Mahmud Al Ajmi është vënë në qendër të vëmendjes te Tirana. Lojtari i ardhur me shumë bujë në merkaton e verës, shfrytëzoi një leje për festën e Bajramit për të shkuar në Bahrein dhe për të mos u kthyer më. Me gjithë tentativat e drejtuesve të klubit bardheblu, mesfushori nuk pranoi që të kthehej në Shqipëri, madje kërkoi edhe prishjen e kontratës. Nga ana tjetër, klubi i komunikoi se do ta denonconte në FIFA dhe këtë gjë e ndërmori jo më larg se katër ditë më parë. Por, menjëherë pas këtij denoncimi, Al Ajmi kontaktoi me drejtuesit, duke kërkuar sërish prishjen e kontratës, pasi kishte një ofertë nga një skuadër në Oman (FC Oman), por klubi refuzoi duke i kujtuar se data e fundit e lejuar për t’u kthyer në skuadër ishte 2 tetori, në të kundërt, në bazë të denoncimit të bërë në FIFA, ai do gjobitej nga kjo e fundit. Al Ajmi u largua nga Tirana më datë 25 gusht, pas një lejeje 1-javore që iu dha nga klubi, me qëllim që ta kalonte festën e Bajramit me familjen. Sipas programit, por edhe biletës së prerë nga drejtuesit, ai duhej të kthehej më datë 2 shtator në mbrëmje. Por, pas shkeljes së lejes, drejtuesit e Tiranës u interesuan për lojtarin, i cili fillimisht pati pohuar se kishte bashkëshorten shtatzënë në spital, plus edhe disa probleme shëndetësore të të atit, ndaj po mendonte seriozisht që të mos kthehej më te Tirana, madje edhe të linte futbollin. Por, pas disa bisedash me menaxherin Hektor Como, ai konfirmoi përfundimisht se nuk donte të vinte në Shqipëri, ndaj kërkoi edhe dokumentet me qëllim që të luante diku tjetër. Nga ana tjetër, drejtuesit e klubit i kujtuan kontratën që ai pati nënshkruar, dhe pas “JO”-së përfundimtare, e denoncuan në FIFA. Menjëherë pas denoncimit lojtari ka kontaktuar me klubin, duke kërkuar sërish dokumentet, pasi kishte një ofertë nga Omani. Madje, presidenti i klubit FC Oman kërkoi zyrtarisht lojtarin, por, nga sa mësohet, drejtuesit bardheblu kërkuan 200 mijë euro për kartonin e tij.











