Tiranë, plumb në kokë 7-vjeçarit

Jan 5, 2012 | 13:25

Festimet në Tiranë gjatë natës së ndërrimit të viteve nuk kanë kaluar pa incidente, të shkaktuara kryesisht nga fishekzjarrët. Megjithatë, rastet më të rënda u shkaktuan nga armët e zjarrit që nuk kanë munguar edhe këtë vit. Tre persona janë plagosur me armë zjarri nga plumbat “qorr” gjatë festimeve, ndërsa mes tyre është edhe një djalë vetëm 7 vjeç. I mituri Orgel Disha, nxënës i klasës së dytë, është plagosur rëndë në oborrin e shtëpisë së tij në Allias. Ai është goditur në kokë nga një plumb qorr, teksa kishte dalë bashkë me familjarët për të parë fishekzjarrët në minutat e para të Vitit të Ri 2012. Po kështu edhe dy persona të tjerë janë plagosur lehtë nga plumbat menjëherë pas ndërrimit të viteve. Policia e kryeqytetit është njoftuar se në urgjencën e Spitalit nr.2, në QSUT, ka shkuar i plagosur me armë zjarri 47-vjeçari Safet Ymeri, me një plumb në shpatull dhe në Spitalin Ushtarak Nevis Ymeri, 31 vjeç, me një plagë arme zjarri në dorë. Të dy këta persona, pasi kanë marrë mjekimin, janë dërguar në shtëpi, jashtë rrezikut për jetën. Ndërsa 7-vjeçari me plagë në kokë i është nënshtruar një ndërhyrjeje kirurgjikale dhe, sipas mjekëve, e ka kaluar rrezikun për jetën. Policia është njoftuar nga personeli i spitalit “Nënë Tereza”, se deri në orën 01:00 të datës 1 janar 2012, kanë shkuar për mjekim, nga plagë të shkaktuara me fishekzjarrë, 7 persona. Sipas burimeve nga Policia, të plagosurit janë: Olgert Pisha, 8 vjeç, Alket Lika, 14 vjeç, Ardian Dalipi, 40 vjeç, Altin Trimi, 37 vjeç, Mikael Papa, 14 vjeç, Neridon Demaj, 39 vjeç dhe Dorina Selenica, 15 vjeçe.
AKSIDENTET
Pavarësisht masave të Policisë Rrugore dhe të rendit në rrugët kryesore në Tiranës, që synonin parandalimin e aksidenteve gjatë natës së ndërrimit të viteve, sërish pati viktima dhe të plagosur nga përplasjet e makinave. Megjithëse me një numër të reduktuar në krahasim me vitin e kaluar, orët e para të vitit 2012 nuk kaluan pa aksidente. Burime nga Policia Rrugore thanë se vetëm gjysmë orë pas ndërrimit të viteve, një aksident me pasojë vdekjen e një kalimtari ndodhi në afërsi të Vorës. Një automjet tip “Benz”, me targë TR 2848 J, e drejtuar nga Armando Sula, 20 vjeç, që qarkullonte nga Fushë-Kruja në drejtim të Vorës, përplasi për vdekje këmbësorin Muharrem Daci, 67 vjeç. Ndërsa gjatë ditëve të para të vitit 2012, rezulton të kenë ndodhur gjithsej 12 aksidente, nga të cilat është plagosur rëndë një person dhe janë plagosur lehtë 14 persona. Gjithashtu kanë ndodhur edhe 49 përplasje automjetesh gjatë ditëve të para të këtij viti, të cilat kanë rezultuar pa pasoja në njerëz, vetëm me dëme materiale. Si shkaktarë të këtyre aksidenteve policia ka arrestuar në flagrancë dy persona, si dhe ka nisur procedim penal në gjendje të lirë në ngarkim të 9 personave të tjerë. Gjithashtu janë shpallur në kërkim edhe 2 drejtues mjetesh, të cilët pasi kanë shkaktuar aksidentet, janë larguar nga vendi i ngjarjes, pa u dhënë ndihmën e parë personave të plagosur.  Policia e kryeqytetit ka pasur një angazhim me forca të shumta në terren gjatë natës së ndërrimit të viteve por edhe gjatë ditëve të festave. Duke nisur nga shërbimet e policisë rrugore dhe më pas me shërbimet e rendit dhe të krimeve, policia e Tiranës ka pasur në terren mbi 1 mijë efektiva për kontrollimin e situatës së rendit. Shërbime të përforcuara kanë kryer strukturat e policisë rrugore për shmangien e aksidenteve.

Alkooli
Mes të plagosurve, veç të aksidentuarve gjatë natës së ndërrimit të viteve, në Spitalin Ushtarak, në pavijonin e Toksikologjisë, nuk kanë munguar edhe urgjencat, ku janë mjekuar kryesisht persona të cilët kanë abuzuar me pijet alkoolike. Sipas stafit mjekësor, gjatë orëve të para të vitit 2012 ka pasur dhjetëra raste urgjencash, ku janë paraqitur nga familjarët persona të dehur, mes të cilëve ka pasur edhe vajza. Ndërsa sipas burimeve, mes rasteve të urgjencave, është shtruar për të marrë mjekim edhe një 28-vjeçar në gjendje të rëndë shëndetësore, i cili kishte marrë mbidozë lëndësh narkotike. Sipas Policisë, E.N. kishte lënë prej disa ditësh qendrën e rehabilitimit dhe, natën e Vitit të Ri kishte përdorur sërish substanca narkotike.

Vetëvrasja
Prej 4 ditësh, një 13-vjeçar nga Shkoza ndodhet i shtruar në reanimacionin e Spitalit Ushtarak, në gjendje të rëndë shëndetësore, pasi u plagos ditën e parë të vitit të ri. Burime nga Policia thanë se Edison Canaj është plagosur aksidentalisht  duke luajtur në oborrin e banesës në Tiranë, pasi një depozitë uji i ka rënë sipër nga tarraca e shtëpisë. Ndërsa më datë 2 janar, një grua është gjetur e mbytur në një prej pishinave pranë Kopshtit Zoologjik, te Liqeni Artificial në Tiranë. Sipas Policisë, viktima është Resmie Këllezi, 52 vjeçe. Nga hetimet paraprake rezulton se e vetëmbytura vuante prej kohësh nga depresioni, i shkaktuar nga gjendja e vështirë ekonomike.

ETLEVA DELIA

© Panorama.al

Te lidhura