Kandidati i PD-së për Bashkinë e Tiranës, Lulzim Basha, kalon sërish rivalin e tij Edi Rama me rreth 156 vota. Në orën 03:00 të mëngjesit, teksa u numërua edhe kutia e 24-t e Njësisë Bashkiake Nr. 8, nga 30 që ka gjithsej kjo njësi vendore, Basha arriti të marrë 358 vota, kundrejt 109 të kundërshtarit të tij.Në total Basha ka 110.268 vota, ndërsa Rama 110.112 vota. Gjatë ditës së djeshme, kreu i PS-së, Edi Rama, ka qenë gjatë gjithë kohës në avantazh, madje rreth orës 19 kaloi deri në 1050 vota përpara. Në ditën e katërt të procesit të numërimit të votave, vëmendja tani do të përqendrohet në 4 njësi bashkiake, ndërkohë që shtatë njësi të tjera kanë përfunduar tashmë numërimin. Zona më e mirë që pret Partia Socialiste është Minibashkia 5, ku janë numëruar 39 kuti, nga 65 që janë gjithsej. Deri tani, Rama rezulton me 3 mijë vota përpara kundërshtarit të tij. Në këtë njësi kanë ngelur pa u numëruar kutitë që prekin zonën e Selitës dhe Urës Teknologjike. Nga ana tjetër, demokratët e kanë drejtuar vëmendjen e tyre në 3 njësi vendore. Kështu në Njësinë Nr. 8, kanë ngelur edhe 6 kuti pa u numëruar, ndërkohë që deri tani diferenca e krijuar mes Ramës dhe Bashës është mbi 1800 vota në favor të kandidatit demokrat. Një njësi tjetër e mirë, sipas PD-së, është edhe Njësia 9, ku janë numëruar deri tani 30 kuti, nga 41 që janë gjithsej. Me 11 kuti më pak, Basha udhëheq me 250 vota. Në këtë zonë, sipas burimeve nga PD-ja, kanë ngelur pa u numëruar kutitë e zonës së Bregut të Lumit. E fundit, por jo për nga rëndësia, është Njësia Nr. 11 ku deri në mbrëmje janë numëruar 50, nga 55 kutitë e votimit. Në këtë njësi, deri tani rezultati është me mbi 2200 vota në favor të kandidatit demokrat. Deri dje në darkë u mbyll procesi i numërimit të votave në gjashtë njësi bashkiake. Fillimisht, në mëngjes përfundoi votimi në Njësinë Nr. 4, ku Basha fitoi me 140 vota në një zonë kur në tri zgjedhjet e fundit lokale ka fituar kandidati i Partisë Socialiste. Rreth mesditës u mbyll votimi edhe në Njësinë Nr. 10, ku kandidati i PD-së mori edhe 524 vota më shumë. Në të njëjtën kohë, me një diferencë prej disa orësh përfundoi procesi i votimit edhe në Njësinë 2 dhe 3, ku në të parën Basha mori 263 vota më shumë, ndërsa në të dytën Rama rikuperoi me 473 vota. Pas përshpejtimit të ritmit gjatë darkës së djeshme, thuajse në të njëjtën kohë u mbyll procesi i numërimit edhe në njësitë 6 dhe 7. Në zonën e Kombinatit, Rama fitoi me 618 vota, ndërkohë që në tri kutitë e fundit Basha mori rreth 400 vota më shumë. Gjithashtu në Njësinë 7, Rama fitoi me 328 vota, teksa Basha në katër kutitë e fundit ka rikuperuar me rreth 800 vota. Pas betejës deri në orët e para të mesnatës, sot paradite do të nisë edhe numërimi në katër njësitë e tjera, dhe nëse nuk do të ketë bllokim të tyre, deri në mbrëmje do të mësohet edhe emri i kryetarit të ri të Bashkisë së Tiranës.
Problemet në Njësinë 8
Njësoj si dy ditë më parë, edhe gjatë ditës së djeshme çështja që është diskutuar më shumë në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve ka qenë Njësia Nr. 8. KZAZ-ja e kësaj Njësie Bashkiake, me shumicë të Partisë Socialiste, kishte vendosur që të mos numërohej një kuti, për shkak të problemeve në kutinë e materialeve zgjedhore. Por KQZ-ja e rrëzoi këtë vendim, me argumentimin se ajo ishte konstatuar si e rregullt, kur ishte marrë nga qendra e votimit.
