Tmerr në premierën e Batman, 12 të vdekur e 59 të plagosur

Jul 21, 2012 | 12:30
Xhejms Holms, autori i masakrës në SHBA

Një djalë i armatosur ka sulmuar spektatorët në kinemanë e Auroras, Kolorado, në orët e para të së premtes (02:10), duke hedhur gaz lotsjellës dhe më pas duke hapur zjarr drejt njerëzve të tmerruar. Ai u arrestua më pas nga policia dhe ishte shprehur se “jam Xhoker”, një nga personazhet kryesore negativë të filmit, madje kishte lyer flokët e kuq. 24-vjeçari ishte në vitin e fundit afër diplomimit për Neuroshkencë në Universitetin e Denverit, Kolorado. 12 persona humbën jetën dhe 59 të tjerë u plagosën ndërsa po shikonin premierën e filmit të ri të Batman, “The Dark Knight Rises”. Një nga të plagosurit ishte vetëm 3-muajsh, sipas punonjësve të spitalit. Të shtënat ndodhën në pjesën e errët të kinemasë të mbushur me fansat e Batman, madje disa prej tyre ishin me kostume. Sulmuesi ishte veshur me të zeza, kishte vendosur një maskë gazi dhe kishte qëlluar kë të rastiste. Zyrtarët e Policisë, sapo mbërritën në vendngjarje, kishin hasur me viktimat e plagosura që bërtisnin të përgjakur dhe shumë trupa pa jetë, kryesisht adoleshentë dhe fëmijë. I dyshuari u identifikua si Xhejms Holms, 24 vjeç nga Aurora. Ai nuk kishte pasur probleme me ligjin më parë, e vetmja parregullsi që kishte ishte një gjobë parkimi. Autoritetet konfiskuan katër armë: një pushkë AR-15, një armë gjaku dhe dy pistoleta “Glock”, sipas deklaratës së një zyrtari për CNN. Nuk është e qartë se me sa prej këtyre armëve është shtënë. I armatosuri hyri në sallën e “Century Aurora 16”, rreth 30 minuta pasi kishte nisur filmi. Ai kishte lëshuar një lloj gazi para se të niste të qëllonte. Më pas, gazi rezultoi të ishte lotsjellës. Disa spektatorë kishin menduar se gazi dhe tymi në sallë ishin efekte të filmit. Një prej dëshmitarëve tha se, pasi kishte mbushur sërish armët, sulmuesi kishte nisur të ngjiste shkallët duke qëlluar vazhdimisht spektatorët. Të gjithë thanë se nuk ishte e qartë fillimisht se çfarë po ndodhte. Një prej dëshmitarëve tha se “dikush erdhi nga hyrja e majtë dhe tha se nuk duhej të dilnim jashtë, sepse atje ishte dikush me armë”. Rojat e armatosur u shfaqën në të gjitha daljet e teatrit dhe u kërkuan spektatorëve të ngrinin duart lart për t’u siguruar se nuk ishin të armatosur dhe nuk ishin njeriu që ata kërkonin.

Kinemaja në Denver, Kolorado të SHBA, ku gjetën vdekjen 12 veta

Ngjarja u cilësua si më e rënda e ndodhur dekadën e fundit në SHBA. Policia fillimisht njoftoi se viktimat ishin 14 veta, dhjetë brenda në kinema dhe katër jashtë, por më pas numri u korrigjua në 12 të vdekur. Në spitale ka pasur edhe njerëz të plagosur rëndë. Mosha e të plagosurve në spitale varionte nga tre muajsh në 45 vjeç.
Frank Fania, një zëdhënës i Policisë, tha për CNN se dëshmitarët ishin shprehur që ai thjesht u shfaq përballë ekranit, pasi kishte hyrë mbase nga daljet e emergjencës. Fania shtoi se i dyshuari ishte kapur në skenën e krimit, dhe nuk kishte bërë rezistencë ndaj arrestit. “Ai ndodhej në pjesën e pasme të parkimit, i cili nuk shërben për kinemanë”, tha zëdhënësi i Policisë.
Pasi i dyshuari u kap, i tha Policisë se kishte një bombë në apartamentin e tij. Zyrtarët shkuan atje, evakuuan zonën rreth orës katër të mëngjesit, dhe gjetën një kurth “shumë të sofistikuar” brenda, sipas kreut të Policisë së Auroras, Dan Oeits. I dyshuari do të dalë të hënën para gjykatës.

Studioja filmike
“Warner Bros”, studioja që ka prodhuar filmin, tha se kompania dhe producentët ishin “thellësisht të trishtuar” nga incidenti. Studioja e anuloi premierën e filmit në Paris, ndërsa komisioneri i Policisë në Nju Jork tha se transmetimi i filmit “The Dark Knight” do të monitorohet nga policia për të evituar përsëritjen e incidenteve të tilla. Shoqata e Kinemave njoftoi rritjen e procedurave të sigurisë për shkak të kësaj ngjarjeje.

Dëshmia nga një metër larg
Një vajzë e cila u shpëtoi plumbave, tha se Holmes kishte drejtuar një nga armët në fytyrën e saj dhe më pas kishte qëlluar njerëzit që ishin ulur në një rresht më pas. Xhenifer Sigër, 25 vjeç nga Aurora, tha se ajo ishte ulur në rreshtin e dytë, rreth një metër larg sulmuesit. Sigër u shpreh se gëzhojat binin një pas një mbi kokën e saj duke i djegur ballin, ndërsa 24-vjeçari që qëllonte nuk lëvizte fare vendit.

U shpëtoi plumbave 6 javë më parë
Një vajzë që aspironte të bëhej gazetare sportive, e cila u kishte shpëtuar të shtënave të 2 qershorit 2012, në një qendër tregtare në Kanada, ishte mes 12 viktimave të të shtënave të djeshme në kinemanë e Denverit. Xhesika Ghaui, e cila ishte transferuar në Denver për t’u bërë gazetare sportive, humbi jetën kur një 24-vjeçar i armatosur hyri në sallën e kinemasë “Aurora” dhe qëlloi spektatorët. Vetëm pak javë më parë Xhesika kishte shkruar në Twitter, pasi kishte evituar të shtënat në Toronto, se kishte kuptuar që “çdo moment që na jepet për të jetuar është i bekuar”.

© Panorama.al

Te lidhura