
Debatet në Komisionin e Ekonomisë për koston dhe cilësinë e punimeve
Zbardhet borxhi komunist, u morën 657 milionë dollarë
Kriza nuk paska vetëm të këqija. Qeverisë shqiptare kjo krizë i ka ulur 110 milionë dollarë koston e rrugës Tiranë-Elbasan, përfshirë segmentet dhe tunelin. Të paktën ky ishte argumentimi që bëri dje zëvendësdrejtori i Drejtorisë së Përgjithshme të Rrugëve, Skënder Çota, para Komisionit të Ekonomisë gjatë diskutimit të marrëveshjes së fondit për zhvillim të Abu Dhabit. Sqarimi i zëvendësdrejtorit Skënder Çota në Komision erdhi pas dyshimeve që ngriti opozita, nëse ulja drastike e kostos nga 407 milionë dollarë në 293 milionë dollarë ishte si efekt i parashikimit të gabuar nga ana e projektuesve të qeverisë. Deputeti Erion Braçe së bashku me Arben Ahmetajn theksuan se në projekte madhore qeveria nuk e ka ulur ndonjëherë koston, por e ka rritur atë me disa herë dhe ngritën dyshime që ulje të tilla mund të prekin cilësinë. “Zoti zv.drejtor, ka tri shifra të ndryshme. Një që ka qenë 407 milionë dollarë, një që e thotë relacioni 340 milionë dollarë dhe një tjetër që na e thatë këtu, 293 milionë dollarë. Dua të kuptoj çfarë ka ndodhur. Natyrisht që për të parën kam një përgjigje, se është bërë një tender”, u shpreh Braçe. Lidhur me këtë, zëvendësdrejtori Skënder Çota u shpreh se sa i përket kostos së rrugës, ajo është 293 milionë dollarë, duke përfshirë edhe 10 për qind kontingjencë. “Me këtë vlerë 293 milionë dollarë, 85 milionë dollarë është kostoja e tunelit, i cili është 2.5 km dy tuba. Kostoja e rrugës është 210 milionë dollarë për 25 kilometra. Ne vëmë re që kriza në tregun në rajon ka ndikuar që kompanitë të kenë një interes shumë të madh për punë dhe të ulin ofertat e tyre”, u shpreh Çota. Ai sqaroi se punimet në rrugën Tiranë-Elbasan po ecin sipas afateve të kontratës dhe se shumë shpejt, brenda muajit shkurt, do të lidhen edhe kontratat për kontraktorët që do të vijojnë punët në dy segmentet e tjera të rrugës. “Vlera e kontratave për segmentin e parë 13 kilometra është 83 milionë dollarë, kurse vlera për segmentin e dytë është 85.3 milionë dollarë për 11.7 kilometra dhe afati kontraktual 490 ditë”, tha ai.
Borxhi
Po dje, në Komisionin e Ekonomisë u diskutua edhe lidhur me shlyerjen e borxhit që Shqipëria duhet t’i bëjë Sllovenisë, një borxh ky i mbartur që në kohën e komunizmit. Drejtori i Drejtorisë së Borxhit pranë Ministrisë së Financave, Xhentil Demiraj, u shpreh se borxhi kap vlerën 3.8 milionë dollarë dhe do të shlyhet brenda dy viteve me katër këste, çdo gjashtë muaj. Lidhur me interesin e kryetarit të Komisionit të Ekonomisë, Edmond Spaho, Demiraj dha edhe shifra të sakta mbi mënyrën se si ka ecur shlyerja e borxheve të periudhës së komunizmit me vendet respektive. “Borxhi total i trashëguar nga komunizmi është 657 milionë dollarë. Pjesa më e madhe e këtij borxhi na është falur gjatë dy forumeve që janë zhvilluar në vitit 1993-1995. Ne kemi trashëguar mbas riskedulimeve dhe faljeve të bëra nga këto dy forume rreth 230 milionë dollarë borxh. Nga këto, deri tani janë shlyer 170 milionë. Kemi rreth 80 milionë dollarë që nuk janë shlyer. Besoj afati më i gjatë që do shlyhet ky borxh, i takon Rusisë, pasi marrëveshja mbaron diku nga viti 2015”, tha Demiraj.
