
Drejtoria e Policisë së Tiranës zhvilloi dje analizën e punës për vitin 2011, ku u bë bilanci i performancës së policisë sa i përket luftës ndaj kriminalitetit, zbulueshmërisë së veprave penale, dhe u vendosen prioritetet për vitin e ardhshëm. Nisur nga statistikat që u bënë publike nga drejtori i Policisë së Tiranës, Sajmir Muçaj, kreu i Policisë së Shtetit, Hysni Burgaj, veç përgëzimeve për suksesin e këtij viti, paraqiti edhe disa vërejtje në drejtim të hetimit të krimeve, performancës së Policisë Rrugore dhe Sektorit të Dhunës në Familje. Duke iu referuar shifrave të përmendura nga Muçaj, ku u raportuan 20 mijë telefonata të qytetarëve në sallën operative, Burgaj u shpreh se është e patolerueshme që janë marrë në konsideratë më pak se 50 për qind e tyre, duke u regjistruar si ngjarje kriminale. “Ju deklaroni që gjatë këtij viti ka pasur 20 mijë telefonata në sallën operative, që pa diskutim interpretohet si rritje e besimit të qytetarëve te policia. Por rezulton që ju keni evidentuar si ngjarje rreth 6 mijë. Pra më shumë se 50 për qind e telefonatat, rreth 14 mijë, nuk janë marrë në konsideratë, ose nuk u është dhënë rëndësia e duhur. Kjo nuk duhet të ndodhë”, deklaroi Hysni Burgaj. Nga ana tjetër, Burgaj mbajti qëndrimin e tij edhe në drejtim të dhunës në familje, që sipas tij ka shënuar rritje. Për këtë arsye ai iu drejtua punonjësve të Policisë së Tiranës që të marrin masa për zgjidhjen e konflikteve në familje që në embrion, në mënyrë që të parandalohen edhe krimet. Problem tjetër, sipas Burgajt, është edhe qëndrimi i Policisë Rrugore e i Patrullës së Përgjithshme në komunikimin me drejtuesit e mjeteve. Etika e komunikimit të policisë me qytetarët duhet të jetë parësore sipas kryepolicit.
ANALIZA
Gjatë prezantimit të punës njëvjeçare të institucionit që drejton, drejtori i Policisë së Tiranës, Saimir Muçaj, u shpreh se në fokus të veprimtarisë së Policisë, kanë qenë zbatimi i prioriteteve dhe objektivave të përcaktuara në fushën kundër narkotikëve. Muçaj tha se është punuar për zbatimin e objektivave kundër trafiqeve të paligjshme, korrupsionit, krimeve ndaj pronës, parandalimit të aksidenteve rrugore dhe rritjes së besueshmërisë së publikut te policia, të cilat janë realizuar dhe në disa raste janë tejkaluar. “Në territorin e qarkut Tiranë, është marrë dijeni dhe janë referuar 6236 vepra penale (17 krime në ditë), nga të cilat janë zbuluar 5227 prej tyre, ose 83.8 për qind. Në krahasim me vitin 2010, kemi një rritje të evidentimit me 1274 vepra penale, dhe njëkohësisht rritje të fuqisë zbuluese me 2.8 për qind. Në këtë veprimtari janë përfshirë gjithsej 5686 autorë, prej të cilëve, 1270 janë arrestuar dhe 4416 janë ndjekur në gjendje të lirë. Evidentojmë faktin se gjatë këtij viti janë kapur 345 persona të shpallur në kërkim, ose 68 më shumë në krahasim me vitin 2010”, u shpreh Muçaj. Gjatë prezantimit të analizës, drejtori i Policisë së Tiranës deklaroi gjithashtu se janë evidentuar gjithsej 290 vepra penale të hetuara nga Krimet e Rënda. Nga të cilat janë zbuluar 212 ose 73.1 për qind, ku janë proceduar gjithsej 279 autorë, nga të cilët, 176 arrestuar e ndaluar, 56 të proceduar në gjendje të lirë dhe 47 të shpallur në kërkim.
