
Sezoni ka përfunduar, por te Tirana kanë nisur të bëjnë planet për vitin e ardhshëm. Në projektet e drejtuesve është pa dyshim edhe merkatoja, ku synohet afrimi i elementëve, që do ta përforcojnë edhe më shumë skuadrën bardheblu.Burime të sigurta për “Panorama Sport” bëjmë me dije se bisedimet e para kanë nisur dhe i pari që është vënë në fokusin e kryeqytetasve, është Marko Dos Santos. Braziliani, i cili ka rreth 9 sezone që luan në kampionatin shqiptar, me skuadra, si Apolonia, Gramozi dhe së fundmi Besa, ka spikatur me lojën e tij të shpejtë dhe teknike. Mirëpo, duket se kjo ofertë nuk do të ketë përgjigje pozitive, meqenëse vetë lojtari, edhe pse i ka falënderuar për vlerësimin, në njëfarë mënyre i ka refuzuar bardheblutë. Kjo, për një arsye të thjeshtë, sepse ai pritet të luajë në kampionatin grek, konkretisht te skuadra e Ponserraikos. “Po, është e vërtetë që kam pasur një ofertë nga Tirana. I falënderoj pa masë për vlerësimin, mirëpo unë kam të tjera plane për sezonin e ri. Destinacioni im do të jetë Greqia, atje ku jam futur në bisedime me klubin e Ponserraikos”, ka thënë shkurtimisht lojtari i ardhur nga vendi i “sambës”, i cili duket se ka në plan ta ndërrojë Shqipërinë për fqinjët e Greqisë. Ndërkaq, Dos Santos ka luajtur një sezon me verdhezinjtë, teksa pati mbërritur gjatë merkatos së verës të kampionatit të kaluar nga Gramozi. Me Besën, ai pati shënuar 3 gola, duke mos e shpëtuar dot skuadrën verdhezi nga rënia në Kategorinë e Parë. Tashmë, ai kërkohet nga Tirana, e cila ka ofruar një shumë që ndoshta nuk e ka kënaqur brazilianin, i cili ka tjetër ambicie për këtë merkato vere. Ajo që duhet pranuar është fakti se Tirana ka larguar tre kroatë, teksa bëhet fjala për Pejiç, Gvozdenoviç dhe Zizoviç, e ardhmja e të cilëve nuk dihet, ndërsa pritet që merkatoja të hapet pikërisht me brazilianin Dos Santos.











