Tirana, KQZ: Votat do rivlerësohen

May 18, 2011 | 10:02

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka bërë gati për miratim një akt që ndalon nxjerrjen e rezultatit për Bashkinë e Tiranës derisa të mbyllet numërimi edhe në kutitë e njësive bashkiake dhe këshillave të minibashkive.Në mbledhjen e paradites së djeshme, kryetari Arben Ristani paralajmëroi përgatitjen e një vendimi pas ankesave që kanë ardhur nga disa KZAZ të kryeqytetit. Diskutimi për aktin ishte parashikuar në mbledhjen e orës 14:00, por u shty për ditën e sotme, pasi ajo mbledhje nuk u zhvillua për shkak të mungesës së qetësisë në sallë, pas pjesëmarrjes së të gjithë Grupit Parlamentar socialist.
Akti
Në materialin e përgatitur nga administrata thuhet se në numërimin e fletëve të votimit për kryetarë të minibashkive dhe për këshillat bashkiakë janë gjetur fletë votimi për kryetarin e Bashkisë së Tiranës. “Nisur nga fakti se KZAZ, në këtë fazë të procesit nuk mund të bëjnë një rishikim të tabelave të rezultateve, kërkojnë të vlerësohen nga KQZ këto vota si të vlefshme dhe të pasqyrohen në tabelën përmbledhëse të rezultateve për kandidatë dhe për Këshillin e Bashkisë Tiranë, e cila hartohet nga KQZ. Aktualisht këto fletë votimi janë konsideruar si të kontestueshme nga këto komisione”, thuhet në aktin e hartuar nga KQZ. Gjithashtu, në dokument thuhet se KQZ duhet të marrë në shqyrtim të gjitha kërkesat e KZAZ-ve, të cilat kërkojnë vlerësimin e fletëve të votimit të gjetura në kutinë e gabuar. “KQZ duhet t’i vlerësojë këto fletë votimi dhe të vendosë se për cilin prej kandidatëve apo subjekteve për Bashkinë Tiranë do të llogariten këto fletë votimi. Ky proces mund të bëhet vetëm pasi të ketë përfunduar procesi i numërimit të votave për njësitë bashkiake, në mënyrë që të evidentohen të gjitha fletët e votimit, të cilat janë hedhur në kutinë e gabuar”, thuhet në projektvendim. I ndodhur në këto kushte, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve do të vendosë gjatë mbledhjes që do të zhvillohet sot, të pezullojë procesin e nxjerrjes së rezultatit për Bashkinë e Tiranës deri në përfundim të numërimit të të gjitha kutive të minibashkive dhe këshillave të këtyre njësive vendore. “Pranë KQZ-së kanë ardhur tabelat përmbledhëse nga KZAZ-të dhe KQZ duhet të hartonte tabelën përmbledhëse për njësinë zgjedhore “Bashkia Tiranë”, por tashmë ky proces nuk mund të bëhet pa u vlerësuar edhe këto vota. Në këto kushte, KQZ duhet të pezullojë procesin e hartimit dhe miratimit të tabelës përmbledhëse për Bashkinë e Tiranës deri në përfundimin e procesit të numërimit të votave nga KZAZ-të për kryetarin dhe këshillin e njësive bashkiake”.
Deri tani, pranë Komisionit Qendror të Zgjedhjeve kanë mbërritur të gjitha procesverbalet e njësive bashkiake të Tiranës. Përjashtim bën Njësia Bashkiake Nr. 5, KZAZ-ja e të cilës nuk ka arritur të marrë një vendim për të hartuar një tabelë përmbledhëse për të 65 qendrat e votimit. Katër anëtarët demokratë në këtë KZAZ nuk kanë pranuar të firmosin procesverbalin përfundimtar, i cili ka mbërritur në KQZ vetëm me firmat e tre komisionerëve. Por, pas miratimit të aktit, ky proces do të pezullohet përkohësisht, derisa të vlerësohen të gjitha votat që janë hedhur në kutinë e gabuar.

PS: Akti, i rrezikshëm dhe shumë i dëmshëm
“Kjo çështje është përfunduar në Tiranë dhe çdo tentativë për të ngatërruar procedura të tjera ekstraligjore tregon për një pozicionim të njëanshëm të KQZ-së. Çdo devijim i kësaj praktike në këtë moment do të ishte shumë i dëmshëm dhe shumë i rrezikshëm për procesin zgjedhor. Unë e di që interesat e palëve humbëse në proces janë që të rikthejnë procesin, por procesi është përfunduar ditën që qytetarët votuan dhe hodhën votën e tyre në kuti. Nuk mund të krijohen rregulla kur mbaron loja. Punë e madhe në qoftë se mërzitet një kandidat që nuk fitoi. Kujdes kryetar! Është moment shumë delikat për procesin zgjedhor dhe për vendin”, u shpreh përfaqësuesi i PS-së në KQZ, Genc Gjonçaj.

