Partia Socialiste do të shfrytëzojë limitet kohore që i lejon Kodi Zgjedhor për të hartuar kërkesën ankimore që do të depozitojë në KQZ.Sipas vendimit të fundit të këtij institucioni, partitë kishin tri ditë kohë për ta ankimuar rezultatin e Tiranës, afat i cili përfundon sot në mbrëmje. Burime pranë Partisë Socialiste bënë të ditur për gazetën “Panorama” se një grup ekspertësh është duke punuar për hartimin e kërkesës ankimore, e cila do të dorëzohet gjatë ditës së sotme në KQZ. Në të njëjtën kohë, mësohet se deri mbrëmë në darkë është vendosur që pjesë e kërkesës ankimore të jetë çështja që PS-ja e ka ngritur disa herë ditët e fundit për mosrakordimin e shifrave në tabelat ku u hapën kutitë e votimit. Sipas socialistëve, në të gjitha qendrat e votimit ku u numëruan votat e hedhura në kutinë e gabuar, rezulton se dalin më shumë vota se votues dhe, në total, në të gjithë Tiranën janë rreth 870 vota më shumë. Burimet bëjnë të ditur gjithashtu se gjatë ditës së sotme, kur të përfundojë hartimi i kërkesës do të vendoset se në ç’formë do të përfshihet edhe çështja e ligjshmërisë së numërimit të votave të hedhura në kutinë e gabuar. Ndërkohë që socialistët janë duke ndjekur rrugën ligjore për t’u ankuar për Tiranën, përballja e parë në Gjykatë mes PS-së dhe PD-së do të jetë nesër paradite. Gjatë të premtes, Kolegji Zgjedhor do të shqyrtojë një kërkesë të PS-së për pavlefshmërinë e aktit të miratuar nga KQZ-ja, që i hapte rrugë numërimit të votave të hedhura në kutinë e gabuar. Sipas këtij vendimi të miratuar nga KQZ-ja, thuhet se “KQZ duhet t’i vlerësojë këto fletë votimi dhe të vendosë se për cilin prej kandidatëve apo subjekteve për Bashkinë Tiranë do të llogariten këto fletë votimi. Ky proces mund të bëhet vetëm pasi të ketë përfunduar procesi i numërimit të votave për njësitë bashkiake, në mënyrë që të evidentohen të gjitha fletët e votimit, të cilat janë hedhur në kutinë e gabuar”. Burime në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve thonë se çdo veprim i këtij institucioni do të bëhet pas vendimit të Kolegjit. Nëse gjykata do të vendosë rrëzimin e aktit të miratuar nga KQZ-ja, ky institucion do të jetë i detyruar të shpallë rezultatin që nxjerr me 10 vota përpara Edi Ramën. Në të kundërt, nëse Kolegji rrëzon ankimin e PS-së, socialistëve u mbyllet rruga për të kërkuar sërish shpalljen të pavlefshëm të vendimit të KQZ-së për numërimin e këtyre votave që nxorën para Bashën. Burimet bënë të ditur gjithashtu, se ndërkohë që ende nuk dihet çfarë kërkese ankimore do të paraqesë PS-ja, mund të jetë vetë KQZ që do të ndërmarrë aktin për të hapur të gjitha kutitë ku u numëruan votat e gabuara, katër për secilën qendër votimi dhe të rregullojë shifrat e tabelave të grupeve të numërimit.
Sot, ankesa e parë e KQZ në Kolegj
Kolegji Zgjedhor do të mblidhet sot për të vendosur mbi një kërkesë ankimore të paraqitur nga Partia Socialiste, për ta detyruar Komisionin Qendror të Zgjedhjeve të shpallë rezultatin përfundimtar të Tiranës. Kjo kërkesë u bë rreth një javë më parë, kur KQZ-ja nuk futi në rend dite një projektvendim të paraqitur nga socialistët për këtë çështje. Kërkesa e Partisë Socialiste ka të bëjë me mosshpalljen në kohë të rezultatit në Njësinë Nr.5.











