Tirana: Vetëvendosja, si serbët

Jan 13, 2012 | 12:17

Ministri i Jashtëm, Edmond Haxhinasti

Reagimi i Ministrisë së Jashtme: Krijojnë destabilitet.

“Aksioni i Vetëvendosjes për bllokimin e kufijve, asgjë të përbashkët me patriotizmin”

Shqipëria e ka dënuar aksionin që do të ndërmarrë të shtunën Lëvizja Vetëvendosje në kufirin me Serbinë, duke e cilësuar atë si imitim të politikave ekstremiste serbe. Deklarata erdhi nga Ministria e Jashtme e Shqipërisë, e cila dënoi “thirrjet ekstremiste të disa shqiptarëve në Kosovë dhe në Shqipëri, për bllokimin e pikave kufitare me Serbinë”. Në reagimin e Ministrisë së Jashtme shqiptare për aksionin e Vetëvendosjes, e cila ftoi edhe shqiptarët nga Shqipëria të bashkohen në protestën e tyre, me ndihmën e Aleancës Kuq e Zi, thuhej se “veprime të tilla, si imitim i politikave ekstremiste serbe, nuk kanë asgjë të përbashkët me sakrificat dhe përpjekjet konstruktive mbarëshqiptare për ndërtimin e shtetit demokratik të Kosovës dhe të një shoqërie multietnike, të një shteti që ndërton dhe zhvillon marrëdhënie të mira me fqinjët, në shërbim të paqes e stabilitetit në Kosovë e rajon”. Duke u bazuar në vlerësimin e Kryeministrit Thaçi, se patriotizmi nuk tregohet në rrugë. Ministria shqiptare vlerësoi se “përdorimi i retorikës nacionaliste e pseudo-patriotike, në funksion të axhendave politike partiake, nuk i shërben aspak objektivave madhore të shqiptarëve për integrimin e secilit nga shtetet ku ata jetojnë në trojet e tyre, në Bashkimin Europian, dhe nuk ndihmojnë në njohjet e reja për shtetin e ri të Kosovës”. Në fund të kësaj kumtese, MPJ thekson se “shprehim besimin se energjitë e këtyre forcave politike duhet të fokusohen në procesin e reformave të brendshme, që çojnë në konsolidimin e shtetit demokratik të Kosovës, të integrimit të gjithë komuniteteve, dhe të marrëdhënieve të hapura bazuar në respektin reciprok midis shteteve të pavarura e sovrane”.

Hoxhaj në Tiranë
Ministri i Punëve të Jashtme i Republikës së Kosovës, Enver Hoxhaj, mbërriti në Tiranë me ftesë të homologut të Shqipërisë, Edmond Haxhinasto. Ai do të zhvillojë takime me Presidentin Topi, Kryeministrin Berisha, kryetaren e Parlamentit, Topalli, ministrin e Jashtëm, Haxhinasto, si dhe me përfaqësues të tjerë të jetës politike dhe akademike në Shqipëri. Ai do të diskutojë për format konkrete të thellimit të marrëdhënieve bilaterale në të gjitha fushat në avancimin e axhendës integruese europiane të të dyja vendeve.

© Panorama.al

Te lidhura