“Krijoni Task-Force kundër vjedhjeve”
Zv.prokurori: Transferimet e OPGJ-ve po na dëmtojnë hetimet
TIRANE – I pranishëm në zhvillimin e analizës vjetore të Policisë së Tiranës ka qenë edhe zv.prokurori i rrethit, Genci Qano. Ai ka përgëzuar forcat e Policisë në drejtim të rritjes së zbulueshmërisë së krimeve, por veç përgëzimeve, Qano gjatë fjalës së tij ngriti edhe dy probleme kryesore që i konsideron shqetësuese. “Duke përfituar nga rasti, pasi i pranishëm është edhe drejtori i Përgjithshëm i Policisë, Hysni Burgaj, dua të ngre dy shqetësime në lidhje me transferimet e shpeshta në detyrë të oficerëve të Policisë Gjyqësore. Pa ndërhyrë në strukturat e Policisë, mendoj se transferimet e shpeshta në shumë raste kanë sjellë vështirësi në cilësinë e hetimit, herë-herë edhe duke prishur një punë të ndërtuar nga përgjegjësi paraardhës i hetimit. Propozoj që të paktën në strukturat e hetimit të eliminohen nga përfshirja në veprime të tjera”, deklaroi Qano. Nga ana tjetër, nisur nga statistikat e prezantuara gjatë analizës për vjedhjet e makinave, ku rezultoi që nga 358 raste vjedhjesh, janë zbuluar vetëm 75 të tilla, Genci Qano propozoi krijimin e një Task-Force kundër vjedhjeve të automjeteve, që mund të rezultojë efektive në këtë drejtim.
Burgaj: Policia Rrugore të mësojë të sillet me qytetarët
Gjatë fjalës në analizën e Policisë së Tiranës, drejtori i Përgjithshëm i Policisë, Hysni Burgaj, kërkoj një angazhim maksimal nga ana e Policisë Rrugore dhe Patrullës së Përgjithshme e komunikim efektiv me drejtuesit e mjeteve. “Duhet cilësi shërbimi e bashkëpunim me strukturat e tjera. Kemi defekte për të korrigjuar brenda strukturave të Policisë, duhet të rrisim autoritetin e policisë në komunitet. Qarkullimit Rrugor në Tiranë i duhet një angazhim maksimal dhe sidomos me ndryshimet e fundit në Kodin Rrugor. Në shumicën e rasteve drejtuesit e automjeteve ndëshkohen vetëm për kundërshtim të punonjësit të Policisë. Duhet shmangur kjo përplasje. Punonjësi i Policisë, qoftë Rrugores, qoftë i Patrullës duhet të ketë pikë së pari etikën e komunikimit”, u shpreh Burgaj. Nga ana tjetër, ai kërkoi që veç rezultateve të shkëlqyera kundër Krimit të Organizuar, Policia të shkatërrojë të ardhurat e krimit, të konfiskojë asetet e tyre kriminale. Gjithashtu kërkoi një punë më serioze kundër korrupsionit.
Krimininaliteti
20 mijë telefonata në sallën operative
358 makina të vjedhura, janë zbuluar vetëm 75
248 aksidente, ose 35 aksidente më pak se në 2010, me 17 persona të vdekur e 22 të plagosur rëndë
6236 vepra penale të ndodhura, zbuluar 5227 ose 83.8 % e tyre
1274 vepra penale më shumë të evidentuara, rritje e fuqisë zbuluese me 2.8 %
1270 persona të arrestuar dhe 4416 të ndjekur në gjendje të lirë
345 persona të shpallur në kërkim janë arrestuar, ose 68 më shumë se në vitin 2010
290 krime të rënda dhe zbuluar 212 ose 73.1 % e tyre
65 krime të rënda më shumë, fuqia zbuluese është rritur me 2 %
ETLEVA DELIA
© Panorama.al











