Tiranë, 9 persona të arrestuar për vjedhje brenda 24 orëve

May 27, 2011 | 10:44

TIRANE – Nëntë persona të akuzuar për vjedhje u arrestuan gjatë 24 orëve të fundit nga Policia e Tiranës. Komisariati i Policisë Nr. 3 Tiranë, ka bërë arrestimin në flagrancë të Dashamir Tereziut, pasi ai dyshohet se në orën 11:15, në rrugën “4 Shkurti”, i ka vjedhur telefonin e markës “Nokia” një shtetaseje. I njëjti komisariat ka vënë në pranga edhe dy shtetas me iniciale K. K., 16 vjeç dhe D. Sh., 15 vjeç, të cilët akuzohen se më 25 maj, rreth orës 19:40, në rrugën “Sami Frashëri”, në një lokal, kanë vjedhur një telefon celular të një shtetasi. Ndërkohë, nga Komisariati Nr. 4 Tiranë u bë arrestimi në flagrancë i Ilir Vatës, 36 vjeç, i dënuar më parë për vjedhje. Ai ra në pranga pasi rreth orës 13:00, në bashkëpunim me dy persona, në autobusin e linjës së Unazës i ka vjedhur telefonin celular një shtetasi. I njëjti komisariat ka vënë në pranga personin në kërkim Klajdi Kurti, 21 vjeç, i dënuar me 4 muaj për vjedhje. Komisariati i Kavajës ka vënë në pranga Xhemal Berberin, 53 vjeç dhe Skënder Sokolin, 59 vjeç, pasi kanë vjedhur në kompleksin turistik “Xixa” disa pajisje elektroshtëpiake. Në Kavajë, policia ka arrestuar edhe Elian Fesatin, 23 vjeç dhe Orges Dautin, 26 vjeç, pasi ata kanë vjedhur një sallë lojërash fati.

© Panorama.al

Te lidhura