Tirana nuk ka mundur të ruajë avantazhin duke u mundur në Peqin, sakaq përfiton Skënderbeu që ngjitet në vendin e tretë, tashmë tri pikë më pak se bardheblutë. Blof i Flamurtarit dhe Vllaznisë. Të ardhur nga një fitore në transfertë javën e kaluar, bardhekaltrit e drejtuar nga Kristaq Mile arritën të thyenin Tiranën, e cila duhet thënë se gëlon nga atmosfera mbytëse për shkak të rrogave të papaguara. Si fillim ishin vendësit që shënuan me anë të Mustafajit, por në pjesën e dytë Bala shënoi dy herë në harkun e pak minutave. Por Shkumbini u hodh i gjithi në sulm dhe në minutën e 74-t realizoi golin e barazimit me anë të Roland Dervishit dhe tri minuta më vonë, i riu Sulkja sigloi golin e fitores. Me këtë disfatë, Tirana distancohet edhe më nga kryesuesja, Teuta, tashmë në minus 5 pikë, ndërsa peqinasit ngjiten në kuotën e 15 pikëve, në vendin e 8-të, duke parakaluar Vllazninë. Shkodranët në fakt humbën ndaj Tomorit, duke vazhduar kështu serinë e rezultateve negative. Një gol i Bakiut, shënuar në minutën e 56-të, u dha fitoren beratasve duke u krijuar këtyre të fundit më shumë shpresa për mbijetesë. Disfata e dytë radhazi për skuadrën e Rudi Vatës, që tashmë e shikon veten në vendin e 9-të, në kuotën e 14 pikëve. Pasdite pozitive ka qenë edhe për Skënderbeun, pasi arriti të fitojë në fushën e vet, falë një dopiete të Daniel Xhafajt dhe një goli të të riut Tahirllari. Ndërkohë, për mallakastriotët ka shënuar kapiteni Dimo dhe Korreshi në minutat e fundit të ndeshjes. Pas javës së 11-të, Skënderbeu katapultohet në vendin e tretë, me 20 pikë, ndërsa Bylis gjendet në vendin e 10-të, me 14 pikë. Surprizë në “Qemal Stafa”, ku Dinamo e një mijë e një problemeve arriti të ndalë Flamurtarin në një barazim 1-1, duke mos i bërë shumë punë vetes, por ama duke i prishur jashtëzakonisht shumë vlonjatëve. Dinamo, që ende e shihte veten me -1 pikë, me këtë barazim të paktën ka dalë nga zona e minusit duke zeruar kuotën e pikëve. Në fillim ishin miqtë nga Vlora që kaluan në avantazh me anë të Prognit në pjesën e parë të ndeshjes, por në fraksionin e dytë të lojës, Renato Malota barazoi për blutë e kryeqytetit. Më pas, Flamurtari kërkoi medoemos fitoren, por ndeshin në një prapavijë të përforcuar të bluve, duke mos arritur kështu që të dalin me pikë të plota nga Tirana. Me këtë barazim kjo skuadër e drejtuar nga Lutaj mbetet në vend të 5-të.
Superiore/ Java 11
TË DIELEN
Laçi-Kastrioti 1-1
Shënues: Buljan 44’/ Inkango 90+2′
Apolonia-Pogradeci 2-3
Shënues: Ndoni 73′, Gërxho 90+5’/ Drazhanin 19′, Eminhazeri 69′, Jahaj 90+3′
Kamza-Teuta 1-2
Shënues: Ishka 64’/ Nika 2′, Çota 31′
DJE
Shkumbini-Tirana 3-2
Shënues: Mustafaji 31′, Dervishi 74′, Sulkja 77’/ Bala 52′, 64′
Tomori-Vllaznia 1-0
Shënues: Bakiu 56′
Skënderbeu-Bylis 3-2
Shënues: Xhafaj 13′, 71′, Tahirllari 35’/ Korreshi 85′, Dimo 86′
Dinamo-Flamurtari 1-1
Shënues: Malota 57’/ Progni 22′
Renditja
Nr. Ekipi ND F B H GSH GP P
1. Teuta 11 9 1 1 14 5 28
2. Tirana 11 7 2 2 19 12 23
3. Skënderb.11 5 5 1 12 6 20
4. Kastrioti 11 6 1 4 17 11 19
5. Flamurtari11 5 3 3 15 11 18
6. Laçi 11 4 4 3 12 13 16
7. Pogradeci 11 5 1 5 11 15 16
8. Shkumbini11 4 3 4 17 16 15
9. Vllaznia 11 4 2 5 17 15 14
10. Bylis 11 4 2 5 20 20 14
11. Kamza 11 4 1 6 10 11 13
12. Apolonia11 2 2 7 10 18 8
13. Tomori 11 2 2 7 8 18 8
14. Dinamo 11 0 3 8 2 13 0
SHËNIM: Dinamo, minus tri pikë për shkak të dënimit nga FIFA për çështjen “Bodrusiç”.
Leonard Karaj
© Panorama.al











