
Te Tirana ka një problem rrogash. Lajmi bëhet i ditur nga vetë futbollistët, të cilët u kanë kërkuar dje shpjegim drejtuesve të klubit lidhur me të ardhmen e tyre për sa i përket anës financiare. Një grup lojtarësh, kryesisht veteranë, me në krye kapitenin Elvis Sina kanë kërkuar dje një takim me shefin e klubit, Alban Tafaji, të cilit i kanë kërkuar shpjegime lidhur me mënyrën se si ata do të paguhen tanimë që Tirana është kthyer në një shoqëri aksionere. Nisma e lojtarëve është nxitur, sipas tyre edhe nga një intervistë e anëtarit të bordit të KF Tirana, Indrit Fortuzi, në një intervistë dhënë “Panorama Sport” tri ditë më parë, ku ai sqaronte se Bashkia nuk do të ketë probleme në të ardhmen për të mbajtur klubin, por momentalisht ekziston një ngërç, sepse ajo ende nuk e ka miratuar buxhetin për vitin 2011. Një pjesë e mirë e “senatorëve” të skuadrës bardheblu (Elvis Sina, Rezart Dabulla, Erjon Dushku etj.) kanë takuar paraditen e djeshme shefin e klubit, Alban Tafaji, të cilit i kanë kërkuar rrogën për muajin shtator, që realisht duhej të ishte dhënë më 20 tetor. Gjithashtu i kanë kërkuar një zgjidhje se si do paguhet edhe rroga e muajit tetor, duke qenë se po afron 20 nëntori (shpjegojmë se lojtarët në bazë të kartonëve paguhen çdo datë 20 të secilit muaj). Nga ana tjetër, Tafaji është munduar t’i qetësojë lojtarët, duke u thënë se ai do të fliste me të gjithë anëtarët e bordit drejtues, në veçanti edhe me prefektin e Tiranës, Keltis Kruja, i cili do jetë kryetari i bordit të klubit (nuk është deklaruar ende një gjë e tillë zyrtarisht nga kryebashkiaku Lulzim Basha).
Bordi drejtues i KF Tirana
Lulzim Basha – kryetar i Bashkisë Tiranë; Keltis Kruja – kryetar i Bordit (jo zyrtarisht); Dhurata Çupi – drejtoreshë Juridike në Bashkinë Tiranë; Fatmir Frashëri – ish-president, trajner e lojtar i KF Tirana; Krenar Alimehmeti – ish-lojtar dhe trajner i KF Tirana; Sulejman Mema – ish-trajner e lojtar i KF Tirana; Indrit Fortuzi – ish-lojtar i KF Tirana; Luigj Bytyçi – ish-lojtar i KF Tirana; Eno Shyti – drejtori i kabinetit të kryetarit të Bashkisë Tiranë; Artan Pogoni – shefi i zyrës së sporteve në Bashkinë Tiranë.











