica e licencave. “Ne kemi filluar me të parën dhe kemi bërë të mundur një reformë të rëndësishme në eliminimin e pengesave për marrjen e licencave, për hapjen e bizneseve, për marrjen e lejeve të ndryshme. Vetëm gjatë viteve të fundit kemi hequr 2/3 e licencave dhe të lejeve dhe 1/3 e atyre që kanë mbetur janë vendosur në One Stop Shop, dhe kjo është njëra shtyllë, njëri mur në të cilin reforma vazhdon. Muri tjetër është muri i realizimit të lirisë fiskale. Nga 25 taksa që ishin të pronës, i kemi reduktuar në 10 taksa. Kemi bërë të mundur që taksën mbi të ardhurat ta reduktojmë nga 25 në 10. Kemi bërë të mundur që taksën e sigurimeve shoqërore ta ulim nga 32 në 15. Kemi ulur në tërësi shumë taksa të tjera dhe pastaj kemi vendosur taksën e sheshtë duke bërë të mundur që të ecim drejt një rritje më të madhe lirie fiskale në vendin tonë”, u shpreh Topalli. Kryeparlamentarja tha më tej se Shqipëria nga vendi që i kishte të ndaluara me Kushtetutë investimet e huaja, vitin e kaluar ka regjistruar një miliard dollarë investime të huaja direkte. Sipas saj, shkak i këtij volumi të madh investimesh janë pikërisht heqja e barrierave burokratike dhe liria fiskale. “Për një kohë të shkurtër do ta bëjmë Shqipërinë me një infrastrukturë të re dhe më moderne, nga një infrastrukturë tërësisht e vështirë dhe e pamerituar. Ne po bëjmë të mundur që të ecim në një nivel depërtimi të internetit nga vetëm 4.5% që ishim në 2007, në 50%. Ne jemi të bindur se investimi në infrastrukturën soft është po aq themelor sa investimi në infrastrukturën hard”, u shpreh më tej Topalli. Sipas saj, përmes këtij forumi të mbajtur në Tiranë investitorët e huaj do të kenë mundësi të njohin nga afër Shqipërinë. “Unë jam e sigurt se ky do të jetë jo vetëm një forum ekonomik i suksesshëm, por do të jetë edhe një katalizator i vërtetë që do të bëjë të mundur që ju të shihni nga afër se cila është Shqipëria. Për ta njohur Shqipërinë, për ta prekur Shqipërinë, për të punuar në Shqipëri dhe për të fituar në Shqipëri ju si investitorë të huaj dhe bizneset shqiptare”, përfundoi Topalli fjalën e saj.

Shtyhet forumi, nuk u ra dakord për axhendën
Zyra e shtypit e Parlamentit bëri të ditur dje se Asambleja e PABSEC shtyu punimet për shkak se nuk u ra dakord për axhendën. “U mblodh Komiteti Drejtues i përbërë nga kryetarët e delegacioneve të vendeve anëtare të PABSEC-ut, i cili shqyrtoi draft-axhendën e propozuar nga Sekretariati i Përhershëm. Meqenëse nuk u miratua draft-axhenda e përgatitur dhe e paraqitur nga Sekretariati i Përhershëm i PABSEC-ut dhe në vijim nuk u paraqit një axhendë alternative, Asambleja do të shtyjë punimet e saj”, thuhet në njoftimin për shtyp.

“Pavarësisht krizës, kemi rritje”
Sipas kryeparlamentares, megjithëse vendi është i rrethuar nga ekonomi që janë në krizë, edhe gjatë vitit të kaluar u shënua një rritje ekonomike. “Ka pasur vite që ne kemi investuar në rrugë, ura, tunele, shkolla, spitale deri në shifra 13%-14% të GDP-së. Për faktin e këtij modeli ekonomik edhe vitin që kaloi, pavarësisht që jemi të rrethuar nga kriza, vendi ynë ka pasur një rritje ekonomike 3-4%. Të vetëdijshëm që kjo është një ndër rritjet ekonomike më të veçanta në rajon dhe ndoshta edhe në Europë, ne jemi po aq të ndërgjegjshëm se më shumë duhet punuar”, tha Topalli.

© Panorama.al

Te lidhura