PD: KQZ të vendosë për fletët e votimit
Sipas përfaqësuesit të PD-së, Njazi Kosovrasti, duhet të jetë pikërisht KQZ ai që duhet të vendosë për fletët e votimit të hedhura në kutinë e gabuar. “Askush nuk mundet me britma të thotë që KQZ ka vetëm një detyrë aritmetikore, të vësh një firmë dhe puna ka mbaruar. Qytetarët, për arsye të ndryshme, na rezulton se nuk i kanë hedhur fletët e votimit në kutinë e duhur. Institucioni që duhet ta vlerësojë këtë situatë dhe ta ndajë se ç’duhet bërë me këto fletë votimi është KQZ. Na rezulton se në kuti të ndryshme na dalin fletë për kryetarin e Bashkisë. Në KZAZ, ku e ka PS shumicën, këto fletë nuk janë lejuar të quhen të kontestuara. Ndërsa në KZAZ ku shumicën e ka PD, janë futur në zarfin e fletëve të votimit të kontestuara”.

Projekt-akti i KQZ

Pranë KQZ-së, KZAZ-të 46, 48, 49, 51, 53, 54 dhe 55 kanë paraqitur kërkesa për vlerësim të disa qendrave të votimit, të cilat gjenden në kutinë e gabuar. KZAZ Nr. 55 ka konsideruar se për 11 qendra votimi në kutinë e votimit për kryetar të Njësisë Bashkiake Nr. 11 janë gjetur fletë votimi për kandidatët për kryetar për Bashkinë e Tiranës. KZAZ-të 53, 51, 49, 48, 46 gjithashtu kontestojnë të njëjtin fakt. Gjatë numërimit të votave për kandidatët për kryetar dhe për këshillin e njësive bashkiake janë gjetur fletë votimi për kandidatët për kryetar dhe për këshillin e Bashkisë së Tiranës. Nisur nga fakti se KZAZ, në këtë fazë të procesit nuk mund të bëjnë një rishikim të tabelave të rezultateve, kërkojnë të vlerësohen nga KQZ këto vota si të vlefshme dhe të pasqyrohen në tabelën përmbledhëse të rezultateve për kandidatë dhe për Këshillin e Bashkisë Tiranë, e cila hartohet nga KQZ. Aktualisht këto fletë votimi janë konsideruar si të kontestueshme nga këto komisione.
KQZ, në mbledhjen e datës 17.05.2011, mori në shqyrtim kërkesën e paraqitur nga KZAZ-të dhe konstaton se: KQZ, në mbështetje të nenit 123 të Kodit Zgjedhor, në hartimin e tabelës përmbledhëse të votave për njësinë zgjedhore “Bashkia Tiranë”, ka kompetencën e KZAZ-së. Nisur nga fakti se KZAZ ka kompetencë në vlerësimin e fletëve të votimit për QV-të nën juridiksionin e saj, në rastin e Bashkisë së Tiranës këtë kompetencë e ka Komisioni Qendror i Zgjedhjeve.
Kërkesa e KZAZ-ve për vlerësimin e fletëve të votimit të gjendura në kutinë e gabuar duhet të merret në shqyrtim nga KQZ.
KQZ duhet t’i vlerësojë këto fletë votimi dhe të vendosë se për cilin prej kandidatëve apo subjekteve për Bashkinë Tiranë do të llogariten këto fletë votimi. Ky proces mund të bëhet vetëm pasi të ketë përfunduar procesi i numërimit të votave për njësitë bashkiake, në mënyrë që të evidentohen të gjitha fletët e votimit, të cilat janë hedhur në kutinë e gabuar. Pranë KQZ-së kanë ardhur tabelat përmbledhëse nga KZAZ-të dhe KQZ duhet të hartonte tabelën përmbledhëse për njësinë zgjedhore “Bashkia Tiranë”, por tashmë ky proces nuk mund të bëhet pa u vlerësuar edhe këto vota.
Në këto kushte, KQZ duhet të pezullojë procesin e hartimit dhe miratimit të tabelës përmbledhëse për Bashkinë Tiranë deri në përfundimin e procesit të numërimit të votave nga KZAZ-të për kryetarin dhe këshillin e njësive bashkiake.

KQZ hap kutinë e katërt në Fier

KQZ mori dje vendim për të hapur një kuti votimi në komunën Kute të Fierit, pas një ankese të LSI-së. Në kërkesën ankimore të kësaj partie thuhet se “gjatë procesit të numërimit dhe vlerësimit të votave për kandidatin për kryetar të komunës, QV Nr. 3242, nga grupi i numërimit 3, janë vlerësuar si të vlefshme 236 fletë votimi për kandidatin Gentian Dervishaj (LSI) dhe 353 fletë votimi të vlefshme për kandidatin Ramiz Malaj (PS). Në plotësimin e tabelës përmbledhëse me rezultatet e kësaj qendre votimi, shifrat kanë ndryshuar, duke u pasqyruar 229 për kandidatin Dervishaj dhe 260 për kandidatin Malaj”. Përfaqësuesit e PS-së i hodhën poshtë këto akuza si të pambështetura në prova e fakte. Pasi dëgjuan palët, anëtarët e KQZ-së vendosën me 4 vota pro e 2 kundër (Subashi e Laze) të hapet kutia. Në këtë komunë, kandidati i PS-së ka fituar me 8 vota diferencë.

 

ADI SHKEMBI

© Panorama.al

Te lidhura