Thirrjet antishqiptare, PDIU: Partitë shqiptare maqedonase të reagojnë

Nov 16, 2011 | 11:40

TIRANË- Reagimi i AK për thirrjet antishqiptare në Prilep është pasuar sot nga ai i PDIU-së, Përmes një deklarate për mediat, PDIU kërkon reagimin e autoriteteve shqiptare dhe maqedonase për fyerjet e bëra.

“Fyerjet e tifozëve maqedonas u drejtohen të gjithë bashkëkombësve tanë, përfshi edhe ata të cilët luajnë me fanellën e Maqedonisë. Këto fyerje duhet të gjejnë përgjigje të menjëhershme nga autoritetet shqiptare dhe maqedonase, sidomos nga partitë shqiptare në Maqedoni, ku harmonia ndërmjet dy etnive duhet të jetë bazë e shtetit maqedonas”, thuhet në deklaratë.

Sipas saj, kombi shqiptar, si kombi më i lashtë në Ballkan nuk mund të pranojë fyerje nga asnjë komb tjetër, e nga asnjë grupim, sidomos në momentin kur shteti maqedonas mbahet në këmbë pikërisht nga bashkëkombësit tanë. “Reagimi i menjëhershëm i autoriteteve maqedonase dhe sidomos i partive shqiptare aty është tashmë një domosdoshmëri”, thuhet ne reagimin e PDIU.

© Panorama.al

Te lidhura