Rezultatet sipas njesive bashkiake
Njësia Kutitë e Kutitë e Vota për Vota për Vota për
bashkiake votimit numeruara Ramën Milloshin Bashën
Njësia 1 39 39 9913 110 9467
Njësia 2 54 54 15819 159 16082
Njësia 3 32 32 8930 81 8457
Njësia 4 43 43 10860 171 11000
Njësia 5 65 39 11404 69 8311
Njësia 6 51 51 11599 137 10981
Njësia 7 50 50 13657 101 13329
Njësia 8 30 24 5558 34 7430
Njësia 9 41 30 8645 73 8895
Njësia 10 25 25 5702 61 6226
Njësia 11 55 50 10117 150 12402
Total 485 437 112204 1146 112580
Basha: Jam i bindur në fitore
Kandidati i PD për Bashkinë e Tiranës, Lulzim Basha, iu drejtua komisionerëve të numërimit me thirrjen që të vijojnë procesin me votat dhe të mos e ngadalësojnë atë. “Ka ende shumë vota që pritet të numërohen dhe unë pres që të numërohet çdo votë. Sytë e gjithë botës janë drejtuar në Tiranë, ndaj në këtë moment të punojmë që të ndjehemi krenarë për zgjedhjet që bëmë. Pavarësisht bindjeve politike, çdo shqiptar pret që çdo votë të numërohet deri në fund”, u shpreh Basha. Kandidati demokrat u shpreh i bindur për fitoren e tij në Tiranë, por, siç theksoi ai, duhet pritur përgjigjja zyrtare që dhe vetë ai ta zyrtarizojë këtë fitore. “Megjithëse unë jam i bindur për fitoren time, do të jenë institucionet që do të thonë fjalën e tyre. Çdo votë do të numërohet, çdo ngadalësim i numërimit të votës nuk i shërben numërimit të votës. I bëj thirrje çdo numëruesi të vazhdojë të numërojë pa pengesa që të përmbushim standardet e zgjedhjeve”.
Rama: Po lëvizin furgonë për manipulimin e rezultatit
Kryesocialisti Edi Rama tha dje sërish se është fitues i këtyre zgjedhjeve. Në disa konferenca për shtyp, Rama ka prezantuar edhe fituesit e garës për Bashkitë e Rrëshenit, Shëngjinit e Konispolit, të fituara nga PS. Rama denoncoi tentativat që sipas tij po bëjnë “humbësit” për të manipuluar rezultatin zgjedhor, nismë që sipas tij është e dështuar që në fillim. “Ju lutem qytetarëve që ta shohin duke buzëqeshur komedinë që luhet në anën tjetër, në një përpjekje të jashtëzakonshme për të fshehur atë që s’fshihet dot, humbjen. Por, ama, pa mundur për të fshehur dëshpërimin, sepse është vijim i pamundësisë e gjithë përpjekja që bëhet për të cenuar rezultatin fitues të Tiranës, duke u orvatur me çdo formë për t’iu afruar kutive, numëruesve dhe vëzhguesve”, u shpreh Rama. “Pavarësisht se kjo përpjekje nuk duket në televizione, ajo është nën monitorimin tonë. Në rrugët e qytetit lëvizin furgonë me materiale që synojnë manipulimin e rezultatit, por që nuk do t’ia arrijnë”, tha dje kreu i PS.
PDIU: Po tjetërsohet vota e PDIU
Partia Drejtësi, Integrim dhe Unitet denoncoi dje cenimin e votës së saj në KZAZ Nr. 2, me qendër në Urën Vajgurore të qarkut Berat. Në dy komuna që numërohen në këtë KZAZ ka pasur tjetërsim të votës së PDIU-së. “Në komunën Lumas të Beratit kandidatët e PDIU-së janë penguar të hyjnë në KZAZ dhe nuk kanë qenë prezentë në numërimin dhe përpilimin e tabelave përfundimtare të votimit, ndërsa nuk rezulton asnjë votë për PDIU-në, as ajo e vetë kandidatit. Gjithashtu, dhe në komunën Otllak të Beratit, në procesverbale nuk janë pasqyruar të gjitha votat e PDIU-së”, u shpreh zëdhënësi i PDIU-së, Ardit Bido.
Butler: Zgjedhjet, me polarizim të lartë
Komisioni Europian i përgëzon qytetarët shqiptarë për pjesëmarrjen e lartë në zgjedhjet lokale, ndërsa vlerësimi për autoritetet vendase do të jepet kur të përfundojë i gjithë procesi. Natasha Butler, zëdhënëse e komisionerit Shtefan Fyle, tregoi se qëndrimi paraprak i Komisionit Europian bazohet në vlerësimet e OSBE/ODIHR-it. “Ne mbajmë shënim se këto zgjedhje u mbajtën në një atmosferë të tensionuar, me polarizim të lartë. Siç nënvizohet në raport, qëndrimi do të varet nga sjellja deri në përfundim të procesit, ndaj sot ju them se ne po monitorojmë se si i gjithë ky proces po mbahet, duke përfshirë numërimin, sigurisht, shpalljen e rezultatit dhe menaxhimin e ankesave të mundshme. BE konsideron se qytetarët shqiptarë kanë marrë pjesë qetësisht në këto zgjedhje e në disa zona strukturat administrative garantuan që procesi të vijonte pa pengesa në ditën zgjedhore”, deklaroi Butler.
ADI SHKEMBI
© Panorama.al











