
TIRANE – Makina tip “Land Rover”, në pronësi të deputetit të LSI-së, Vangjel Tavo, njëkohësisht edhe nënkryetar i Parlamentit, është përfshirë nga flakët dy ditë më parë, duke u djegur plotësisht. Ngjarja ka ndodhur në orët e para të mëngjesit të së dielës, në rrugën “Qemal Stafa”, pranë Prokurorisë së Përgjithshme në Tiranë. Burime nga Policia thanë se ka qenë vetë deputeti i Gjirokastrës që ka lajmëruar në sallën operative të Policisë së kryeqytetit dhe drejt vendit të ngjarjes janë nisur menjëherë forcat zjarrfikëse dhe efektiva të Komisariatit Nr. 4. Në kohën kur ka ndodhur ngjarja, fuoristrada e nënkryetarit të Kuvendit ka qenë e parkuar në anë të trotuarit, poshtë një pallati 17-katësh dhe djegia e makinës është konstatuar rreth orës 07:00 të mëngjesit. Nga këqyrja paraprake e mjetit të djegur, grupi hetimor dyshoi për një ngjarje aksidentale, të ndodhur për shkak të ndonjë shkëndije elektrike. Edhe vetë deputeti Vangjel Tavo ka qenë dakord me versionin e grupit hetimor për një shkëndijë të mundshme elektrike, pasi gjatë deklarimeve nuk ka dëshmuar se ka konflikt me ndonjë person dhe ngjarja aksidentale ishte e vetmja që mund të shpjegonte zjarrin në makinën e tij. Ndërkohë, hetimet për ngjarjen nuk janë mbyllur me kaq. Për verifikimin e mjetit të djegur janë thirrur edhe ekspertë të Antiterrorit të Tiranës, për të parë nëse policia është përballë një incidenti, apo një zjarrvënieje të qëllimshme. Burimet sqaruan se po hetohet në dy drejtime dhe nuk përjashtohet mundësia e ndonjë zjarrvënieje të qëllimshme që mund të shkaktuar me eksploziv, apo me benzinë. Makina është sekuestruar për t’u kryer ekzaminimet e nevojshme në mënyrë që të saktësohet shkaku i vërtetë i zjarrit që shkrumboi makinën e deputetit të LSI-së, Vangjel Tavo.











