Thashetheme?

Mar 24, 2019 | 15:26

EDMOND TUPJA

 

Nga EDMOND TUPJA/ Ndoshta gjithçka nisi si një thashethem pazari, ndoshta si thashetheme pallati mbretëror, pak rëndësi ka: Zoti Kryeministër – thanë e shkruan para disa ditësh – paska pasur një problem shëndetësor!

Po çfarë ka këtu për t’u habitur? Njeri është edhe ai, kështu që mund të sëmuret, sëmundjet, siç e pohon miku e fqinji im i vjetër Aqif Qifa, burrë qibar e sqimatar, qind për qind terjaqi dhe qiqër nga mendja, sëmundjet, pra, për njeriun janë! Ah, me gjithë respektin  e pakufishëm që kam për këtë burrë disi filozof popullor deri diku të ngjashëm me Nastradinin legjendar, po i lejoj vetes luksin e paimagjinueshëm ta kundërshtoj atë, aq më tepër që pardje vetë Zoti Kryeministër e përgënjeshtroi duke e dënuar ashpër si shpifje lajmin paturpësisht të rremë të “sëmundjes” së tij.

Ta kundërshtoj, sepse mbaj mend nga fëmijëria ime e largët që, kur nisëm të shkonim në shkollë, falë respektit që na kishin injektuar prindërit për figurën e mësuesit, ne, fëmijët e mëhallës së Shkollës së Kuqe në Tiranë, kur diskutonim me shoku-shokun, ishim të gjithë të mendimit që mësuesit tanë, por sidomos drejtori i shkollës, ishin ndryshe nga shumica dërrmuese e vdekatarëve: Ata nuk hanin bukë me gjizë ose me vaj e me kripë si puna jonë, por vetëm mish, peshk, gjalpë, djathë, reçel, llokume e çokollata. Pastaj, erdhi një ditë indoktrinuese kur na u mbush mendja se xhaxhi Enver duhej të hante vetëm ëmbëlsira dhe sidomos bakllava.

Mandej, nuk e di se si arritëm në përfundimin se ai, pra, xhaxhi Enver, nuk shkonte kurrsesi në banjë, nuk dhiste, nuk shurronte e nuk lëshonte pordhë, madje as fendë, çka e dallonte krye e bythëkëput nga gjithë vdekatarët e tjerë. Me një fjalë, ishim të bindur që udhëheqësi i Partisë dhe i popullit ishte i paprekshëm nga sëmundjet, pra, i pavdekshëm. Shumë kohë më vonë, kur isha pedagog i ri në Universitetin e Tiranës, më rastisi, andej nga viti 1972, t’i shërbeja si përkthyes një gazetari sportiv francez, i cili, në një takim me një ish-partizane dhe pedagoge të filozofisë marksiste-leniniste, e pyeti këtë nëse një ditë në krye të PPSH-së mund të vinte një grua shqiptare, sepse, shtoi ai, “në fund të fundit, një ditë shoku Enver do të vdesë”. O Zot, përgjigjja e pedagoges në fjalë na la, atë dhe mua, pa gojë e pa mend: “Oh, unë nuk mund ta imagjinoj që shoku Enver të vdesë ndonjëherë!”.

Për analogji me shokun Enver Hoxha, si mund të sëmuret zoti Edi Rama, Udhëheqësi apo, në një shqipe më moderne, Lideri (me një “r” dhe jo me dy të tilla, sigurisht) i Partisë Socialiste të Shqipërisë! Si mund të sëmuret e – qoftë larg! – të vdesë ai e ta lërë jetime Partinë e tij të dashur, të çmuar e të shtrenjtë! Kush mund ta pranojë një gjë të tillë! Sikur ai të sëmurej e – larg qoftë! – të pushonte së qeni i pavdekshëm, si do t’i shkonte halli Shqipërisë? Po Kosovës? Po Ballkanit Perëndimor? Po Bashkimit Europian?

A nuk e ka thënë vetë zoti Kryeministër se “Shqipëria ka nevojë për Europën, por dhe Europa ka nevojë për Shqipërinë?”. Madje, kush do të guxonte të mohonte se, në një të ardhme jo fort të largët, edhe vetë rruzulli ynë tokësor mund dhe duhet detyrimisht të ketë nevojë për atdheun tonë heroik, fantastik, fantazmatik dhe ediramaik?

Përse të mos e përfytyrojmë, jo për një çast, por më gjatë dhe shumë seriozisht Zotin Edi Rama në postin e lavdishëm të Sekretarit të Përgjithshëm të Organizatës së Kombeve të Bashkuara?

Si përfundim, ndonëse me siguri në gjirin, prehrin e barkun e Partisë Socialiste, por edhe pak më poshtë, po luftohen thashethemet shpirraqe e shpifarake lidhur me “sëmundjen” poshtërsisht të sajuar të liderit të saj të madhërishëm, zeusian e sulltanesk, të perëndishëm dhe aspak të perëndueshëm, unë jam i bindur se po luftohet gjithashtu çdo prirje për thashetheme, thashetrembje dhe aq më shumë thashetredhje të unitetit të hekurt, të çeliktë e të florinjtë të gjithë anëtarëve të Partisë Socialiste që janë gati të japin jetën e tyre, madje edhe atë të familjeve të tyre, me synim që zoti Edi Rama i tyre krenar, kapadai e i krekosur t’i udhëheqë ata heroikisht në betejat e panumërta dhe lavdiplota që i presin në emër të së ardhmes së ndritur, deri në verbim, të mbarë njerëzimit! Jam më se i bindur e më se i sigurt se kurrë ndonjëherë që këtë vullnet ditirambik të Partisë Socialiste e ka konfirmuar, qoftë drejtpërsëdrejti apo tërthorazi, edhe kongresi i saj që zhvilloi dje punimet e tij madhështore, pikërisht në Pallatin Absolut e Absurd të Kongreseve Kuptimplote.

© Panorama.al

Te lidhura