Ethet e garës për Tiranën do të rikthehen sërish sot paradite në KQZ, pasi do të nisë shqyrtimi i kërkesave të PD e PS.Socialistët kanë dy kërkesa ankimore, ku kërkojnë shfuqizimin e vendimit të KQZ-së që bëri kandidatin Lulzim Basha të fitojë. Por nga ana tjetër, Partia Demokratike kërkon vlerësimin edhe të 403 votave të tjera që ndodhen në 26 kuti të tjera. Kjo kërkesë pritet të rihapë një debat të ri në KQZ, pasi bëhet fjalë për fletë që kanë pasur shenja dalluese, por që nuk kanë dhënë rezultat, duke i cilësuar si të pavlefshme. Nëse vendoset që këto kuti të hapen, atëherë rezultati i Bashës prej 81 votash para mund të përmbyset nisur nga numri i votave.
Kërkesa e PD
Sipas kërkesës së demokratëve, duhet të vlerësohen edhe 403 vota në kutitë e votimit, të cilat duhet të japin rezultat. Sipas kërkesës, bëhet e ditur për se nga 26 qendra për të cilat kërkohet të hapen kutitë, vetëm një pjesë e tyre kanë shënime specifike për fletët e kontestuara. Kështu, mësohet se një pjesë e fletëve të votimit të kontestuara, pavarësisht se në favor të kujt kanë shkuar, janë vlerësuar si të tilla, për shkak se kryqi ose plusi përbri emrit të kandidatit ka dalë pak jashtë kuadratit të përcaktuar. Një tjetër rast i evidentuar në librin e protokollit të mbledhjeve nga anëtarët e grupeve të numërimit dhe anëtarët e komisioneve zonale të administrimit të zgjedhjeve, është kur në kuadratin përbri emrit të kandidatit në vend që të shënoheshin dy shenjat e përcaktuara në Kodin Zgjedhor, është shënuara fjala “Po”. Burimet bëjnë të ditur gjithashtu se ka pasur raste për fletë votimi të kontestuara ku nuk janë shënuar shenjat x ose +, por një vizë në të gjithë kuadratin. Nga 403 fletë votimi që kërkojnë demokratët të rivlerësohen dhe rinumërohen, 2 prej tyre janë në Njësinë Bashkiake Nr. 3, 73 fletë votimi në Njësinë Bashkiake Nr. 5, 190 fletë në Njësinë Nr. 8 dhe 138 fletë në Njësinë Bashkiake Nr. 9. Në kërkesën e PD-së thuhet se, “aktualisht ne vlerësojmë se në këtë fazë është me vend dhe me rëndësi për t’i shtuar legjitimitetin dhe besimin e duhur publik procesit zgjedhor në Tiranë, që edhe këto vota të kontestuara dhe të identifikuara për kandidatët e Bashkisë së Tiranës të merren, këqyren, të vlerësohen, rinumërohen dhe të reflektohen në rezultat për kryetarin e Bashkisë së Tiranës. Kjo mundësi është tërësisht ligjore, e mbështetur në dispozitat e Kodit Zgjedhor dhe në jurisprudencën e zhvilluar nga ana e Kolegjit Zgjedhor, si dhe unifikon në mënyrë të njëtrajtshme me vlerësimin e votave në përputhje me kriteret e përcaktuara nga Kodi Zgjedhor”.
Kërkesat e PS
Socialistët kanë dy kërkesa ankimore në KQZ që nisin me Njësinë Nr. 5 dhe me rezultatin përfundimtar në Bashkinë e Tiranës. Ankesat për rezultatin e Bashkisë së Tiranës ka të bëjë me kundërshtimin e vendimit 711 të KQZ-së, për nxjerrjen e rezultatit të votimit për kryetar të Bashkisë së Tiranës. PS kërkon pavlefshmëri të vendimeve të marra nga KQZ për ndryshimin e tabelave të rezultateve të QV-ve të ZAZ-ve për të gjithë këtë njësi vendore. Nisur nga objekti, socialistët kërkojnë pavlefshmërinë e veprimit të KQZ-së për të numëruar votat e gjendura në kutitë e gabuara. Pas këtyre veprimeve, socialistët i kërkojnë KQZ-së që të miratojë tabelën e re përmbledhëse të rezultatit për të gjithë Bashkinë e Tiranës, duke u bazuar në të dhënat e ardhura nga çdo KZAZ dhe duke shpallur Edi Ramën fitues të zgjedhjeve për Tiranën. Kërkesa e parë e socialistëve ka si objekt të sajën kundërshtimin e vendimit numër 710 të datës 23 maj, për miratimin e tabelës përmbledhëse të rezultateve për Njësinë Bashkiake numër 5 në Tiranë. Socialistët sërish nuk pranojnë ta njohin rolin që luajti KQZ gjatë fazës së shqyrtimit të votave të gjendura në kutitë e gabuara dhe miratimin e tabelës së rezultateve si një KZAZ e madhe për gjithë Bashkinë e Tiranës. Në këtë kërkesë, PS kërkon pavlefshmërinë e vendimeve të marra nga ky institucion për ndryshimin e tabelave të rezultateve të QV-ve të ZAZ numër 49. Pas këtij veprimi socialistët kërkojnë ndryshimin e vendimit numër 710 dhe nxjerrjen e një tabele të re përmbledhëse për këtë njësi, duke u bazuar në rezultatet e dala nga numërimi I votave nga GNV-të për çdo QV dhe transmetuar në bazën e të dhënave në KQZ.
