TIA: Administrata shkel ligjin e informimit

Dec 21, 2011 | 18:31

TIRANE- Organizata Transparency International – Albania publikoi sot një studim, sipas të cilit, administrata shtetërore nuk po i përgjigjet sa duhet kërkesave përherë në rritje të qytetarëve për të marrë të dhëna zyrtare. Organizata ka ngritur një qendër për këshillim dhe ndihmë ligjore, nga ku doli se 30 përqind e ankesave të qytetarëve lidhen me shkelje të ligjit për të drejtën e informimit.

Studimi thotë se zakonisht administrata nuk kthen fare përgjigje kërkesave për informacion, as pozitive, as negative, kthen përgjigje të pjesshme dhe të pasakta, ose kthen përgjigje të vonuara përtej afateve ligjore. Daniela Çollaku, koordinatore e projektit, eshtë shprehur për Zërin e Amerikës se “kërkesat për informacion sa vijnë e rriten, por gadishmëria e administratës për të informuar ka mbetur në vend, ndaj edhe përmirësimi i ligjit është bërë i domosdoshëm”.

Sami Neza, nga Qendra për Transparencë dhe Informim të Lirë thotë duke folur për Zërin e Amerikës thotë se “ligji për të drejtën e informimit ende nuk po zbatohet si duhet: për gazetarët është i papërdorshëm, po ashtu edhe për qytetarët, sepse transparenca e administratës nuk është në nivelet e kërkuara”.

Sipas studimit, institucionet më problemtatike në dhënien e informimit janë ALUIZNI, Zyra e Përmbarimit, Departamenti Anti-Korrupsion i qeverisë, Prokuroria e Tiranës, Ministria e Financave e Gjykata e Lartë. TIA kërkoi zbatimin më të mirë të ligjit mbi të drejtën e informimit nga institucionet shtetërore, duke shmangur parregullsitë, dhe duke rritur transparencën. Po ashtu, TIA kërkoi që në ligj të parashikohen dënime për ata që shkelin e ligjin e informimit.

© Panorama.al

Te lidhura