Tirana në emergjencë, dëmtohen Ahmataj dhe Pisha

Nov 4, 2011 | 10:14
Ahmataj, Lika dhe Bala, duke festuar golin e ketij te fundit ne Kastrioti-Tirana 2-3

Pragsfida me Skënderbeun po shoqërohet me probleme në kampin bardheblu. Pas Julian Ahmatjat, tashmë edhe Arjan Pisha është i dëmtuar, duke rrezikuar këtë takim. I pari e ka thuajse të pamundur riaftësimin, ndërsa për të dytin gjithçka do të vendoset sot. Lojtari ka pasur një problem në këmbë dhe trajneri, për të mos e ngarkuar, e ka parë të arsyeshme që të mos merrte asnjë ngarkesë. Vetëm pasi të bëhet ekzaminimi, do të përcaktohet edhe situata e mbrojtësit. Në rast se të dy lojtarët nuk do të jenë të gatshëm, atëherë problemet për trajnerin Hulian Riubio do të jenë të mëdha. Ai do të jetë i detyruar të bëjë ndryshime në defensivë, meqenëse të dy elbasanasit luajnë në këtë repart. Dabulla, Ferraj, por edhe Taku, mund të llogariten si opsione në mungesë të Ahmatajt dhe Pishës. Megjithatë, shpresat janë të mëdha, të paktën i kësaj ideje është edhe stafi mjekësor, që shpreson te një riaftësim në momentet e fundit. Sakaq, Klodian Duro, i cili u stërvit veçmas para dy ditësh, nuk ka asnjë problem, ndaj do të jetë i gatshëm për të luajtur. Të paktën ky është lajm i mirë për bardheblutë, pasi mesfushori është një element shumë i vyer për ekipin. Sakaq, nga kampi korçar për momentin nuk ka të dhëna për probleme dëmtimesh mes lojtarëve, çka i jep mundësi trajnerit çek, Levi, që të hedhë në fushë formacionin më të mirë të mundshëm, me shpresën e marrjes së një rezultati pozitiv si në ndeshjen e javës së 7-të ndaj Kastriotit.
Trajneri Rubio, apel për merkato
Tirana po funksionon siç duhet, duke kryesuar me meritë kampionatin. Mirëpo, dihet që grupi ka shumë boshllëqe, kjo si pasojë e largimeve në momentin e fundit. Në të tilla kushte, trajneri Hulian Rubio e ka të pamundur që me këtë kontingjent, të përbërë me 18 lojtarë, të përballojë dy kompeticione. “Jam i kënaqur me grupin tim, por dihet që është i ngushtuar dhe opsionet janë të pakta. Do shpresoja te disa afrime në janar, pasi të hapet merkatoja, por kjo është në dorë të klubit. Në rast se do të ketë buxhet të mjaftueshëm OK, në të kundërt, do të vazhdoj të punoj me lojtarët që kam. Ne jemi në rrugë të mbarë dhe kështu do të vazhdojmë, pavarësisht disa problemeve të vogla”.

 

© Panorama.al

Te lidhura