“Punk’s not dead”, filmi maqedonas i përzgjedhur si kandidat për “Oskar” në kategorinë e filmit të huaj, në edicionin e 84-të të Academy Awards, është shpallur si filmi më i mirë në Tirana International Film Festival. Mbrëmjen e së shtunës u mbyll në Tiranë edicioni i nëntë i TIFF. Me gjithë vështirësitë financiare, që këtë vit u përballën institucionet kulturore, duke çuar edhe në anulimin e aktiviteteve të përvitshme, TIFF arriti t’ia dalë edhe kësaj here. Ndonëse larg qendrës së kryeqytetit, çka nuk e favorizonte ndjekshmërinë e tij nga publiku i interesuar, ai e çoi deri në fund misionin e vet, duke sjellë në Tiranë filma nga të gjitha gjinitë, madje edhe fitues në festivale prestigjioze. Mbi 100 filma nga vende të ndryshme të botës konkurruan në kategoritë e festivalit, i cili ndau edhe trofetë e radhës. Më i miri i këtij viti, përzgjedhur nga një juri profesionistësh, ku merrnin pjesë regjisori Dhimitër Anagnosti, aktorja Elvira Diamanti, kreu i delegacionit të Bashkimit Europian, në Tiranë, Ettore Sequi dhe kineasti Massimiliano Nardulli, u shpall dokumentari maqedonas “Punk’s not dead”, me regji të Vladimir Blazevski. “Një mikrokozmos ndjenjash dhe gjendjesh që përshkruan gjallërinë e një gjenerate. Një film i veçantë që nuk na lë indiferent”. Ky ishte motivacioni që shoqëroi trofeun, që iu dha një filmi komedi e zezë, që trajton temën e bashkëjetesës së grupimeve etnike e kulturore, që në Maqedoni nuk është aq e paqtë. Po ky film meritoi edhe çmimin e medias për “temën specifike, për tensionet etnike dhe nacionalizmin; tipologjia e personazheve, mjaft e gjetur në një gjuhë filmike që mbante pezull publikun; grotesku që ky film përcjell”. Edhe shumë trofe të tjerë u ndanë mbrëmjen e së shtunës për regjinë më të mirë, aktrimin dhe për çdo kategori me radhë, për filmin e shkurtër artistik, dokumentarin, eksperimentalin, animacionin. Një kategori më vete ishte në këtë edicion, ai i filmit shqiptar, ku konkurruan 27 filma me metrazh të shkurtër. Fitues në këtë kategori u shpall regjisori Kast Hasa, me filmin “Home”, i cili në fakt vinte si një produksion amerikan. “Ka kthime e kthime… Në këtë rast Kast Hasa kthehet në shtëpi me një subjekt në dukje të thjeshtë, por që mbart një nga dramat e ditëve të sotme. Regjisori i ri na sjell afër një temë pak të diskutuar. Gjymtimi i individit për hir të të mirave materiale”. Me këtë motivacion ka shoqëruar trofeun juria e kësaj kategorie. Gjatë ditëve të festivalit nuk munguan edhe retrospektivat e homazhet e kineastëve, të cilët kanë lënë gjurmë në kinematografinë botërore. Një ndër ta ishte edhe Vittorio de Setta, i cili u nda nga jeta vetëm pak ditë më parë.
Trofetë e TIFF 2011
Filmi më i mirë me metrazh të gjatë
“Punk’s not dead”, Vladimir Blazevski,
Maqedoni, dokumentar
Beryl Koltz për “Hot Hot Hot”
Aktori më i mirë
Rob Stanley për “Hot Hot Hot”
Aktorja më e mirë
Monica Birledeanu për “Maternity Blues”
Filmi i shkurtër artistik më i mirë
“The sound of rain”, Jalal Saedpanah, Iran
Filmi i animuar më i mirë
“Tale of the wind”, Claudio Jordao, Portugali
Dokumentari më i mirë i shkurtër
“The conversation”, Piotr Sulkowski, Poloni
Filmi më i mirë eksperimental
“Paper memories”, Theo Putzu, Spanjë
Filmi shqiptar më i mirë
“Home”, Kast Hasa, USA
Çmimi i medias
“Punk’s not dead”, Vladimir Blazevski,
Maqedoni
Çmimi i Imperial
“The stone on the shore”, Jonada Jashari, USA
Çmimi special për filmin e gjatë
“A trip”, Nejc Gazvoda, Slloveni
Çmimi Ron Halloway
“Jam Today”, Simon Ellis, UK
Çmimi i publikut
“Maternity Blues”, Fabrizio Cattani, Itali
Çmimi i internetit
Filmi i gjatë më i mirë
“Maternity Blues”, Fabrizio Cattani, Itali
Filmi artistik
“Greetings from Prishtina”, Petrit Domi”, Kosovë
Filmi i animuar
“Way out”, Lili Sheikhat, Izrael
Filmi dokumentar
“We’re not in paradise”, Lendita Zeqiri, France
Filmi eksperimental
“Paper memories”, Theo Putzu, Spanjë
Filmi shqiptar
“Father”, Gledis Bica, Shqipëri
ALMA MILE











