Si të mos mjaftonte rënia nga Premier Liga dhe shkarkimi i trajnerit Grant, në klubin e Uest Hemit është prishur edhe qetësia. Gjatë darkës përmbyllëse të sezonit mbajtur në një hotel të Londrës, një tifoz është irrituar pasi sulmuesi Demba Ba dhe disa lojtarë të tjerë të “çekiçëve” kanë refuzuar t’i japin një autograf në hyrje të restorantit. Pas fyerjeve gjithçka ka përfunduar në konfrontim fizik. Në sallë janë thyer pjata dhe gota, ndërsa tifozët e shumtë që darkonin në tavolinat përreth i janë bashkuar fansit rebel. Ndërhyrja e stafit të hotelit dhe më pas e policisë ka shmangur degjenerimin e situatës.











