Tirana, rrogat vijnë nga buxheti

Dec 28, 2011 | 14:18

Futbollistët e Tiranës duhet të presin miratimin e buxhetit të Bashkisë për vitin 2012. Të paktën kjo është vendosur në mbledhjen e mbrëmshme të bordit drejtues të klubit bardheblu. Sipas informacioneve, është rënë dakord që zgjidhja e ngërçit financiar të marrë udhë përfundimisht me miratimin e buxhetit të Bashkisë për vitin 2012. Në debat e sipër është thënë nga administratori Tagani se më së pari duhet që Bashkia të miratojë buxhetin dhe vetëm atëherë do t’i jepet fund problematikës. Sakaq, një gjë e tillë nuk është pranuar totalisht nga anëtarët e tjerë të bordit. Në mbledhje është thënë se, nëse lojtarët nuk do të paguhen, me gjasa një pjesë e mirë e tyre do të largohen në merkaton e janarit në skuadra të tjera. Më pas, administratori Tagani ka pohuar se kjo do ishte zgjidhja më e mirë dhe se një gjë të tillë do ta komunikonte ditën e sotme në një komunikatë për shtyp. Që pas kalimit në shoqëri aksionere, te Tirana nisën problemet financiare. Duke qenë se Bashkia nuk ka miratuar buxhet që prej dy vitesh, sot ky institucion e ka të pamundur që të nxjerrë parà nga arka për të paguar lojtarët e Tiranës. Me miratimin e buxhetit mund të zgjidhet problemi financiar, por duhet thënë se edhe në këtë rast Bashkia mund të futet në një tjetër problem, akoma edhe më të madh- ligjor. Meqenëse klubi është sh.a, lojtarët nuk mund të paguhen sikur të ishin nëpunës të Bashkisë. Ca më keq kur bëhet fjalë për rroga mbi 3 mijë euro e më shumë. Ndërkohë koncepti “shoqëri aksionere” ka të bëjë me vetëmenaxhimin, pra klubi duhet të funksionojë si një kompani private, duke u shkëputur totalisht nga koncepti “ndërmarrje shtetërore” (në rastin konkret e Bashkisë), sikundër konceptohej deri para pak kohësh.

Apolonia / Lojtarët presin rrogat, por i vihen gjoba
Apolonia është futur në një tjetër krizë, e cila ka ardhur nga drejtuesit e saj më të lartë. Në një kohë kur festat e fundvitit janë në prag dhe të gjithë futbollistët e stafi prisnin të merrnin rrogat, ata janë njohur me një masë absurde nga krerët e klubit. Dhe e gjitha kjo, si rezultat i një gjobe prej 10 milionë lekësh të vjetër. Edhe kësaj here motivacioni ka të bëjë me humbjet që ka pësuar Apolonia në fushën e saj gjatë javëve të fundit të fazës së parë. Duke parë gjendjen e krijuar, trajneri Stavri Nica është shprehur se do ta rishikojë vendimin e tij për të qëndruar gjatë fazës së dytë në krye të pankinës.

© Panorama.al

Te lidhura