Kur kanë mbetur edhe 90 minuta nga përmbyllja e këtij sezoni futbollistik, te Tirana pjesa dërrmuese e ekipit janë në dilemë për të ardhmen.Të vetmit lojtarë që kanë të sigurt qëndrimin edhe për sezonin e ri, janë ata që janë afruar në merkaton e janarit, duke qenë se kanë nënshkruar kontratë 2-vjeçare. Bëhet fjalë për treshen G.Lika-Hyka-Bala. Këta të fundit, të paktën siç e kanë deklaruar edhe vetë, do të respektojnë kontratën deri në fund dhe e vetmja gjë që mund t’ua prishë mendjen, do të jetë një ofertë joshëse nga jashtë vendit. Në listën e lojtarëve që mund të qëndrojnë, janë ata që mund të quhen ndryshe “veteranë”, të cilët ndër vite kanë dhënë kontributin e tyre për ngjyrat bardheblu. Ndërkaq, një pjesë tjetër u përket të rinjve, të cilët në rast se nuk do të kenë ndonjë tjetër mundësi, do mendojnë qëndrimin te Tirana. Ndërsa, për sa i përket pjesës tjetër, të gjithë janë në “ajër”.
Merkatoja – Pa mbaruar mirë sezoni, kanë nisur lëvizjet dhe kontaktet e para nga merkatoja. Pa dyshim, në fokusin e klubeve të ndryshme, shqiptare apo edhe të huaja, janë edhe lojtarët bardheblu. Emrat e parë kanë nisur të përfliten, bëhet fjalë për Osmanin dhe Pejiçin, që janë në planet e Skënderbeut. Mirëpo vlen të shtohet edhe emri i Andi Lilës, që përveçse ka oferta nga skuadra shqiptare, është në pritje për t’u larguar jashtë vendit. Në fakt, ai është në kontakte me dy ekipe të huaja, Dinamon e Bukureshtit, por edhe një skuadër gjermane. Lëvizja e tij është thuajse fakt i kryer, ndonëse ende nuk dihet se ku.
Kushti – Mungesa e korrektësisë nga ana e drejtuesve të klubit bardheblu, në anën financiare, mund të jetë një arsye që mund t’i bindë futbollistët të mendojnë largimin, gjithnjë nëse kanë një ofertë më të mirë. Presidenti Refik Halili, ndonëse ka premtuar prej kohësh që të do të likuidojë ekipin për dy rrogat e prapambetura, të muajit shkurt dhe mars, ende nuk ka dhënë asgjë. Lojtarët janë të lodhur nga ky “ngërç”, duke qenë se ky është profesioni i tyre dhe rrjedhimisht rruga e vetme nga mund të fitojnë parà. Megjithatë, kur ka mbetur edhe një javë për t’u mbyllur kampionati, Tirana ka një synim edhe më madhor, të fitojë Kupën e Shqipërisë. Ndaj edhe shumica e lojtarëve nuk e mendojnë “braktisjen” pa luajtur më parë këtë finale, pasi duan që të largohen me një trofe nga bardheblutë. Dy muaj kanë që nuk janë paguar futbollistët e Tiranës. Bëhet fjalë për muajt shkurt dhe mars, por sa i përket prillit, presidenti Halili do ta japë vetëm nëse arrihet të fitohet trofeu i kupës.
3 lojtarët
e ardhur në merkaton e janarit do të jenë pjesë e Tiranës edhe për sezonin e ri. Bëhet fjalë për Gilman Likën, Jahmir Hykën dhe për Bekim Balën, që kanë nënshkruar kontratë 2-vjeçare.