Marreveshja
Marrëveshja me fondin e Abu Dhabit për zhvillim është nënshkruar nga Ministria e Financave dhe ka një vlerë totale prej 183 milionë e 650 mijë dollarë emiratë, që konvertuar në dollarë amerikanë, janë 50 milionë dollarë. Kjo marrëveshje është pjesë e paketës financiare të projektit të rrugës Tiranë-Elbasan. Kredia është strukturuar me shlyerje principal dhe interes për 15 vite, me 3 vjet interes fiks 4.5 për qind.
Debatet në komision
Xhentil Demiraj: Marrëveshja me fondin e Abu Dhabit për zhvillim është nënshkruar thuajse para një muaji e gjysmë nga Ministria e Financave dhe ka një vlerë 50 milionë dollarë. Vlera e tanishme e projektit Tiranë-Elbasan konsiderohet rreth 290 milionë dollarë. Është filluar me një kredi me Fondin Islamik për Zhvillim, me 222 milionë dollarë. Kjo është kredia e dytë prej 50 milionë dollarësh, që është duke u bërë efektive. Jemi në pritje të firmosjes së një fondi prej 20.4 milionë dollarësh me fondin e OPEC dhe kjo e përmbyll paketën e financimit.
Mimi Kodheli: Nëse nuk ju kam kuptuar gabim, 293 milionë dollarë bëjnë 27 kilometra rrugë. Pra, 10.7 milionë dollarë kilometri.
Skënder Çota: Kostoja e rrugës është 210 milionë dollarë për 25 kilometra. Kuptohet, sepse rruga është në terren shumë të vështirë, sidomos katër kilometra në hyrje të tunelit dhe në dalje të tunelit. Kjo sjell një rritje të kostos së rrugës, por nuk është se kostoja e rrugës është e shtrenjtë.
Erion Braçe: Për sa kohë që vlera ulet në më shumë se 110 milionë, kanë projektuar gabim projektuesit apo ka ndonjë anomali tek ofertuesit, se të ndryshojë vlera me gati 1 të katërtën me gati 25 për qind, kur kjo s’ka ndodhur në asnjë projekt tjetër madhor, madje në projekte të tjera madhore kemi rritje të vlerës me dy herë. Çfarë ka ndodhur në këtë rast?
Skënder Çota: Sa i përket pyetjes ka projektit gabim apo është gabim oferta, mendoj që projekti nuk ka gabim, por ofertat janë të tilla, pasi tregu është shumë agresiv.
Arben Ahemtaj: Ky projekt i ndarë në koston e tunelit dhe në koston e ndërtimit të rrugës është i krahasuar me projekte të ngjashme në Shqipëri dhe si variojnë kostot, kosto e tunelit të Elbasanit me koston e tunelit të Thirrës. Kostoja e rrugës këtu dhe kostoja në rrugën Durrës-Kukës. Në këtë rast kemi ulje të fitimit të kompanisë apo të kostos së punës?
Skënder Çota: Është ulur kostoja totale e rrugës. Nuk e di kush e fiton atë, ne e fitojmë si shtet. Unë punoj për qeverinë shqiptare nuk di çfarë fitimi ka kompania.
Edmond Spaho: Ju kundërshtoni që është ulur kostoja e rrugës, që ka shkuar nga 400 e ca në 293 milionë euro. Zotëria nuk flet në emër të kompanisë, por të autoritetit.
Gjokë Uldedaj: Do të mbarojë ky aks në kuadër të 100-vjetorit, siç është premtuar nga qeveria.
Skënder Çota: Kompania është shumë e mobilizuar. Punimet kanë avancuar në gërmimin e galerisë 41 për qind të gjatësisë së tunelit dhe përafërsisht ecet me 0.5-1 për qind në ditë. Në muajin qershor parashikohet të fillojë betonimi i tunelit dhe ne mendojmë të mbyllim këtë vepër brenda afatit kontraktual.
NERTILA MAHO
© Panorama.al











