Tiranë, në gjyq grupi që falsifikoi 50 mijë euro

Mar 11, 2011 | 12:29

TIRANE – Pesë persona dërgohen në gjyq nga Prokuroria e Tiranës, me akuzën e falsifikimit të 50 mijë eurove. Sipas burimeve nga organi i akuzës, grupi i personave të pandehur akuzohet se ka kryer në bashkëpunim falsifikimin dhe shpërndarjen e një sasie kartëmonedhash euro. Pesë personat kanë rënë në pranga gjatë aksionit të policisë “Graniti 2”, zhvilluar në shtator 2009 pas hetimeve disamujore të zyrës Task Force, pranë Prokurorisë së Tiranës. Burimet nga organi i akuzës kanë pohuar se në përfundim të hetimeve janë dërguar në gjykatë si të pandehur shtetasit: Ndrek Biçuku, 54 vjeç; Shkëlqim Bufi, 40 vjeç; Dashamir Shehi, 40 vjeç; Thanas Xhuxhi 57 vjeç, si dhe Ilir Prifti 56 vjeç. Ndërkaq, mësohet se në këtë dosje nuk është i pandehur shtetasi Edmond Shehi, 31 vjeç, i arrestuar së bashku me personat e tjerë të dyshuar në këtë çështje. Sipas hetimeve të Prokurorisë, kartëmonedhat false vinin në Shqipëri nga Maqedonia dhe më pas shpërndaheshin në treg me anë të një skeme të paligjshme. Kështu, të pandehurit akuzohen se kanë shitur 10 mijë euro false, kundrejt çmimit 2500 euro të pa falsifikuara. Prokuroria theksoi se nga hetimet e saj, të pestë këta persona kanë përfituar 25 për qind të vlerës së kartëmonedhave që falsifikonin. Sipas akuzës, gjatë arrestimit të pesë të dyshuarve, është bërë sekuestrimi i 50 mijë euro kartmonedha të falsifikuara, të prerjeve 100 euro, të cilat ishin të destinuara për t’u hedhur në tregun e brendshëm dhe kryesisht në Tiranë. Arrestimi i tyre është bërë në afërsi të vendit të quajtur Dogana e Tiranës, ndërsa në cilësinë e provës materiale janë sekuestruar disa telefona celularë, që të dyshuarit i përdornin për kryerjen e veprimtarisë kriminale.

© Panorama.al

Te lidhura