Skuadrat e mëdha të kampionateve angleze, italiane e spanjolle kishin vetëm pak minuta që kishin mbyllur ndeshjet e radhës të shtunën, kur dy persona kanë grabitur një pikë bastesh në afërsi të Kodrës së Diellit, te “Komuna e Parisit” në Tiranë. Ngjarja ka ndodhur rreth orës 23:40 së të shtunës kur, sipas Policisë, dy persona me maska dhe me armë kanë hyrë në pikën e basteve, e cila njëherësh ka një ambient bari, në të cilin ndiqen ndeshjet sportive live dhe plotësohen skedinat. Rreth 12 persona kanë qenë të pranishëm në pikën e basteve në kohën kur autorët e ngjarjes, nën kërcënimin e armëve, u kanë marrë punonjësve një shumë prej rreth 350 mijë lekësh të rinj. Grabitësit janë kujdesur të mbajnë nën kontroll personelin e pikës së basteve dhe personat e pranishëm, për të mos i krijuar atyre mundësi të njoftonin policinë ndërkohë që po ndodhte ngjarja. Pasi kanë marrë shumën e parave, me armë në duar, dy personat kanë dalë jashtë dhe pa vonuar kanë hipur në një automjet me drita të fikura, pavarësisht orës së vonë. Makina është larguar me shpejtësi nga vendi i ngjarjes dhe, sipas dëshmitarëve, ajo duhet të ketë qenë e ndezur në pritje të daljes së grabitësve nga pika e basteve.
Policia
Rreth mesnatës pronari i pikës së basteve ka mundur të njoftojë policinë në lidhje me ngjarjen. Me anë të një telefonate në sallën operative, pronari i biznesit të dëmtuar nga ngjarja ka vënë në dijeni policinë, e cila është nisur menjëherë drejt vendit të ngjarjes. Pas rrethimit të zonës dhe kufizimit të qarkullimit, policia ka mbledhur provat e dëshmitë në vendin e ngjarjes. Pronari i pikës së basteve ka dëshmuar se nga skedinat e vendosura kishte mbledhur rreth 350 mijë lekë të turnit, të cilat ishin gjendje, në momentin kur personat me armë hynë në lokal. Policia nga ana e saj tha se po verifikon shumën e grabitur, ndërsa janë marrë në pyetje edhe 12 personat që ndodheshin në vendin e ngjarjes. Atyre u janë kërkuar shpjegime për karakteristikat fizike të grabitësve, dialektin dhe elementë të tjerë identifikues të tyre. Sipas të dhënave të mbledhura nga policia, sasia e parave të grabitura ka qenë e madhe, pasi pika e basteve kishte grumbulluar gjithë skedinat e vendosura në ndeshjet e Serisë A, kampionatit spanjoll dhe Premier Ligës angleze. Deri mbrëmë vonë, grabitja e pikës së basteve konsiderohej si një ngjarje pa autor, edhe pse policia ka bërë shoqërime në masë të personave që u gjendën pranë vendit të ngjarjes. tr.so
350 mije
lekë është shuma e parave të grabitura me armë nga pika e basteve pranë “Komunës së Parisit” në Tiranë. Ngjarja ka ndodhur pak çaste para mesnatës të së shtunës
12 persona
kanë qenë të pranishëm në vendin e ngjarjes ku ndodhi grabitja e pikës së basteve. Të gjithë këta persona janë marrë në pyetje si dëshmitarë











