Kryetari i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike, Gazment Bardhi, ka reaguar pas deklaratave të biznesmenit Behgjet Pacolli në lidhje me ndërtimin e Aeroportit të Vlorës, ku sipas tij, ai konfirmon një tjetër aferë korruptive të ministres së Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku.
Bardhi shkruan se Balluku jo vetëm ka paracaktuar fituesin e koncesionit për ndërtimin e aeroportit, por ka përcaktuar edhe nënkontraktorët që do të kryenin punimet për ndërtimin e strukturave të aeroportit.
Kreu i grupit të PD-së ka ndarë një pjesë nga intervista e Pacollit, ku bëhet fjalë për ndërtimin e një hangari me vlerë 21.2 milionë euro, për të cilin siç thotë biznesmeni Pacolli, Belinda Balluku i kishte dhënë fjalën një kompanie italiane.
Deputeti demokrat shton se në takimin ku është diskutuar kjo çështje, i zhvilluar në ambientet e Kryeministrisë, ka qenë i pranishëm edhe vetë kryeministri Edi Rama.
“Në këtë takim të zhvilluar në kryeministri, ka qenë i pranishëm edhe Edi Rama, i cili jo vetëm ishte në dijeni të aferave të zëvëndëses së tij, por edhe i miratonte ato plotësisht”, shkruan Bardhi.
Bardhi i kërkon SPAK që të nisë menjëherë hetimet mbi ndërtimin e Aeroportit të Vlorës dhe dëshmia e biznesmenit Pacolli duhet të shërbejë si provë.
“Pa humbur kohë, SPAK duhet të administrojë këtë intervistë si provë e korrupsionit madhor të Edi Ramës dhe Belinda Ballukut me konçesionin e aeroportit të Vlorës. Dyshja Rama-Balluku duhet të thirren urgjentisht në SPAK dhe të merren në përgjegjësi penale për këtë aferë qindra milionë euro në dëm të Buxhetit të Shtetit dhe ekonomisë shqiptare”, shkruan Bardhi.
REAGIM I KRYETARIT TË GRUPIT PARLAMENTAR TË PD, GAZMENT BARDHI
Intervista e biznesmenit Behgjet Pacolli zbardh një tjetër aferë korruptive të Belinda Ballukut. Përveçse ka paracaktuar fituesin e konçesionit për ndërtimin e aeroportit të Vlorës, Belinda Balluku përcaktonte edhe nënkontraktorët që do të kryenin punimet për ndërtimin e strukturave të aeroportit.
Në këtë episod bëhet fjalë për ndërtimin e një hangari me vlerë 21.2 milionë euro, për të cilin siç thotë biznesmeni Pacolli, Belinda Balluku i kishte dhënë fjalën një kompanie italiane. Në këtë takim të zhvilluar në kryeministri, ka qenë i pranishëm edhe Edi Rama, i cili jo vetëm ishte në dijeni të aferave të zëvëndëses së tij, por edhe i miratonte ato plotësisht.
Pa humbur kohë, SPAK duhet të administrojë këtë intervistë si provë e korrupsionit madhor të Edi Ramës dhe Belinda Ballukut me konçesionin e aeroportit të Vlorës. Dyshja Rama-Balluku duhet të thirren urgjentisht në SPAK dhe të merren në përgjegjësi penale për këtë aferë qindra milionë euro në dëm të Buxhetit të Shtetit dhe ekonomisë shqiptare.
© Panorama.al











