Dhjetëra mjete lundruese në një marinë të qytetit Novi Sad, në veri të Serbisë, janë parë duke qëndruar mbi një shtresë balte të gjelbër, gjithçka që ka mbetur pasi ujërat e lumit Danub janë tërhequr me disa qindra metra.
Niveli i Danubit ka arritur këtë javë në vlera historikisht të ulëta në Kroaci dhe Serbi, duke zbuluar qindra kilometra katrorë brigje ranore, si pasojë e valëve të të nxehtit dhe thatësirës së zgjatur që kanë prekur pjesën më të madhe të Evropës gjatë verës.
Në Kroaci, rënia e nivelit të ujit nxori në pah një anije mallrash që ishte fundosur në vitin 1937. Ndërsa në lindje të Serbisë, nga ujërat e Danubit dolën skelete të ndryshkura të një kolone anijesh gjermane të fundosura në vitin 1944, duke krijuar rrezik për lundrimin.
Në Beograd, një pronar restoranti vendosi tavolina dhe karrige mbi një grumbull shkëmbinjsh që u shfaq në mes të lumit si pasojë e uljes së nivelit të ujit.
Situata ka ndikuar edhe në furnizimin me karburant të Serbisë. Ministrja e Energjisë, Dubravka Xhedoviç Handanoviç, deklaroi se importet e karburanteve ranë në vetëm 25% të objektivit mujor për korrikun, pasi nivelet e ulëta të Danubit i detyruan anijet cisternë të operojnë me vetëm 30–40% të kapacitetit të tyre.
Në Serbi, niveli i ulët i ujërave në Danub, si dhe në lumenjtë e lundrueshëm Tisa dhe Sava, ka goditur gjithashtu peshkimin dhe turizmin. Ekspertët kanë paralajmëruar për pasoja afatgjata në ekosistemet dhe jetën e egër.
Shërbimi Hidrometeorologjik i Serbisë ka parashikuar një rritje të lehtë të nivelit të Danubit në ditët e ardhshme, si pasojë e reshjeve të regjistruara në zonat më të larta të rrjedhës së lumit.
© Panorama.alDanube River water levels fell to record lows this week in Croatia and Serbia, exposing a freight ship that sank in 1937 https://t.co/HB0mKSJe3f pic.twitter.com/o3FVsMULnh
— Reuters (@Reuters) July 24, 2026












