Në vendin tonë, 1 në 9000 veta preken nga tumoret malinje endokrine. Janë rreth 100 pacientë të diagnostikuar me probleme në gjëndrën tiroide dhe sëmundje malinje që presin të marrin trajtimin në qendrën spitalore “Nënë Tereza”. Me vendosjen e aparaturave dhe shtimin e dy dhomave të veçanta të jodizimit, këta pacientë mund të kurohen në QSUT. Sipas mjekëve endokrinologë, trajtimi i ri me jod 131 e provuar do të rrisë jetëgjatësinë e pacientëve. Ministri i Shëndetësisë, Petrit Vasili, ishte dje i pranishëm në inaugurimin e aparaturave për trajtimin e të sëmurëve. Me këtë mënyrë, aparatura gama-kamera bën diagnostikimin dhe trajtimin e këtyre patologjive të rënda pa qenë nevoja për ndërhyrje kirurgjikale. Problemet me gjëndrat tiroide mund të shkaktojnë pasoja kritike edhe në shëndetin mendor të pacientëve.











