Tirana Jazz, tri ditë festival në kryeqytet

Jul 18, 2012 | 15:36
Genti Rushi dhe Rona Nishliu

Pas disa vitesh ndërprerjeje, rikthehet në Tiranë atmosfera e gjallë e ditëve të Festivalit të Xhazit, por tanimë nga të tjerë organizatorë. Duke filluar nga dita e sotshme, përgjatë tri netësh në ambientet e Hotel Rogner do të zhvillohet Tirana Jazz & World Music Festival 20012. Janë tetë grupe muzikore që vijnë nga Gjermania, Franca, Italia, Çekia, Zvicra, Kosova e Shqipëria që do të ofrojnë një kolorit ritmesh, që nga ato ballkanike, lindore, përpunimet e muzikës tradicionale shqiptare etj. Dhe nuk do të jetë aspak çudi që grupi francez të interpretojë melodi të njohura shqiptare, sjellë në një version “a la France”, artistët gjermanë të interpretojnë ritme ballkanike… e kështu me radhë… Pra, një vëllazëri muzikore e përkryer. Shqipëria do të përfaqësohet nga Genti Rushi Band, shoqëruar në vokal nga këngëtarja Rona Nishliu, e cila nderoi Shqipërinë në Festivalin Europian, duke u renditur në vendin e pestë në natën finale. Organizatorët e këtij viti janë shoqata kulturore “Syri blu” dhe “Boom boom radio”, me mbështetjen e Bashkisë së Tiranës, një sërë përfaqësish diplomatike dhe sponsorë privatë që janë treguar dashamirës ndaj këtij aktiviteti. “Më parë kam ndjekur iniciativa të shkëputura të muzikës xhaz dhe më vjen keq që prej disa vitesh muzika xhaz ka munguar në Tiranë. Kjo është arsyeja pse krijuam një bërthamë për të realizuar një festival të tillë”, thotë një nga organizatorët, Besim Petrela. Sipas tij, në një periudhë krize nuk është aspak e lehtë të organizosh një festival në Shqipëri, por fatmirësisht ai tha se ka gjetur bashkëpunimin tek disa ambasada në Tiranë si ajo franceze, italiane, holandeze, gjermane, zvicerane e çeke. Si t’i lexonte mendjet e gjithë të pranishmëve, Petrela u shpreh se vetë ai kishte ngulur këmbë që festivali të organizohej në verë. “Jeta artistike në kryeqytetin shqiptar është shumë e varfër, ndërkohë që duhet të ketë politika për gjallërimin e jetës së Tiranës. Më shumë aktivitete duhet të ketë në Tiranë, ashtu si në kryeqytete të tjera të Europës, ku sezonet verore janë të mbushura me festivale. Me këtë rast bëj edhe një thirrje për më shumë bashkëpunim”, tha Petrela, duke shpresuar që formula e gjetur për organizimin e festivalit të jetë e suksesshme dhe kjo tentativë e parë të kthehet në një traditë të përvitshme. Për të gjithë të interesuarit hyrja ne festival do të jetë me bileta, të cilat janë 1 mijë lekë të rinj. Për studentët biletat janë me gjysmë çmimi. “Këtë po e bëjmë për të edukuar publikun”, thotë Petrela. Më tej, festivali do të zhvendoset në Durrës e Shkodër.

Kalendari
Dt. 18 ora 20:00 Hotel Rogner Europapark Tirana
Ondrej Štverácek’s  Trio, Çeki / Trio “Vinorosso”
Gjermani / Coljin Buis ITALIAN QUARTET, Itali & Holandë
Dt 19 ora 20.00
Michaela Rabitch&Robert Pawlik Quartet, Austri /
Trio Ouizzz, Zvicër
Dt 20 ora 20.00
Trio of love, Kosovë / Trio Namouche, Francë /
Gent Rushi- Band- Shqipëri
Dt 20  ora 20.00 Hotel Belleview Durrës
Trio “Vinorosso” Gjermani / Coljin Buis ITALIAN QUARTET, Itali & Holandë / Michaela Rabitch&Robert Pawlik Quartet, Austri
Dt 21 ora 20.00 Hotel Belleview, Durrës
Trio Namouche, Francë / Trio Ouizzz, Zvicër
Dt. 21 ora 20.00 Te Jubanët, Shkodër
Trio ensemble “Vinorosso”, Gjermani /
Coljin Buis, ITALIAN QUARTET, Itali &Holandë
Dt 22 ora 20.00 Hotel Belleview Durrës
Trio of Love, Kosovë

© Panorama.al

Te lidhura