Tirana-Vllaznia, fitoret nuk bindin, finalja ende larg

Mar 17, 2011 | 10:36

Vllaznia dhe Tirana kanë fituar ndeshjet e para gjysmëfianle të Kupës së Shqipërisë, ndaj kundërshtarëve të tyre respektivë, Dinamo dhe Besa, por kualifikimi mbetet ende larg.Një gol i argjentinasit Nestor Martinena, dy minuta përpara përfundimit, i mban gjallë shpresat e Dinamos për një vend në finale, ashtu sikundër edhe shterpësia totale e sulmit bardheblu bën të këtë më shumë besim edhe Besa e Gert Haxhiut. Goli i vetëm i shënuar në kryeqytet ishte autogoli i pafat i kapitenit Bledar Mancaku. Edhe një herë Tirana tregoi se vuan shumë në lojën sulmuese, paçka se ndaj kavajasve trajneri Misho Kërstiçeviç hodhi në fushë nga minuta e parë Pero Pejiç, Bekim Balën, Gilman Likën dhe Jahmir Hykën. Hiq dy-tri gjuajtje të Hykës dhe një e shkodranit Lika, asgjë nuk mund të thuhet për dyshen sulmuese Pejiç-Bala, të cilët sërish nuk arritën që të zhbllokoheshin. Tjetër gjë në Shkodër, ku Vllaznia zhvilloi një lojë më të pëlqyeshme, duke ushtruar presion të vazhdueshëm mbi kundërshtarin. Në minutën e parë shtesë së pjesës së parë, Dritan Smajli depërtoi drejt zonës së Dinamos, fitoi dyluftimin me Xhafën, harkoi për Ilir Nallbanin, dhe mesfushori kosovar nuk fali duke shënuar golin e parë. Në pjesën e dytë, sulmuesi i talentuar Xhevair Sukaj dyfishoi shifrat në minutën e 59-të, duke i krijuar një avantazh prej dy golash. Kur pritej që Vllaznia të shënonte edhe golin e tretë (rastet e humbura ishin të shumta), një kundërsulm befasues i dinamovitëve solli golin e shpresës, shënuar nga Martinena. Edhe në fitoren 4-0 të Dinamos në fazën e parë, argjentinasi shënoi tre gola kundër Vllaznisë. Kujtojmë se ndeshjet e kthimit do të zhvillohen pas dy javësh, më 6 prill, nga ku do të përcaktohen edhe dy finalistët e edicionit të 59-të të Kupës së Shqipërisë.

Tirana-Besa 1-0

Shënues: Mancaku 15′ (autg)

Kartonë të verdhë: Karabeci, Dushku/ Sefa

Gjyqtarë: Bardhyl Pashaj/ E.Doda dhe G.Qirici

Tirana: I.Lika, Sina, A.Lila, Dushku, Osmani, G.Lika (Zizoviç 81′), Karabeci, Hyka, S.Lilaj, Bala (Morina 71′), Pejiç.
Trajner: Misho Kërstiçeviç.

Besa: Kotorri, Hoxha, Jakupi, Lazarevski, Shameti, Mancaku, Shtini, Do Santos, Djamarti, Nora (Duka 60′), F.Sefa (Dedej 87′). Trajner: Gert Haxhiu

Vllaznia-Dinamo 2-1

Shënues: Nallbani 45′, Sukaj 58’/ Martinena 87′

Karton të verdhë: Belisha/ Malakarne, Miloviç, Malota

Gjyqtarë: Albano Janku/ D.Rexha dhe E.Barushi

Vllaznia: Vujadinoviç, Smajli, Rajoviç, Sykaj, Jasiç, Nallbani, Belisha (Hodo 73′), Abraham (Hasani 62′), Gocaj, Vajushi, Sukaj (Sinani 86′). Trajner: Mirel Josa

Dinamo: Hoxha, Malakarne, Pisha, Miloviç, Xhafa (Malota 53′), Allmuça, Orelesi, Ferraj (Bërkiç 68′), Opuku, Martinena. Trajner: Artan Mërgjyshi

 

LEONARD KARAJ

© Panorama.al

Te lidhura