TIRANE – Dy persona u arrestuan dhe një tjetër ndiqet penalisht në gjendje të lirë, pasi gjatë një aksioni të Antidrogës së Tiranës u kapën me 70 gramë lëndë narkotike të llojit heroinë dhe kokainë. Burime zyrtare nga Policia thanë se janë arrestuar: Mariglen Abedini, 26 vjeç, që dyshohet se merrej me shitje të lëndëve narkotike dhe kushëriri i tij, Igli Xhuveli, 40 vjeç, bashkëpunëtor i tij, ndërsa ka nisur hetimi në gjendje të lirë ndaj 37-vjeçarit me iniciale G. H., i cili është blerësi, i arrestuar i pari gjatë aksionit të Antidrogës. Ky i fundit e ka çuar policinë drejt arrestimit të dy personave të tjerë që merreshin me shitje kokaine e heroine në zonën e ish-Bllokut. Policia ka zbuluar adresën e shtëpisë së Mariglen Abedinit, si dhe të dhënat për personat që ndodheshin brenda. Nga hetimet është zbuluar se nëna e Abedinin ishte në dijeni të aktivitetit të të birit dhe ishte porositur nga ky i fundit që të mos e hapte derën pa pyetur mirë se kush trokiste. Për këtë arsye, policia ka përdorur dy vajza të reja, të cilat kanë shkuar te shtëpia e të dyshuarit me dosje në duar, duke u prezantuar si punonjëse të regjistrimit të popullsisë. Sapo nëna e Mariglenit ka hapur derën, brenda janë futur oficerët e policisë, të cilët kanë kapur në flagrancë dy kushërinjtë dhe kanë gjetur lëndën narkotike sipër tavolinës, bashkë me një peshore elektrike. Burimet sqaruan se u sekuestrua rreth 40 gramë heroinë dhe 30 gramë kokainë.











