Thirrje antishqiptare, burg 7 muaj dy ushtarëve grekë

Dec 22, 2011 | 11:27
Ushtarët grekë gjatë paradës në Athinë

“Me lëkurën e shqiptarëve do të bëjmë këpucë”. Thirrjet raciste të ushtarëve grekë gjatë paradës së 25 marsit të vitit të shkuar në Athinë, u kanë kushtuar një dënim qesharak vetëm dy prej tyre. Gjykata Ushtarake Detare e Pireut shpalli fajtorë dy prej forcave të ushtrisë, duke i dënuar me nga 3.5 muaj burg. Për 37 të tjerët, anëtarë të Togës së Zhytësve të Marinës Ushtarake greke, gjykata shpalli pafajësinë. Vendimi u mor në bazë të provës pamore, që ishte pikërisht një video e paraqitur në gjyq nga pala akuzuese, ku sipas gjykatës, dukeshin vetëm dy prej ushtarëve që lëshonin thirrjet raciste, tashmë të njohura. Gjyqi tejet i zhurmshëm, ku skandalet pasuan njëri-tjetrin, që nga kërcënimi i prokurorit dhe dëshmitarit brenda sallës ku zhvilloheshin seancat, u mbyll dje pa praninë e prokurorit të çështjes dhe përfaqësuesit grek të Komitetit të Helsinkit që ngriti padinë civile. Ata ishin kërcënuar në seancën e mëparshme, duke njoftuar se nuk do të ishin të pranishëm në gjyq. Në sallë, në seancën e djeshme ishte vetëm dëshmitari i akuzës, gazetari Dimitris Angelidhis, i cili ngriti dhe trajtoi çështjen në shtyp, ndërkohë që në gjyq dëshmuan disa persona në mbrojtje të të pandehurve. Toga e Zhytësve të Marinës Ushtarake greke, prej 39 anëtarësh, u padit nga përfaqësuesi grek i Komitetit të Helsinkit, Panajotis Dimitras, për shkelje të Nenit 2 të ligjit “Për antiracizmin”. “Grek lind, kurrë nuk mund të bëhesh”, “Me lëkurën e shqiptarëve do të bëjmë këpucë”, ishin disa prej thirrjeve gjatë paradës ushtarake në festës kombëtare, më 25 mars 2010. Ushtarët e kësaj toge hodhën parulla raciste kundër grupeve etnike shqiptare, turke dhe maqedonase. Videoja gjatë paradës së ushtarëve u transmetua në internet dy ditë më vonë, duke shkaktuar tronditje të opinionit shqiptar. Në shumë qytete të vendit grupe të rinjsh dogjën në shenjë revolte flamujt e shtetit grek.

Thirrjet raciste per shqiptaret
.    “Grek lind, kurrë nuk mund të bëhesh”

.    “Gjakun tënd do të derdhim, or derr shqiptar”

.    “Me lëkurën e shqiptarëve do të bëjmë këpucë, me zorrët e tyre lidhëse këpucësh”

© Panorama.al

Te lidhura