Një oficer i Policisë së Tiranës u plagos dje me armë zjarri, në tentativë për t’i grabitur rreth 3 milionë lekë të rinj, që ai po i transportonte me një çantë. Ngjarja ndodhi rreth orës 13:30, tek Rruga e Kavajës, pranë kryqëzimit të “21 Dhjetorit”, në kryeqytet. Dy persona që sipas Policisë e kanë ndjekur oficerin gjatë lëvizjes së tij me makinë, e qëlluan të dëmtuarin dy herë me një pistolete me silenciator, në momentin kur ai ka zbritur nga makina. Nga dy të shtënat mësohet se punonjësi i sallës operative të Tiranës është prekur vetëm nga një plumb. Sipas burimeve nga Policia, efektivi Dëfrim Musai, 42 vjeç, ka pësuar një plagë në anën e djathtë të kraharorit dhe sipas mjekëve ndodhet jashtë rrezikut për jetën. Autorët e ngjarjes, sipas burimeve nga grupi hetimor, kanë pasur si qëllim grabitjen e rreth 3 milionë lekëve të rinj, që po transportonte Musai me makinën e tij tip “Benz”, me targë TR 7380 I. Ai kishte marrë çantën me para pranë një pikë karburanti në Unazën e Re dhe i ka transportuar deri te kryqëzimi i “21 Dhjetorit”, ku do ia dorëzonte pronarit të një kompanie private, që i kishte besuar shërbimin. Të dyshuarit nuk kanë arritur ta realizojnë grabitjen, pasi janë frikësuar nga 4 të shtëna në ajër, në momentin kur ata kanë qëlluar policin. Pas makinës së ndaluar të Dëfrim Musait, kishte ndaluar edhe një makinë tjetër, ku ndodheshin disa punonjës të policisë private, që e kanë shoqëruar gjatë transportit të parave efektivin e Policisë. Drejtoria e Policisë së kryeqytetit tha dje se ngjarja nuk kishte të bënte me detyrën e oficerit.
PLAGOSJA
Punonjësi i Policisë së Tiranës, Dëfrim Musai, dje rreth orës 13:30 ka qenë duke transportuar me makinën e tij një shumë prej rreth 3 milionë lekë të rinj, deri tek “21 Dhjetori”. Makina e tij shoqërohej edhe nga një makinë tjetër, ku ndodheshin disa punonjës të policisë private, të punësuar nga pronari i kompanisë, të cilit do i dorëzoheshin paratë. Sipas burimeve, çanta me para është marrë te një zyrë, që ndodhet pranë një pike karburanti në Unazën e Re, ndërsa tek kryqëzimi i “21 Dhjetorit”, Musain e priste pronari i kompanisë, i cili ndodhej në një makinë tip “BMW X5”. Sapo i është afruar makinës së biznesmenit, me iniciale P.A., Dëfrim Musai ka ndaluar makinën prapa makinës së tij, ndërsa pak sekonda më pas ka ndaluar edhe mjeti ku ndodheshin policët privatë. Sipas dëshmitarëve të pyetur nga Policia, një motor në të cilin ndodheshin 2 persona, pa kaska në kokë, i është afruar makinës së Musait dhe sapo ai ka hapur derën dhe ka zbritur nga automjeti, një nga autorët i ka drejtuar armën dhe ka qëlluar dy herë në drejtim të tij. Në këtë moment, policët që ndodheshin në makinën tjetër pas tij, kanë qëlluar në ajër katër herë për të parandaluar grabitjen. Pas të shtënave në ajër, dy të dyshuarit janë larguar me motor.
ETLEVA DELIA











