Nëse sot nuk do të kishte problemin e likuidimit total nga Tirana, ndoshta sot do të kishte folur me një gjuhë tjetër: labçe ose korçare. Ky është sulmuesi pa kontratë tashmë, Pero Pejiç.Janë këto dy skuadrat që i janë avitur së fundmi gjigandit të sulmit bardheblu për ta bërë të tyrin, si për ndeshjet në kupat e Europës, edhe për sezonin në vazhdim. Por, në një intervistë për “Panorama”, Pejiç zbulon të gjithë problematikën rreth tij, që nga kontrata e përfunduar tashmë dhe deri te dëshira për të hedhur vetveten në një ankand të vërtetë.
Pero, një mbyllje e bukur sezoni me Tiranën duke fituar Kupën dhe duke marrë pjesë në Ligën e Europës, cili është komenti juaj?
Them se ishte një sezon i mirë. Duke menduar se si shkuan gjërat gjatë këtij viti, mendoj se Kupa ishte një trofe që nuk duhet nënvlerësuar, sepse na dha mundësinë për të luajtur në kupat e Europës. Ndërsa personalisht kisha dëshira të shënoja më shumë gola, paçka se dy-tri m’i kanë anuluar pa të drejtë arbitrat.
A do të jetë Pejiç pjesë e Tiranës për Ligën e Europës?
Është një pyetje që nuk mund t’i jap përgjigje në këto momente. Kontrata ime me Tiranën ka përfunduar, ndaj çështja e qëndrimit apo largimit tim nga skuadra nuk varet më nga unë, por nga presidenti i klubit. Gjithsesi, pikë së pari, para se të shkojmë për ndeshjet e Ligës së Europës, duhen mbyllur llogaritë për sezonin që sapo përfundoi.
E keni fjalën për anën financiare?
Po, nuk jam shlyer ende nga drejtuesit e klubit, edhe pse siç ju thashë kontrata me Tiranën më ka përfunduar.
Edhe sa rroga ose cila është shifra që duhet ende të merrni?
Realisht nuk më pëlqen të flas për shifra, pasi është një gjë personale mes meje dhe klubit, por ju siguroj se janë ende dhe shumë para që më duhet të marr nga kontrata e firmosur në fillim të sezonit.
Keni folur me drejtuesit e klubit dhe presidentin Halili, për këtë gjë?
Po, pata rast të flisja me të mbrëmjen që shkoi (të hënën), në festën që bëmë me rastin e fitimit të Kupës dhe më tha që do të më telefononte sot ose nesër për të më likuiduar, kështu që jam në pritje.
Ditët e fundit emri juaj është lakuar si nga Flamurtari dhe nga Skënderbeu, ku do të shkojë Pejiç për sezonin e ri?
Është e vërtetë që kam pasur kontakte dhe oferta nga Vlora e Korça, por realisht nuk kam folur shumë për detaje me drejtuesit e këtyre skuadrave, për arsye se ende nuk kam mbaruar punë me Tiranën dhe në këto kushte nuk mund të flas me një ekip tjetër. Megjithatë, unë po i vlerësoj me qetësi të gjitha ofertat, ndonëse ato që do të vë në krye të listës janë ato që do të më vijnë nga jashtë Shqipërisë. Nëse do të kem ndonjë ofertë të mirë, nuk do të nguroj të largohem nga Superliga shqiptare.
Po në qoftë se ndodh e kundërta, pra të mos keni oferta nga jashtë, ç’do të bëni? Do të ktheheni në Kroaci apo do të mundoheni të firmosni me një skuadër shqiptare?
Nëse nuk do të arrij të largohem në një kampionat tjetër, atëherë do të shikoj dhe vlerësoj ofertën më të mirë që do të më vijë. Në të tilla kushte, do të shoh se cila nga këto skuadra, Vlora, Korça, Dinamo ose Tirana do të më ofrojnë më tepër dhe do të më japin siguri nga ana financiare.
30 mijë
euro duhet ende të marrë sipas informacioneve (jozyrtare) Pero Pejiç nga Tirana. Lojtarit i është paguar pak më shumë se 65 për qind e kontratës së firmosur në gusht të 2010-s.
Leonard Karaj
© Panorama.al











