Tiranë, Xhuvani “pranon” dosjen e rrahjes së policëve në Burgun 302

Jan 25, 2012 | 12:32
Kostandin Xhuvani

TIRANE – Gjykata e Tiranës hapi dje gjykimin e Kostandin Xhuvanit për akuzën e “goditjes për shkak të detyrës” të një punonjësi policie. Ngjarja për të cilën akuzohet Xhuvani, djali i artistëve Gjergj e Luiza Xhuvani, ka ndodhur në Burgun 302 në Tiranë, teksa ai qëndronte i paraburgosur për akuzën e “vrasjes”. Në seancën e djeshme Xhuvani nuk ishte i pranishëm, por përfaqësohej nga avokati i tij, Ardian Leka. Trupa gjykuese pranoi kërkesën e mbrojtës të Xhuvanit për gjykim të shkurtuar. Kërkesa në fjalë u pranua më parë edhe nga prokurori në proces, sipas të cilit, çështja mund të zgjidhej në gjendjen që janë aktet. Pranimi i gjykimit të shkurtuar do të thotë që në vendimin përfundimtar, Xhuvani do të përfitojë uljen e një të tretës së dënimit nëse deklarohet i fajshëm nga gjykata. Në kërkesën për gjykim, prokurori Erion Pano theksoi se ngjarja për të cilën akuzohet Xhuvani ka ndodhur në muajin korrik të vitit 2011. Sipas përfaqësuesit të akuzës, Xhuvani ka goditur një punonjës policie të Burgut 302, i cili do t’i bënte atij kontroll fizik, kontroll që po e ushtronte te të gjithë të paraburgosurit. “Kur i ka ardhur radha Xhuvanit, ai nuk ka pranuar dhe e ka goditur me grusht gardianin”, u shpreh prokurori. Referuar kërkesës për gjykim, në ndihmë të gardianit kishte shkuar një koleg i tij, por edhe ai ishte goditur me grushte nga Xhuvani. “Gjatë hetimeve, i pandehuri Xhuvani ka mbajtur qëndrim mohues”, u shpreh prokurori. Nga ana e tij, avokati Ardian Leka tha dje se klienti i tij nuk e kishte mohuar ngjarjen. “Klienti im nuk është se e ka mohuar ngjarjen. Ai ka mohuar vetëm dispozitën ligjore të akuzës, për këtë do ta japim shpjegime të mëtejshme”, tha avokati. Në vijim, gjykata ndërpreu seancën dhe e shtyu atë për më 6 shkurt, ku pritet që palët të paraqesin konkluzionet përfundimtare.
Më 14 nëntor 2011, Kostandin Xhuvani u dënua me dy vjet burg nga Gjykata e Tiranës për akuzën e “vrasjes së kryer në kapërcim të kufijve të mbrojtjes së nevojshme”, në dëm të Alfed Musabellit, ngjarje e ndodhur më 12 shkurt 2011. Pas vendimit ndaj tij, një inspektim i Ministrisë së Drejtësisë gjeti një sërë shkeljesh të kryera nga prokuroria në fazën e hetimeve.                                         ar.ba

© Panorama.al

Te lidhura