PS, ankesa formale ne kqz
Partia Socialiste i rikthehet sërish KQZ për ankesat e saj, megjithatë juristët konstatojnë se ato janë formale në këtë nivel të gjykimit, pasi siç dihet ankimimi në KQZ ishte i detyrueshëm për PS-në, si e vetmja mënyrë për të kapur më pas dhe ankimimin në Kolegjin Zgjedhor, ku natyrisht pritet të ndahet fati i kryetarit të ri të Bashkisë së Tiranës.
PD: te numerohen votat e kontestuara
Partia Demokratike kërkon tashmë vlerësimin e të gjitha votave të kontestuara, në total që bëjnë edhe 403 fletë të tjera votimi të shpërndara në rreth 26 kuti votimi. Votat e kontestuara, për të cilat Partia Demokratike kërkon që të rivlerësohen dhe rinumërohen në Tiranë. Mësohet se PD ka formuluar këtë kërkesë nisur nga shënimet e komisionerëve në librin e protokollit.
Ankesë edhe pensionistët
Edhe pensionistët janë ankuar në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve. Konkretisht, Partia Bashkimi Popullor i Pensionistëve Shqiptar, pjesë e koalicionit me Partinë Socialiste, kundërshton disa tabela të rezultateve në Këshillin Bashkiak, duke kërkuar vlerësimin e votës. Ashtu si shumë parti të vogla edhe kjo parti kërkon rishikimin e rezultatit.
PS kundër vendimit nr. 711
Partia Socialiste kërkon rrëzimin e vendimit 711, që shpall Lulzim Bashën fitues. Në këtë vendim thuhet se “rezultatet e shënuara me shifra për kandidatët për kryetar të Bashkisë Tiranë, që janë në tabelat origjinale të çdo QV-je, janë të njëjta me rezultatet përkatëse në tabelat përmbledhëse origjinale të rezultateve të miratuara nga KZAZ-ja dhe me ato që ndodhen në bazën e të dhënave”. KQZ pranon vetëm një gabim, ku shprehet se “në një QV dhe konkretisht ajo me Nr.1718 në ZAZ 46, në tabelën origjinale të rezultateve të saj dhe në TPR, të plotësuar nga KZAZ 46, numri fletëve të votimit të papërdorura është 423, ndërsa në bazën e të dhënave është shënuar 623. Mendojmë se kjo shifër duhet korrigjuar në bazën e të dhënave”.
KQZ përballet me ankesa shtesë
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve do të duhet të shqyrtojë edhe dhjetëra ankesa të tjera të ardhura nga partitë e vogla. Konkretisht, në ditën e sotme është caktuar që të shqyrtohen ankesat e Partisë Aleanca Demokratike për Gostim, në Elbasan dhe komunën Velabisht, në Berat. Kjo parti ka edhe dy ankesa të tjera që do të shqyrtohen sot, që kanë të bëjnë me komunën Farë në Tiranë dhe komunën Vllaninë në qarkun e Vlorës. Aleanca Demokratike kërkon rivlerësim të votave në mjaft prej qendrave të votimit. Njëkohësisht sot do të shqyrtohen edhe 2 ankesa të tjera të Partisë Socialiste, që kanë të bëjnë me këshillin komunal të komunës Dajç në Lezhë, por edhe për zgjedhjet për kryetar komune në Papër të Elbasanit.
ERALD KAPRI
© Panorama.al











