Partia Demokratike ka nisur takimet e saj me bazën, në kuadër të strategjisë për protestën kombëtare të 22 Dhjetorit në Tiranë, në Bulevardin para Kryeministrisë, pas skandalit “Balluku”.
Kreu i grupit parlamentar demokrat, njëkohësisht deputeti Gazment Bardhi, ka zhvilluar sot takime në Njësinë nr. 1 me bazën e PD dhe qytetarët, ku theksoi se “protesta mbetet i vetmi mjet që zëri i tyre të dëgjohet”.
Ai shton se “Tirana nuk do të heshtë më 22 Dhjetor”, pasi qytetarët po shpërfillen dhe pushteti po vjedh.
“Takimet me demokratët në Njësinë 1 po tregojnë qartë se më 22 Dhjetor Tirana nuk do të heshtë. Kur pushteti vjedh dhe qytetarët shpërfillen, protesta mbetet i vetmi vend ku zëri ynë dëgjohet”, shkruan ai në postimin e tij në rrjetin social Facebook, që e shoqëron edhe me foto nga takimi.
Më tej deputeti demokrat thekson se duhet rezistencë dhe protestë e vazhdueshme, deri në largimin e qeverisë.
“Nga Njësia 1, thirrja është e qartë: rezistencë dhe protestë të vazhdueshme, deri në largimin e Edi Ramës”, përfundon ai.
Opozita kërkon dorëheqjen e qeverisë pas skandaleve abuzive dhe korruptive me fondet e buxhetit dhe tenderimet nga zv/kryeministrja Belinda Balluku, e marrë e pandehur tashmë për tunelin e Llogarasë dhe Unazën e Madhe, me masë sigurie ndalim për të dalë jashtë shtetit dhe bllokim pasaporte nga GJKKO.
Gjithashtu SPAK ka kërkuar në Kuvend edhe heqjen e imunitetit të ministres deputete, pasi ka prova të reja që rëndojnë pozitën e saj penale, duke intimiduar dëshmitarët. Por mbledhja e sotme (19 dhjetor) e Këshillit të Imuniteteve u mbyll pa vendim dhe datë për atë ku do vendoset për fatin e mandatit të Ballukut.
Opozita akuzon mazhorancën dhe kryeministrin se po kërkon të fitojë kohë për të prishur provat dhe mbrojtur më tej zv/kryeministren.
© Panorama.al












