Tiranë, grabitet euro lloto pas finales së Ligës së Kampioneve

May 30, 2011 | 10:36

TIRANE – Tre persona të armatosur dhe me maska, grabitën një lokal lotosh sportive mbrëmjen e së shtunës, në “Unazën e Re” në Tiranë. Ngjarja ndodhi vetëm disa minuta pas përfundimit të ndeshjes finale të Ligës së Kampioneve, në kohën kur lokali ishte gati për t’u mbyllur. Sipas burimeve nga Policia dyshohet se autorët kanë qenë në pritje të boshatisjes së lokalit në mënyrë që të vepronin për grabitjen mesa duket, duke menduar se ishin grumbulluar shuma të konsiderueshme parash. Mirëpo, sipas Policisë, një pjesë e parave të xhiros ditore ishte tërhequr para ngjarjes nga pronarja e llotos, Irena A., ndërsa në arkë kishte mbetur pjesa më e vogël e parave. Të njëjtat burime thanë se autorët kanë arritur të grabisin rreth 100 mijë lekë të reja, pasi kanë rrahur punonjësin e fundit që kishte mbetur në punë, i cili po mbyllte derën e lokalit. Të favorizuar nga errësira, dy prej autorëve kanë nxituar që të futen brenda në lokal, duke e penguar punonjësin që ta mbyllte derën dhe, pasi e kanë goditur me grushte dhe objekte të forta, e kanë detyruar që t’u jepte paratë. Personi i tretë, sipas deklarimeve të të dëmtuarit, ka qëndruar duke pritur bashkëpunëtorët në një makinë të ndaluar jashtë lokalit euro lloto. Pasi kanë vjedhur paratë, rreth 100 mijë lekë të reja, grabitësit e kanë lënë punonjësit të gjakosur brenda në lokal dhe kanë nxituar që të largohen me makinën që i priste shoku i tyre. Menjëherë i dëmtuari ka nxituar të lajmërojë Policinë dhe forcat e Komisariatit Nr. 6 kanë shkuar në vendin e ngjarjes. I plagosuri është dërguar për mjekim në Spitalin Ushtarak, ku edhe i janë marrë deklarimet rreth ngjarjes. Sipas dëshmisë së tij, autorët kanë qenë me maska dhe me pistoletë, prandaj ai nuk ka mundur të rezistojë dhe, as t’i identifikojë. Po ashtu nuk ka mundur të fiksojë as targën e makinës me të cilën janë larguar. Ndërsa mësohet se në momentin e grabitjes, kamerat e sigurisë së lokalit kanë qenë të fikura dhe në këtë mënyrë nuk është regjistruar momenti i ngjarjes, duke e vështirësuar disi punën e Policisë për zbulimin e autorëve.

© Panorama.al

Te lidhura