Tirana kërkon një “ish” lojtar të Hansa Rostok

Jan 17, 2012 | 12:05

Dordije Cetkoviç është emri më i ri që po shqyrtohet nga drejtuesit e Tiranës si alternativë në sulm. Lojtari ka luajtur më parë edhe në Gjermani, te Hansa Rostok. Alternativat e pakta për merkato në kampionatin shqiptar kanë bërë që klubi bardheblu të spostojë vëmendjen jashtë territorit. Malazezi konsiderohet si një alternativë e mirë për sulmin e Tiranës dhe, nga sa mësohet, drejtuesit kanë nisur bisedimet me të. Bëhet fjalë për një mesfushor me tipare sulmuese, i cili ka një karrierë të pasur. Vlen të përmendet se Cetkoviç është nipi i Predrag Mijatoviç, ish-lojtar dhe drejtor sportiv i Realit të Madridit. Cetkoviç kulmin e tij e ka pasur në vitet 2006-2008, kohë kur luante në Bundesligë, me Hansan e Rostokut. Lojtari me këtë ekip ka zhvilluar plot 67 ndeshje dhe ka shënuar 12 gola. Siç edhe dihet tashmë, Tirana është vënë në kërkim të një sulmuesi të mirëfilltë, ose një gjysmë sulmuesi, gjë që e ka pranuar edhe vetë trajneri i bardhebluve. Futbollisti malazez, i cili aktualisht është pjesë e skuadrës së Zetës, plotëson kushtin e trajnerit spanjoll, pasi përpos karrierës së gjatë, ai është gjithnjë në kërkim të golit, teksa deri më tani ka realizuar 34 herë në 205 takime. Megjithatë, se sa do të mundësohet afrimi i tij, kjo mbetet për t’u parë, pasi për momentin gjithçka ka mbetur në kuadrin e bisedimeve. Dordije Cetkoviç e ka filluar futbollin në një klub të vogël malazez, Crvena Stijena, për të kaluar më pas te Buduçnost Banatski. Performanca e tij e mirë në këto dy skuadra bëri që në drejtim të tij të shtoheshin ofertat nga disa klube, ndonëse ai vendosi të transferohej në Serbi, te Çukariçki e më pas te Zeleznik. Në janar të 2006-s, ai shkoi në Gjermani te Hansa Rostoku, ku u aktivizua për dy sezone me radhë. Pas disa përvojash në kampionatin izraelit dhe atë hungarez, ai për momentin është pjesë e skuadrës së Zetës.

Skeda
Dordije Cetkoviç

Datëlindja: 01.03.1983;
Vendlindja: Nikshiq, Mal i Zi;
Gjatësia: 1.79 m;
Roli: Mesfushor/sulmues
Karriera
1999-2000 Crvena Stijena, Mal i Zi; 2000-2002 Budçnost, Mal i Zi; 2002-2003 Çikariçki Beograd, Serbi; 2003-2005 Zeleznik, Serbi; 2005-2006 Vozdovaç Beorgad, Serbi; 2006-2008 Hansa Rostok, Gjermani; 2009: VfL Osnabruk, Gjermani; 2009-2010 Buduçnost, Mal i Zi; 2010: Bnei Saknin, Izrael; 2010: Gyori ETO, Hungari; 2011: Zeta, Mal i Zi.

Merkato/Priten Bogunoviç dhe Gentian Muça
Pas afrimeve të katër lojtarëve, te Tirana po punohet për të marrë edhe shërbimet e mbrojtësit të Flamurtarit, Artan Sakaj dhe mesfushorit serb, Sasha Bogunoviç. Siç thuhet, ky i fundit do t’i bashkohet grupit brenda kësaj jave dhe vetëm pasi ta ketë parë trajneri, do konfirmohet blerja e tij. Arritja e vetme për momentin është blindimi i kontingjentit aktual. Ndërsa ka zëra edhe për një rikthim të mesfushorit Gentian Muça, i cili fazën e parë e mbylli në Shkodër.

© Panorama.al

Te lidhura